Batutat më pikante të fushatës

 

Përveç premtimeve pa doganë dhe akuzave “me libër shtëpie”, fushatat në Shqipëri kanë dhe një anë tjetër; pjesën komike. Mes stresit, lodhjes fizike të mesatarisht 7-8 takimeve elektorale në ditë politikanët dhe kandidatët heqin dorë paksa nga fjalimet standarde politike. Kështu duke folur seriozisht për investimet dhe hallet e banorëve të njësive vendore, kryeministri dhe kreu i opozitës nuk harrojnë të thumbojnë njeri tjetrin me batuta. Vendin e parë për batuta në këtë fushatë duket se mban Kryeministri Edi Rama. E ka pasur gjithmonë ndonjë koment me nota humori për kandidatët e djathtë në çdo vend. Ndërsa jo pak herë është kritikuar dhe nga opozita se qëndrimet e tij janë denigruese.

Rasti me pikant ishte ai i Pogradecit, ku u shpreh se kandidatëve të PD-së “u duheshin lëshuar qentë”. Ndërsa kreu i opozitës i ka pasur batutat më të pakta. Në retorikën e fushatës së PD-së gjen më shumë akuza dhe denoncime dhe siç duket opozita nuk sheh shumë gjera për të qeshur në aktualitetin politik të vendit. Ndaj ndryshe nga Rama, Basha ka zgjedhur ditët e fundit të fushatës të përdor më shumë mallkimet. Përjashtim ka bërë kandidati i Tiranës, Halim Kosova, i cili gjatë fushatës ka zgjedhur një formë komunikimi parapolitikë, duke shmangur fjalimet por është përqendruar tek bisedat dhe sjelljen e shembujve nga profesioni i tij.

Veç batutave nuk kanë munguar dhe gafat. Emblematike mbetet ajo e kandidatit të PS në Tepelenë, Tërmet Peçi. Deklarata e tij për fitore “publicitare” u kthyer në simbolin e fushatës. Nuk ka munguar dhe Eduard Shalsi në këtë fushatë, i cili në prezantimin e kandidatit të PS-së në Berat, ngatërroi jo vetëm datën e themelimit të PS, por edhe emrin e kandidatit të majtë.  Gazeta “Koha Jonë” ka përzgjedhur disa nga batutat më pikante që politikanët kryesorë kanë bërë gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Zyrtarisht fushata nisi më 22 maj, takimet elektorale në këto zgjedhje nisën rreth një muaj para afatit zyrtar.

M.XH

 

Tërmet Peçi, 28 prill, Tepelenë

 “Ne të gjithë së bashku në 21 do të punojmë ditë dhe natë për të garantuar fitoren publiçitare të koalicionit tonë. Fitorja është e garantuar, nuk bëjmë premtime boshe, të gjithë ne bashkë do flasim shumë”…

Taulant Balla, 30 prill, Kuvend

“Si ti them unë Halim Kosovës tani hajde Halim bjer shenjat e gishtërinjve, Halimi ka edhe profesion të nderuar, ai ça s’ka prekur, kjo është qesharake….Të 61 kandidatët e PS janë të pastër qelibar”.

Pandeli Majko, 5 maj, Tiranë

“Kam një shok në Selitë dhe më tha se atje ka nisur të këndohet një këngë me tekst “kam fiq te shpia, dua të bëhem si Erion Velia”.

Vangjush Dako, 6 maj, Durrës

“Në Durrës nuk do ketë më të papunë…”

Edi Rama, 6 maj, Durrës

“Besoj dhe se kandidatja e PD-së do zgjedhë Drejtimin e Duhur, ndaj nuk duhet t’ja marrim për keq nëse ajo ja jep Vangjushit”…. “Jemi parti që kemi një numër të madh garash dhe vajzash dhe kjo është pozitive. Një gjë është e mirë, kemi bionde dhe brune. Le ta mbyllim me një brune….”.

