Ben Blushi, me gjashtë propozime për qeverinë
Gjatë muajit të fundit Ben Blushi është përfshirë në një debat të fortë për cilësinë e qeverisjes. Ai është shprehur se ‘Rilindja’ është kthyer në një parti brenda PS, duke i rrëmbyer asaj pushtetin dhe duke i deformuar programin qeverisës. Mënyra se si është qeverisur, thotë Blushi, ka rritur varfërinë, ka shtuar polarizimin, ka shtuar papunësinë dhe ka detyruar shumë shqiptarë të braktisin vendin. Vetëm gjatë vitit 2014 kemi humbur një qytet si Pogradeci, apo afro 46 mijë vetë, ndërsa në tre muajt e fundit, sipas ambasadorit gjerman, 600 shqiptarë kanë lënë Shqipërinë çdo ditë. Për pasojë, sipas Blushit, qeveria e Rilindjes sot ka mbështetje të kufizuar, jo vetëm nga PS, por edhe nga shqiptarët në përgjithësi. Por, përveçse ka kritikuar, Ben Blushi ka bërë edhe disa propozime për uljen e varfërisë, për mbështetjen e shtresave të varfra për inkurajimin e shtresës së mesme si dhe për një revolucion në Arsim, të cilën e ka konsideruar një reformë ekonomike. Duhet të mësojmë të bashkëjetojmë me të varfrit, në parlament, si e vetmja mundësi për të ulur polarizimin dhe për të nxjerrë shumë shqiptarë nga mjerimi dhe nevoja për braktisjen e vendit. “Unë mendoj se nuk kemi bërë sa duhet për të luftuar varfërinë. Varfëria është kërcënimi më i madh që kemi sot. Asnjë ushtri, asnjë epidemi, asnjë ideologji dhe asnjë fuqi, as turqit, as grekët, as rusët as kinezët dhe as gjermanët nuk na rrezikojnë sot më shumë se varfëria dhe injoranca që pjell ajo”, ka thënë Blushi në parlament. Por një pjesë e propozimeve të Ben Blushit kanë të bëjnë me nevojën për të ndryshuar Arsimin dhe dijen në Shqipëri, për të cilën ai thotë se është bërë shumë pak në vitet e fundit. Nëse investojmë në Arsim do të kemi ekonomi më të fortë dhe më shumë vende pune pas disa vitesh, Megjithatë sugjerimet për ndryshim në programin qeverisës janë këto:
PAKETA E DINJITETIT
Një paketë dinjiteti për të varfrit, e cila duhet të marrë përsipër pagesën nga shteti, pra falas, të minimumit të energjisë elektrike për të gjithë ata që jetojnë me ndihmë ekonomike. Kjo paketë dinjiteti nënkupton furnizimin falas për shtresat në nevojë, që llogariten në afro 100 mijë familje, apo 400 mijë qytetarë që jetojnë me më pak se 40 euro në muaj, ose rreth 400 lekë të vjetra për person në ditë. Atyre duhet t’u sigurohet nga shteti ndriçimi, ngrohja dhe konsumi i televizorit. Po ashtu, paketa e dinjitetit duhet të përfshijë edhe librat falas për fëmijët, kaloritë e nevojshme dhe vaksinimi falas, sepse, analfabetizmi dhe sëmundjet e të varfërve i kushtojnë shoqërisë dhe sëmundjet e të varfërve i kushtojnë shoqërisë disa herë më shtrenjtë, nëse nuk kurohen. Paketa e dinjitetit po ashtu parashikon dyfishimin e menjëhershëm të ndihmës ekonomike për të varfrit në jo më pak se 100 mijë lekë të vjetra, para të cilat sërish shteti do t’i përfitojë në formë taksash mbi qarkullimin e mallrave, pasi këto para do të shtojnë konsumin, i cili në vitin e fundit ka rënë me gati 20 %, duke e vënë në vështirësi ekonominë shqiptare.
RRITJA E PAGËS MINIMALE
Propozimi tjetër i Ben Blushit, në parlament është rritja e pagës minimale, ose dyfishimi i saj. Shqipëria është sot vendi që paguan më pak për orë pune në Evropë. Pagesat e ulëta të punës nuk kanë ndikuar aspak në rritjen e investimeve të huaja, të cilat janë reduktuar ndjeshëm dhe sot Shqipëria përfiton investime të huaja direkte më pak se të gjitha vendet e rajonit. Dyfishimi i pagës minimale do t’i detyrojë punëtorët e Shqipërisë të shtojnë nivelin e tyre të jetesës si dhe do të rritë taksat për buxhetin e shtetit. Fasonizimi i ekonomisë shqiptare, sipas Ben Blushit, nuk është politika e duhur, sepse fasonizimi është një skllavërim që i detyron shqiptarët të punojnë nën kushtet minimale të dinjitetit njerëzor.
