Ben Blushi sulmon PD për 21 janarin
“Ju nuk ndaheni nga norma kanunore, do vrisni prapë sepse askush ndër ju, dhe kjo me habit, nuk është ngritur të thotë që në 14 shtator dhe në 21 janar në të dyja rastet keni qënë në anën e gabuar të historisë”
Deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi ka sulmuar ashpër Partinë Demokratike për qëndrimin e saj për vrasjet e 21 janarit 2011. Në fjalimin e mbajtur dje në Kuvend, Blushi u shpreh se asnjë nga drejtuesit dhe deputetët e PD-së nuk pranonte se vrasjet e pesë viteve më parë ishin një gabim i pafalshëm, ishin një krim. Për Blen Blushin ka një të përbashkët mes 14 shtatorit të vitit 1998 dhe 21 janarit të vitit 2011. Në të dyja rastet armët janë përdorur nga Partia Demokratike. Në vitin ’98 për të marrë pushtetin dhe në vitin 2011 për të mbrojtur pushtetin dukë lënë pas viktima. Kjo sipas tij ka një përgjigje dhe lidhet me faktin se PD-ja funksionon në bazë të kanunit dhe jo në bazë të ligjeve.
Por dëmi që i është shkaktuar vendit dhe shoqërisë shqiptare, sipas Blushit, është më i madh sesa ajo çfarë ndodhi në datën 21 janar të vitit 2011. Ai u shpreh se duke vrarë 4 persona, PD-ja vrau frymën e protestës në vend. Blushi u shpreh se sot qytetarët nuk tremben kur reagojnë ndaj qeverisë në Turqi, Maqedoni apo Bullgari, ndërsa në Shqipëri kanë frikë të dalin në protestë pikërisht për shkak të asaj që bëri PD-ja pesë vjet më parë.
Ndërsa ka shtuar se katër viktimat që më 21 janar protestonin kundër qeverisë “Berisha”, sot mund të ishin në protestë kundër korrupsionit, koncesionevee, ligjit të arsimit dhe varfërisë. “Ata të katër nuk janë më. Sepse ata janë vrarë. Shqipëria nuk humbi vetëm katër burra, ajo humbi forcën për të kundërshtuar dhe kjo është edhe më e rëndë se vrasja e katër burrave”,- tha Blushi.
Por teksa ka siluruar Partinë Demokratike, Blushi ka shtuar se vrasja e katër qytetarëve në bulevard i ka sjellë një dëme tjetër të madh shoqërisë shqiptare. Dhuna e PD në pushtet ka bërë që 21 janari të shihet si një datë aleate për çdo qeveri, të çdo krahu politikë, pasi pas vrasjeve kundërshtarët e pushtetit janë pakësuar.
Në fjalën e tij Blushi u shpreh se nuk mendonte se do të ketë drejtësi për këtë ngjarje. “Më 21 janar kanë fituar qeveritë mbi popullin dhe prandaj mendoj se nuk do ketë drejtësi për 21 janarin, fatkeqësisht. Sepse popujt nuk i fitojnë dot gjyqet me qeveritë. Të paktën në Shqipëri ende jo”,- u shpreh dje Blushi
Fjalimi i plotë i deputetit Ben Blushi në Kuvend
Jam i shokuar sot nga ç’ka dëgjova për 21 janarin dhe mendoj se si do të mbrohesha vetë nëse do më duhet të mbrohesha për një apo disa vrasje. Ajo që u tha sot ishte se pushteti nuk merret me dhunë dhe që pushteti të mos merret me dhunë ai duhet mbrojtur me armë.
Unë them se është ndryshe. Pushteti mbrohet me armë kur sulmohet me armë. Në 21 janar të vitit 2011 kjo nuk ndodhi. Pushteti nuk u sulmua me armë dhe nuk kish pse të mbrohej me armë. Megjithatë ata që mbrojtën sot 21 janarin thonë se pushteti mbrohet me armë.
Po çështja është kush e thotë këtë? Kush thotë se pushteti nuk merret me armë? Janë ëngjej që dolën nga librat e demokracisë së botës dhe zbriten në parlament për të na bërë moral? Janë pacifistë, budistë, gandistë, rugovistë, janë murgj kineze apo priftërinj katolikë shqiptarë të dhunuar në shejtninë e tyre? Jo janë politikanë shqiptarë.
Në 20 vitet e fundit më ka rastisur të shoh dy herë të shtëna armesh në bulevard. Herën e parë kam qenë brenda Kryeministrisë dhe herën e dytë jashtë Kryeministrisë. Hera e parë ishte 14 shtatori i vitit 1998 dhe hera e dytë 21 janari i vitit 2011. Në shtator 1998 Kryeministria u sulmua me armë. Qeveria doli që andej për të mos vrarë ata që e qëllonin. Për fat të mirë në ndërgjegjen tonë, që ishim atë ditë aty , nuk rendon asnjë vrasje.
Më mirë të linim zyrat bosh apo arkivolet bosh? Ne bëmë këtë zgjedhje dhe besoj se nuk e patëm gabim. Qeveria u zbraz dhe arkivolet nuk u mbushën. Ata që qëlluan donin të merrnin pushtetin me dhunë dhe për gati 10 orë e morën. Kryeministrinë dhe Televizionin Shtetëror. I pushtuan.