Edi Rama, 12 maj, Lushnjë

“Këta janë bërë mos o Zot. Si papagalli Lushnje, si papagallit në SHQUP, të njëjtën gjë do bëjnë…”

Arben Çuko, 12 maj, Lushnjë

“Jam i kënaqur që kryeministrit tonë ia ka mbledhur gruaja. Edhe mua edhe Fatos Tushës na i ka mbledhur gruaja. Këtu te ne thuhet që burri është nga fshati i gruas së vetë”.

 

Edi Rama, 12 maj, Tiranë

 “Ja arritëm kësaj dite, se më kujtohet në ato fillime kur nisëm një reformë në drejtim të ekuilibrit gjinor në PS qysh në 2005 dhe pastaj bëmë zgjedhjet e 2007. Kam bërë beteja të paharrueshme, sidomos në zonat e veriut, apo dhe në periferi të jugut. U thoja ore fusni ndonjë grua, nuk ka gra më thoshin. I thash ore me kë jeni martuar? Po kokën kush ua ka nxjerrë? Këshillat Bashkiak ishin mbushur me burrat. I keni parasysh vetë ju që keni pak eksperiencë në këtë fushë”…

Erion Bracee, 14 maj, Kuvend

Po kritikoni Ramën se thotë mos votoni vëtëm kandidatët e matë. Po çfarë të thotë; votoni të djathtën. Jeni marrë këtë javë me Lushnjen. Ja ku po ua them unë, kandidati juaj nuk i sjellë asnjë gjë Lushnjës. E dini si thonë në Lushnjë, kandidati i PD nuk ka shokë gjimnazi. E dini çfarë do të thotë kjo, s’ka bërë gjimnazin.

Ben Blushi, 15 maj, Tiranë

 “Po të kem ndonjë gjë për t’i thënë Gramozit, (Ruçit) s’kam pse ia them përmes Televizionit, unë e kam shumë mik. Unë kam folur prej shumë muajsh me të dhe e di që edhe ai nuk është i kënaqur që nuk ka zgjedhje në PS, apo performanca e qeverisë nuk është e mirë, që kandidatët u vunë në mënyrë të njëanshme. Besoj se dhe ai ka pakënaqësitë e veta, siç i kemi të gjithë. Nuk e di se çfarë ka thënë, por nëse ka thënë publicist, besoj se e ka pasur për kandidatin tonë në Tepelenë, Tërmet Peçi, se ai tha do bëj një fushatë publicitare dhe ndoshta zoti Ruçi ka menduar se ai është publicist”.

Edi Rama, 15 maj, Pogradec

“Janë për tu ruajtur me qen këta të PD-së, prishin rendin… Lasgush Poradeci mes meje e Dianës do zgjidhte Dianën, ndërsa mes Dianës e atij të PD as që diskutohet se do zgjidhte kandidaten tonë ndërsa atij tjetrit do ti vërsulte qenin”.

Edi Rama, 16 maj, Elbasan

“…Nuk marr përsipër të financojmë të gjitha projektet e Qazimit (Sejdinit) se ashtu i bie ta nxjerrim qeverinë me këpucë të kuqe, por padyshim do financojmë në 4 vitet e ardhshme me Qazimin dhe ASHE patjetër shumë më shumë projekte… edhe Qazimin s’e vëmë se është vetëm i mirë, e vëmë se është edhe i zoti, se po të ishte vetëm i mirë e lenim me gruan… Ata prandaj janë demokratë se s’mbushin, se ka edhe demokratë që e duan ndryshimin, si ata të FRD…”.

Olta Xhaçka, 17 maj, Maliq

“Ky i joni (kandidati i PS Luan Topçiu) është bostan me provë, atë tjetrin është mirë mos ta provojmë fare se mos na dalë kungull”.