MBËSHTETJE E SHTRESËS SË MESME
Propozimi i tretë i Ben Blushit, parashikon mbështetjen për shtresën e mesme, të cilën Rilindja e ka tradhtuar me ardhjen në pushtet. Blushi thotë se sot në Shqipëri një punonjës banke tatohet më shumë se pronari i bankës. Një gazetar paguan më shumë taksë se botuesi i tij. Një profesionist që punon në një biznes privat si administrator taksohet shumë më shumë se pronari i kompanisë. Pra një njeri i arsimuar, i cili fiton 1000 euro, paguan më shumë taksë se dikush që fiton 1 milion euro. Respektivisht ai që e ka rrogën mbi 1000 euro paguan 23 % takes ndërsa ai që fiton 1 milion euro taksohet 15 %. Sipas Blushit, ky është një deformim progresiv i taksës progresive. Ne nuk mund të taksojmë më shumë mendjen se kapitalin, thotë Blushi, sepse përgjatë historisë kemi vuajtur më shumë se kushdo nga mungesa dhe eksodi i mendjes, siç po ndodh edhe sot. Mbështetja për shtresat e mesme, që janë baza e harmonisë shoqërore, do ndihmonte ekonominë, duke inkurajuar shumë të rinj që diplomohen dhe nuk gjejnë mundësi për të jetuar normalisht në Shqipëri. Ndryshimi i taksave për shtresat e mesme të shkolluara do nxiste shumë të rinj të rikthehen në Shqipëri, sepse vendi nuk ka luksin të humbasë afro 5000 fëmijë që shkollohen jashtë çdo vit, nga të cilët më pak se 20 % kthehen të punojnë këtu.
REVOLUCIONI NË ARSIM
Propozimi i katërt i Ben Blushit, ka të bëjë me nevojën për një revolucion në Arsim. Arsimi duhet konsideruar si ekonomi. Vetëm përmes ndryshimit në Arsim do mund të jemi konkurrues në rajon që sot investon pa përjashtim më shumë se ne në shkolla. Çdo vend i rajonit investon më shumë se 4 deri 5 % të buxhetit në Arsim, ndërsa ne afro 3 %. Sot katër fëmijë në dhjetë nuk shkojnë në shkollë të mesme. Blushi propozon që cikli i mesëm, pra gjimnazi në Shqipëri të bëhet i detyrueshëm. Detyrimi për të ndjekur shkollat do rritë cilësinë e dijes për shtresat e varfra dhe do ta bëjë shoqërinë më të arsimuar dhe më të kulturuar. Në këtë mënyrë shumë fëmijë do shkojnë në shkollë duke mos marrë rrugë të gabuara në mosha të vogla për shkak se shteti i braktis, ndërsa familjet nuk kanë mundësi të përballojnë shkollimin e tyre. Arsimi i mesëm e i detyrueshëm është i detyrueshëm, sipas Blushit, në kushte kur papunësia tek ne është shumë e lartë dhe nuk kemi nevojë t’i nxjerrim fëmijët nga shkollat shumë shpejt për t’i përdorur si krah pune. Më mirë t’i mbajmë fëmijët në shkollë se në rrugë, thotë Blushi.
DECENTRALIZIMI NË ARSIM
Propozimi i pestë i Blushit ka të bëjë me decentralizimin në Arsim. Blushi thotë se Ministria e Arsimit duhet të merret me politika dhe programe dhe jo me emërime. Sipas tij ka ardhur koha edhe pas reformës territoriale që emërimet në arsim, pra mësuesit, të caktohen nga 61 bashkitë e reja dhe jo nga Ministria e Arsimit, e cila duhet të përcaktojë kriteret që pushteti lokal duhet t’i ketë detyruese. Ministria e Arsmit sot konsumon gati 50% të kohës, energjive dhe burimeve njerëzore me emërime, çka e ka kthyer atë në një dispeçeri politike. Decentralizimi i emërimeve në Arsim është një mënyrë për të depolitizuar Arsimin dhe mësuesit që është plaga më e madhe e shkollave tona. Sipas tij, nëse shkolla politizohet, sepse mësuesit bëhen pjesë e komisioneve zgjedhore, shkolla vdes, sepse në këtë mënyrë mësuesit do të emërohen sipas kritereve politike dhe jo atyre profesionale. Nëse ka një nen të domosdoshëm në Kodin Zgjedhor, thotë Ben Blushi, është pikërisht pengimi i partive për të emëruar mësuesit si komisionarë elektorale. Sipas tij, është e domosdoshme të krijohet Urdhri i Mësuesit, i cili i mbron mësuesit nga partitë dhe nga mediokriteti në bazë të pikëve dhe meritës.
SHKOLLAT PROFESIONALE NËN VARËSINË E MAS
Propozimi i gjashtë i Ben Blushit, lidhet me shkollat profesionale. Ai parashikon kthimin e shkollave profesionale me Ministrinë e Arsmit, pasi, kalimi i tyre në Ministrinë e Mirëqenies ishte i padobishëm dhe absurd. Ky kalim nuk e rriti numrin e nxënësve në shkollat profesionale, por përkundrazi e ka ulur atë me afro 15 % për një vit. Të nxjerrësh shkollat profesionale nga Ministria e Arsimit është njëlloj si të administrosh ushtrinë përmes Ministrisë së Kulturës, të çosh teatrot në Ministrinë e Bujqësisë dhe të çosh teatrot në Ministrinë e Bujqësisë dhe të dërgosh kontrollin e gjykatave nga Ministria e Drejtësisë në Ministrinë e Transportit. Sistemi arsimor është dhe duhet të jetë një sistem unitar. Ky eksperiment me shkollat, sipas Blushit, ishte i papërgjegjshëm. Po ashtu, Blushi propozon që shkollat profesionale të ngrihen në një nivel më të lartë, diçka mes gjimnazit dhe universistetit, duke i dhënë atyre një status tjetër. Nxënësit që shkojne në shkolla profesionale sot janë shumë të vegjël për të marrë një zanat prandaj ata duhet të shkojnë në shkolla profesionale pas mbarimit të shkollës së mesme, që do duhet të kthehet në një detyrim. Këto janë disa nga propozimet që deputeti Ben Blushi, i ka bërë për përmirësimin e cilësisë së qeverisjes në parlament dhe që nuk duhet të anashkalohen dhe shpërfillen nga kjo maxhorancë