Unë i pyes sot, çfarë ishte kjo? Ishte një grusht shteti me armë me tanke dhe me kallashe. A u sulmua qeveria më armë në 14 shtator 1998? Nuk besoj se ka njerëz në PD që e kundërshtojnë këtë. Atëherë pyetja është me kë jeni ju, me 21 janarin apo me 14 shtatorin? Sepse është e pamundur të jesh me të dyja. Është e pamundur të jesh edhe me armën, edhe me viktimën, edhe me të zezën edhe me të bardhën, edhe me paqen edhe me luftën. Vjen një dite kur duhet të zgjedhësh? Me kë jeni ju sot? Të dyja nuk mund të jenë të vërteta. Ose qëndron 14 shatori ose qëndron 21 janari. Unë them se pacifistët kanë të drejtë të jenë kundër jush edhe në 14 shator , edhe në 21 janar. Pacifistët do kishin të drejtë në të dyja rastet, kurse ju e keni gabim në të dyja. Edhe në shtator 98, edhe në janar 2011.
E dini pse? Sepse në të dyja raste armët ishin në dorën tuaj. Po si ka mundësi që gjithmonë armët janë në një dorë? Si ka mundësi që edhe kur jeni në pakicë, edhe kur jeni në pushtet ju reagoni me armë? Unë besoj se e kam një përgjigje. E keni ndërtuar normën politike jo mbi ligj, por mbi kanun. Ligji nuk e njeh vetëgjyqësinë, kanuni e inkurajon. Kjo është ajo që keni bërë për 20 vjet. Ndërtuat një parti kanunore që nuk ka më aftësinë të ndajë ligjin nga dhuna, të drejtën nga brutaliteti, mbrojtjen e ligjshme nga sulmi.
Në 21 janar ju vratë. Në 14 shtator tentuat të vrisnit. Nëse nuk ndaheni nga norma kanunore, do vrisni prapë sepse askush ndër ju, dhe kjo me habit, nuk është ngritur të thotë që në 14 shtator dhe në 21 janar në të dyja rastet keni qënë në anën e gabuar të historisë.
Ajo që më habit është se si nuk ka njeri ndër ju që ta bëjë këtë diferencë. Na kundërshtoni ne për taksat, për koncesionet për arsimin, për korrupsion, për rendin dhe për shëndetësinë, por mos merrni armët për të na bindur se keni të drejtë. Atë ditë do jeni një parti e çliruar nga kanuni dhe e mbrojtur nga ligji.
Kjo është çështja. Duke mos pranuar se i keni vrarë kur nuk duhej, ju i keni vrarë dy herë, Ziverin, Hekuranin, Aleksin dhe Faikun. Por nuk është vetëm kaq dhe ky dëm që i keni bërë trupës reaguese në këtë vend është disa fish më i madh.
Ju keni ngjallur dyshimi se në këtë vend qeveria të vret nëse e kundërshton. Këtë frikë nuk e ka sot një gjerman, nuk e ka një grek, nuk e ka një maqedon, nuk e ka një bullgar, nuk e ka një turk, por sigurisht që e ka një shqiptar. Për shkak të 21 janarit.
Ata të katër u vranë pa shkak, por e keni pyetur veten se çdo bënin nëse do ishin gjallë? Unë mendoj se e di. Ata nuk janë më, por arsyet se pse ata dolën në protestë janë aty. Nëse nuk do iknin në emigracion, Ziveri, Faiku Aleksi dhe Hekurani mund te dilnin serish në protestë kundër varfërisë. Nuk dalin dot se janë vrarë. Nëse do ishin gjallë ata të katër mund te dilnin sërish në rrugë kundër korrupsionit dhe koncesioneve. Nuk dalin dot se janë vrarë.
Ata mund të dilnin serish në protestë me fëmijët e tyre studentë kundër ligjit të arsimit të lartë. Nuk dalin dot se janë vrarë. Mund të dilnin në proteste se përmbyteshin çdo vit, se nuk merrnin shërbimet e duhura, se nuk ndërtonin dot, se nuk paguanin dot ilaçet me pensionet dhe rrogat e tyre mirezabel, por ata nuk dalin dot. E dini pse? Se janë të vrarë, të kallur dhe të mbytyr në dhe.
Ata nuk janë më. Dhe bashke me ta edhe fryma protestuese e këtij vendi e cila nga 21 janari është e ndrydhur, e dobësuar e lemerisur, e braktisur, e dhunuar dhe e linçuar. Ata të katër nuk janë më. Sepse ata janë vrarë. Shqipëria nuk humbi vetëm katër burra, ajo humbi forcën për të kundërshtuar dhe kjo është edhe më e rëndë se vrasja e katër burrave.
Në këtë kuptim unë them se 21 janari nuk është vetëm kaq sa themi ne. Ai nuk është një vrasje. Me 21 janarin e vitit 2011 ne kemi shkurtuar numrin e kundërshtarëve të çdo qeverie, të çdo mjerimi dhe të çdo abuzimi.
Duke i vrarë Ju e keni kthyer 21 janarin në një date aleate të çdo qeverie. Sepse në 21 janar kanë fituar qeveritë mbi popullin dhe prandaj mendoj se nuk do ketë drejtësi për 21 janarin, fatkeqësisht. Sepse popujt nuk i fitojnë dot gjyqet me qeveritë. Të paktën në Shqipëri ende jo.