Edi Rama, 19 maj, Lezhë

“Viktori ka në krah dy gra, Mimi dhe Monika, një bionde dhe një brune, që e ka mbyllur ciklin. Na ngelën në derë, Viktori çon gratë në Tiranë dhe i pret këtu i vijnë financimet. I Zoti i thonë, se budalla me fat nuk ka. Kombinim rrethanash shumë i vlefshëm…Burrat edhe nën efektin e rakisë ndonjëherë shkojnë edhe gabim, ku i zë nata shkojnë edhe gabim. Gra mos i lëni burrat në drejtimin e gabuar edhe këtë herë. Prandaj janë demokrat ata se nuk mbushin. Demokrat të SHQUP­it se demokrat normal kemi në koalicion ne, FRD­në”.

 

Genc Deromemaj, 20 maj, Vlorë

“Do zgjidhem kryetar i Bashkisë së Vlorës sepse e kam shtëpinë 50 metra larg ndërtestës së Bashkisë”.

Ardian Turku, 22 maj, Tiranë

“Unë jam Ardian Turku, ai burri i mirë, që Edi Rama i ofroi krushqi. Por a bëhet krushqi me Jovan Bregun”.

Edi Rama, 24 maj, Librazhd

“Ja ku e kemi edhe Ballën, po s’u përgjigja dot te gjithave sot Taulantin këtu e kemi , s’ka pyetje që e kap gafil. Grave amanet burrat, merrini për dore çojini në drejtimin e duhur”.

Edi Rama, 25 maj, Berat

“Nuk ju themi votoni as për PS­në dhe as për LSI­në. Por ju themi të votoni për individin. Votoni Selfon për kryebashkiak të Kuçovës dhe pastaj votoni PD­në në këshillin bashkiak se na duhet edhe opozita. Por mos votoni Mahmutin, se ai nuk është për atë punë”.

 

Edi Rama, 29 maj, Tiranë

“Duke votuar në 21 qershor, të gjitha gratë duhet të gjejnë punës njeriun, dhe jo njeriut punën, dhe puna e kryetarit të bashkisë është puna që mund ta bëjë vetëm Erjoni, ndërsa vendin që ka lënë bosh në materninet mund ta zërë vetëm Halimi”.

Partia Socialiste, 30 maj, Memaliaj

“Simpatizantë dhe mbështetës të Partisë Socialiste dhe pak ditë na ndajnë nga fitorja e kandidatit Durim Roshi. Ju falnedrojmë për mbështetjen dhe supostin që po na jepni. Durim Roshi, e vetmja rrugë”.

 

Edi Rama, 31 maj, Vlorë

“Burrat duhet të kuptojnë se pa gratë nuk kanë ku shkojnë. Unë e kam kuptuar dhe besoj se Dritani (Leli) e ka kuptuar. Unë sa herë pyes gruan nuk gaboj”.

 

Halim Kosova, 2 Qershor, Tiranë

“Unë do bashkëpunoj më Kryeministrin për qytetarët. Do pi kafe sa herë të dojë ai, e paguaj unë. Kamerat janë i vetmi kontakt që më ka ngel me kryeministrin. Aman mos ma vono atë kafen do ti them. Jo, e di pse?! Se me ka lënë pa kafe, hë tani dhe hë pastaj dhe mos më bëhen 2 pas njëra-tjetrës”.

Redi Saraçi, 4 qershor, Shikaj

“Mos votoni PS, as që e kanë mendjen tek hallet tuaja. Problemin e varfërisë kanë menduar ta zgjidhin me poligon qitje. Këtu njerëzit s’kanë bukë, kandidati i PS premton poligon qitjeje”.

Edi Rama, 6 qershor, Tiranë

“Kam Pandin afër që është me Barcelonën dhe ka sjellë pak ters më duket sot. Unë jam me Juventusin. Është e vështirë por jo e pamundur. Por më e rëndësishmja është të shohim një futboll të bukur. Nuk ka vënë bast me Pandin, më duket ka sjellë tersin se është me Barcelonën. Pandi sheh futboll vetëm kur është finalja dhe gjithmone merr më të fortin e ka zgjedh”.

