BE para shpërbërjes?

 

 

Ministri i jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn ka frikë se BE mund të shpërbëhet prej krizës së refugjatëve. Kjo frikë ka bazë, por ai bën një diagnozë të gabuar të fakteve, mendon Christoph Hasselbach.

Jean Asselborn ka vënë alarmin. Egoizmi nacional i zë vendin ndjesisë së komunitetit, mbyllja në vetvete kufijve të hapur, nacionalizmi vlerave njerëzore. Brenda pak muajsh mund të pësojë kolaps hapësira e Shengenit dhe me të një nga arritjet më të mëdha të Evropës. Madje edhe për mundësinë e një lufte flet ministri i Jashtëm.

Luksemburgasi lëvdon politikën liberale ndaj refugjatëve të Gjermanisë. Disa politikanë, thotë ai, e përdorin qëllimisht këtë temë për të nxitur frikë, kjo "çuarje në rrugë të gabuar" duhet ndalur. Rreziku që sheh Asselborni ekziston vërtet, por ndryshe nga sa kujton ai. Prandaj ai nxjerr përfundime të gabuara.

Humbje e përditshme e kontrollit

Nga njëra anë ai gabohet për arsyet e frikës. Popullata në Evropë ka frikë nga vërshimi i pakontrolluar i refugjatëve dhe jo sepse u është ekspozuar sharlatanëve të djathtë. Edhe vetë në Gjermani, çdo ditë i kalojnë pa pengesë kufijtë mijëra vetë, edhe pas vendosjes së disa masave restriktive nga qeveria. Autoritetet nuk dinë për shumë migrantë se kush janë, nga vijnë, cila është vendndodhja e tyre e saktë.

Kancelarja vazhdon t'i përmbahet politikës së saj për refugjatët pa kufij të sipërm – dhe kërkon mbështetje për këtë edhe te partnerët evropianë. Për një kohë të gjatë madje ajo të linte përshtypjen se nuk e shqetësonte shumë humbja e kontrollit. Nuk është çudi që qeveritë e tjera refuzojnë të japin mbështetje.

Prandaj Asselborni nuk ka të drejtë as me propozimin e tij për zgjidhjen e situatës: shpërbërja e Evropës nuk mund të ndalet në këtë mënyrë, duke i shpallur pa bazë frikërat dhe duke kujtuar vlerat, por duke e frenuar migrimin masiv në BE dhe duke e bërë këtë në mënyrë radikale. Por Asselborni nuk do t'ia dijë për këtë.

Christoph Hasselbach

Christoph Hasselbach

Tusk: "Terren që ushqen frikën"

Më largpamës është Presidenti i BE, Donald Tusk. Polaku i përmbajtur thotë për gjendjen aktuale të BE: "Një Evropë pa kufij të jashtëm do të kthehet në një terren që ushqen frikën". Pikërisht këtu qendron problemi!

Prandaj ka dështuar në këtë masë edhe ndarja e refugjatëve brenda BE. Për aq kohë sa vazhdon pa ndërprerje vërshimi i refugjatëve, për aq kohë një çelës i përhershëm i ndarjes së refugjatëve do të ishte thuajse një garanci se do të vijnë gjithnjë e më shumë refugjatë. Qytetarët presin një Evropë, që ta ndalojë së bashku vërshimin e refugjatëve, jo një Evropë që vetëm i ndan ndryshe refugjatët.

E këndshme rrjedhoja nuk është, por e nevojshme: ai që kërkon të shpëtojë kohezionin evropian, duhet të kujdeset që BE të rifitojë kontrollin mbi migrimin. Kjo nuk do të thotë ndalim i pranimit, por me siguri një kufizim i qartë i pranimit të refugjatëve.

SHKARKO APP