Bëje për mua
Nga Ilir Levonja
Të kam shok, jemi shok. Jemi miq, më bë një nder? Ma bëj këtë nder etj? Ndryshe ta bëfsha në kokë. Është tërësisht një politikë e përqendruar brenda saj. Dhe e pa lidhur me realitetin. Dhe nuk ka asnjë dyshim pse sot, Shqipëria është në kulmin e dështimit të saj. Fabrika apo Myzeqeja e hambartë e kanabisit. Është tërësisht përllogaritje aleancash deri në një çmenduri pushteti. Si e si të dërrmojmë sa të mundim kundërshtarin. Kjo kuptohet lehtësisht derisa, opozita mbron vetveten. Denoncon me propagandë. Një realitet që sado i frikshëm prej saj. Nuk e beson populli. Dhe pozita që demonstron luftën e ashpër demaskuese të ishëve. Realiteti nuk është asgjë tjetër një mburrje. Një aleancë shokësh. Një ndjesi krahinore. Aq sa nuk ka se si shpjegohet ndryshe, përshembull qytete si Poliçani. Krahinë kaq e vlertë voton gjithmonë një emër. Edhe pse ky është herë socialdemokrat, herë minoritar grek, herë socialist, herë demokratë, herë-herë… Një Zot e di se çfarë.?
Megjithatë, sipas shoqnisë. Ti do e bësh për mua? Dhe shqiptari e bën.
Nga ana tjetër. Realiteti i shoqnisë është ky. Shoqnisë qeveritare. Kërkujt se i ka rënë rruga të shohë përshembull lumin e Vlorës. Se si jetojnë ata njerëz? Kërkujt se i bie rruga të shoh thepinat e Dukagjinit. Të shoh se si jetojnë ata njerëz? Kërkujt se i ka rënë rruga të shoh thatinat e gurta me bar të çmuar, përshembull midis Mezhgoranit, Përroin e Gani Lekdushit apo Përroin e Mogilëve. Kurveleshin etj. Vende që sekuencat e lajmeve po na i sjellin ditë më ditë. Si suksesin e korrjeve dhe shirjes. Të shoh se si mbytet nga vetmia. Nga braktisja dhe mjerimi në diell e në të ftohtë. Nga këmbët e zbythura drejt Greqisë dhe Italisë, Gjermanisë apo edhe gjetkë. Krahinat për të cilat shoqëria mburret. Mburren në bulevardin e Tiranës. Mburren dhe rrahin gjoksin. Madje thellojnë dhe kërcënojnë me aleanca të forta karshi njëri-tjetrit. Të gjithë në emrin e patriotit. I keni dëgjuar të thonë, është nga anët tona ai, jepi pozitë. Jepi diçka se na duhet. I takon. Ndaj kur shullehen në plazhet e Vlorës, Sar2andës, Durrësit, Patokut, …. Velipojës. Shto edhe Ulqinin Malin e Zi, Kroacinë. Shto edhe Bora Borën e Turqisë etj….. mburren për prejardhjen e krahninave. Dhe shoqnisë.
Në fakt zonat në fjalë janë të sikterisura. Kanë qenë dikur fronti i ashpër i luftës, i internimeve, i reaksionit. Janë krejtësisht të braktisura. Të trajtuara me konsideratë vetëm nëpër tavolinat me meze klasike. Tabela reklamash restorantesh. Fabrikash që janë pronë e shoqnisë. Nën avujt e shoqnisë. Duket sikur i përkasin teatrit. Një lloj dëshire për t'i mbajtur me qejf krejt të pazhvilluara. Akoma me ura pasarelë. Me rrugë zhavorri fushatash. Me energji kandili. Me shkolla ku ecet më këmbë. Edhe pse çantat e shpinës janë me figurina kapitalizmi. Me familjarë që presin një pension shtetëror për vëllain, a babain e vrarë në një protestë shoqnie. Njësoj, ashtu si kolonelit të Markesit dikur. Në rrethinat e Aracatas në Kolumbi. Pyetjes se përse nuk shkruajti edhe më për kolonelin, luftërat e tij, apo gjyshin e tij. Shkrimtari iu përgjigj. Midis jetës së gjyshit dhe gjyshes unë zgjodha këtë të dytën. Pasi ajo e kolonelit ishte plot luftra, vrasje dhe dhunë. Kurse bota e përrallave të gjyshes, plot me dritë.
Me sa duket, shoqnia shqiptare ka zgjedhur botën e gjyshërve. Por më me forcë. Më me ashpërsi. Më me ndere kokë për kokë. Ndaj sot rezultojnë një hambar i prodhimit të parasë. Ndërsa burrat e karrierës mburren me krahinat e tyre. Ata mbetacakër atje, andej…, që ruajnë si zogj korenti, bimëzat magjike. U sajojnë shtëpiza me mushama. U sajojnë siguri nëpër katuat e braktisura. Nëpër vathët e gjësë së gjallë. Zgërbonjave nëpër përrenjtë e kaçakëve, shpellave historike. Pak dritëz mbi to. Vidh një bateri makine. Të sajojmë dritë. Na mbron partia jonë. Përse i votuam. Le ta bëjnë një sy qorr. A nuk e bëri Berisha me Lazaratin?
Nuk e di se çfarë po ndodh në Dragobi. Por mos u habisni kur nesër të dali ndonjë titull gazete. Se bash në shpellën e bacë Bajramit u shkulën kaq apo rrënjë kanabis sativa. Dhe sigurisht policia e shoqnisë, do e demaskojë si arritje.