Basha, vizita e gabuar në qytetin Studenti

Placeholder Image

Qyteti Studenti nuk është vetëm vendi ku filloi lëvizja për rrëzimin e diktaturës. Ai është njëkohësisht dhe mjedisi ku lindi dhe mori jetë e para parti opozitare pas gjysëm shekulli…

Nga Andi Bushati

Kryetari i PD-së nuk ka gjetur simbolikën e duhur kur ka shkuar këtë të enjte në qytetin Studenti, për të propoganduar politikën e tij të vakët të ndryshimit të partisë më të madhe opozitare. Prej disa muajsh, për t’iu kundërvënë autoritarizmit gjithnjë e më të madh të qeverisë Rama, Lulzim Basha ka nisur një fushatë për demokratizimin e PD-së, për shndërrimin e saj, nga një parti e kryetarit, në një forcë të qytetarëve, në një familje ku të lulëzojnë idetë e ndryshme dhe të vyera, një një organizatë ku të votohen dhe të sfidojnë edhe ata që janë kundër kastës.

Këtë 8 dhjetor, përvjetorin e 26 të përmbysjen e regjimit komunist, Basha ka dashur ta shfrytëzojë si një trampolinë për të dhënë këto mesazhe ndryshimi, që për shkak të qëndrimeve të së shkruarës dhe të mënyrës se si është sjellë PD, qoftë kur ishte në pushtet, qoftë tani në opozitë, nuk po gjejnë ndonjë jehonë të madhe.

Dhe në pamje të parë simbolika duket e goditur.

Në 100 e pak vite shtet shqiptar, të rralla janë sheshet dhe datat që kanë sjellë ndryshime kaq të mëdha në jetën e vendit. Pavarësisht se rënia e komunizmit ishte një lëvizje e dirigjuar nga lart, pavarësisht se fijet e saj u luajtën në kulisat e pushtetit, vullneti, dëshira dhe rebelimi studentor, për ti dhënë fund mungesës totale të lirisë dhe izolimit nga perëndimi, janë nga ato akte që e kanë shenjuar fort historinë tonë të re.

Pra, duke u nisur nga kjo simbolikë Lulzim Basha u duk se “zbuloi” mjedisin e duhur për të propoganduar politikën e tij të re.

Por, ajo që ai me siguri ka harruar, dhe që e tradhëton keq propagandën e tij për një parti që të jetë e të rinjve dhe jo e kryetarit të përjetshëm, e qytetarëve dhe jo e një grupimi të mbyllur, e interesit publik dhe jo e kastës, është simbolika tjetër e këtij sheshi.

Qyteti Studenti nuk është vetëm vendi ku filloi lëvizja për rrëzimin e diktaturës. Ai është njëkohësisht dhe mjedisi ku lindi dhe mori jetë e para parti opozitare pas gjysëm shekulli.

Dhe aty u krijua një parti që i tradhëtoi shpejt aspitatat e atyre që brohorisnin parrullën: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Aty u krijua partia që vetëm pas një viti hëngri bijtë e saj themelues. Aty u krijua partia që urdhëroi burgosjen e liderit kryesor të opozitës. Aty u krijua partia që shkallmoi të parat zgjedhje parlamentare që organizoi. Aty u krijua partia që përgjaku dhe masakroi opozitarët, shtypin dhe që në 1997, drejtoi ushtrinë dhe paramilitarët kundër popullit të vet.

Shumë më e ndryshme sot, nga këto anë të errëta që shënjuan fillimet e saj, përsëri PD-ja mbetet partia e një njeriu të vetëm. Partia ku fare rallë mund të dëgjohen zëra kundra. Partia që edhe në vitin 2013, në ndryshim nga çdo vendi i ish bllokut lindor, nxori përpara shqiptarëve të njëjtin lider që i kish propoziar edhe në vitin 1991. PD ishte dhe mbetet edhe sot, në ndryshim nga çdo e singjashme në Europw, partia e një njeriu të vetëm: Sali Berishës, të rrallë dhe të pa krhasueshëm në llojin e tij.

Pikërisht për këto arsye, ideja për të propoganduar hapjen e kësaj force, idetë kundër liderit të fortë dhe të përjetshëm, kultin e mendimit ndryshe, në qytetin studenti, ishte një nismë e gabuar.

Po vërtet, ai shesh, ka hyrë në në memorien tonë kolektive si imazhi i protestës, i revoltës, i rrebelimit të sinqertë dhe naiv të të rinjve. Por fatkeqësisht, nga ana tjetër, ai na kujton dhe vendin ku u krijua një parti që i tradhëtoi aspiratat e krijimit të saj.  Ai ngërthen në vetvete dramën e revolucioneve që tradhëtohen prej pushteteve që pjellin nga barku i tyre.

Prandaj dhe Lulëzim Basha nuk mund të shkonte aty për të propoganduar një PD që me fjalë nuk i ngjante aspak asaj të Berishës. Ai mund ta përdorte këtë shesh nëse do ti duhej të fliste për rrevolta dhe përmbysje, por kurrë për ta evokuar si simbolin e një partie të hapur dhe demokratike. (Lapsi.al)

SHKARKO APP