Pandeli Majko, 6 qershor Tiranë

“Nuk ka ardhur tersi por mbarësia, por kur han gola kështu është muhabeti. Është falur një penallti, por se këtë nuk e thotë ky. Rama shikon futboll vetëm kur ka fushatë elektorale”.

Edi Rama, 9 qershor, Shkodër

“Programi i Voltanës është vetëm: Rama-Meta kanë maru, Rama-Meta kanë maru…. Program është ky?!”.

Edi Rama, 10 qershor, Kukës

“Ata të cilët nuk e imagjinojnë dot Shqipërinë pa Saliun, le ta mbajnë atë mbret dhe të zgjedhin për bashkinë jo një mini­Sali që t’ju bëj sherre politike çdo ditë. Doni 7 ditë të javës apo 7 të enjte në javë? Nëse doni ta bëni kalendarin javor me 7 të enjte votoni policin e Flamurit dhe i pafshit hajrin. Çfarë t’ju them unë? Jeni të lirë ta bëni këtë”.

Astrit Patozi, 11 qershor, Kuvend

“Dje, LSI­ja shfaqi një spot publicitar kundër shitjes së votës. Ky spot, është njësoj sikurse ISIS t’i kërkojë botës që të ruhet nga terrorizmi, apo sikur Sepp Blatter të dënojë korrupsionin në FIFA”.

Eduard Shalsi, 12 qershor, Berat

“Sot është ditëlindja e PS. Jo më falni, nesër është dita e themelimit. U bëj thirrje beratasve të votojnë kandidati e duhur. Votoni Petraqin”. (Emri i kandidatit të PS është Petrit Sinaj)

Edi Rama, 14 qershor, Tepelenë

“Mirë gomari që na ngordhi, po s’na lën rehat as mizat, seç është një kandidat i pavarur. Mirë kandidati i PD, po s’na lë rehat as ky…. Në Shqipëri aleanca do të marrë një fitore plebishitare, kurse këtu në Tepelënë do jetë publicitare me Tërmet Peçin”.

Halim Kosova, 15 Qershor, Tiranë

“Ka ndodhur që më kanë marrë në telefon (deputetë të PS) dhe më ka thënë: o Halim, shiko, shiko ça thotë gruaja ime, më thotë edhe unë votën Halimit do ja jap. Edhe kemi qesh të dy….ka qenë deputet i PS dhe i LSI”.

Lulzim Basha, 15 qershor, Mallakastër

“Shikoni sa qesharak dhe i pashpresë është bërë (Rama)! Pasi e ka parë se s’i i funksionojnë as premtimet se nuk i beson njeri, as kërcënimet se nuk kërcënon dot një popull ka filluar me mallkime, është bërë si ai qesharaku që thoshte, të zëntë sëmundja po s’më votove mua! O Edo sa poshtë ke rënë! Po pse, me mallkime do i marrësh votat e mallakastriotëve dhe shqiptareve”.

Sali Berisha, 16 qershor, Tiranë

“Qazim Sejdini është një xhelat xhentil dhe i ëmbël i fjalës së lirë!”.

Lulzim Basha, 16 qershor, Pogradec

“Edi Rama sillet sot si vëllai binjak i Sudes, në një piramidë të stërmadhe mashtrimesh. Edi Sudja premtoi punësim dhe solli shpunësim, premtoi taksa të ulëta dhe solli taksa të larta, premtoi ulje të çmimit të energjisë dhe solli rritje të çmimit të energjisë. U plaçin sytë atyre që nuk shohin varfërinë dhe mjerimin! U ngectë në fyt buka e korrupsionit atyre që po i lënë shqiptarët pa bukë!”…

Pandeli Majko, 18 qershor, Tiranë

 “Iliri ka vajtur 47 kg. Shihni se sa shumë mund dhe djersë i është dashur për ta bërë LSI­në parti të rëndësishme të skenës politike, që sot është këmba dhe dora e dytë e mazhorancës…Do të doja të isha në Maliq, në vendin tim të origjinës, por me urdhër të partisë shkova në Tropojë”.

 

SHKARKO APP