Bëje për Marjetën, zonja ministre!
Nga Rudina Xhunga
Tetori është muaji i sensibilizimit për kancerin e gjirit. Ndër shumë institucione dhe individë që po japin një dorë në këtë fushatë, është edhe Spitali Amerikan. Gra dhe vajza të njohura fusin kokën në kornizën rozë, veshin bluzën e spitalit dhe pozojnë për të sensibilizuar gratë e tjera, të bëjnë kontrollin e gjirit.
Njëra prej tyre është edhe ministrja e Ekonomisë, Milva Ikonomi. Portreti i saj, në këtë kornizë, bluza e saj me logon e Spitalit Amerikan, më bënë të mendoj për Marjetën, gruan që tregoi për dritare.net, betejën e saj me kancerin e gjirit. Luftën e saj të përditshme dhe psherëtimën e saj: Ah, sa dua të jetoj!
Marjeta ka tre muaj që ka nisur luftën e saj me kancerin, që nis me zgjimin në mëngjes në 5, vrapin për te furgoni i Fierit, radhën për te Onkologjiku në Tiranë, kimioterapinë dhe kthimin sërish në shtëpi, ku e presin 8 sy gjithë pyetje e ankth.
Marjana do të jetojë dhe po bën gjithçka mundet, por kaq mundet. Gruaja e re, 43 vjeçare, nuk do t’i lerë jetimë tre fëmijët, por më shumë se të shkojë te spitali publik dhe të shpresojë, nuk ka ç’të bëjë.
E ka parë edhe ajo foton e ministres Ikonomi. Dhe të pyet mos spitali, që i bën reklamë zonja ministre, është më i mirë dhe të shpëton, të pyet edhe sa kushton të shkosh te ai spital. Pyet kot, sa për ta ditur, se ajo numëron edhe lekët e furgonit.
Çfarë i thotë kjo foto e Milvës, Marjetës? Për çfarë e sensibilizon, për çfarë e ndihmon, përveçse e bën të ndihet e pafuqishme, e pazonja, që s’ka lekë të paguajë për jetën e saj?!
Milva Ikonomi ka qenë Zv. Ministre e Shëndetësisë, është Ministre e Ekonomisë së qeverisë shqiptare, jo menaxhere projekti te privati. Kur shkon të reklamojë, qoftë edhe për kauzë të mirë, një privat, duhet të mendojë edhe për Marjetën e Marjetat që përfaqëson. Ato vërtetë nuk kanë votuar për të, por qeverinë, që ajo përfaqëson, po.
Ndaj Milva Ikonomi, mbase do të duhej ta fuste kokën në kornizë te Onkologjiku, për të sensibilizuar, ndikuar e ndihmuar, atë sektor ku shkon 70 % e shqiptarëve.
Mbase do të duhej të shkojë te “Nënë Tereza” dhe nga pavijonet ku jeta lufton me kancerin, tu drejtohet grave dhe vajzave shqiptare, duke ju thënë: Ejani këtu dhe bëni kontrollin. Ejani këtu dhe mjekohuni! Ejani këtu dhe operohuni! Unë, ministrja juaj, ju jap siguri.
Bëje zonja ministre, bëje edhe për Marjetën që kërkon të jetojë!/dritare.net