Berisha humbet ”vulën” nga Londra
Nga: Redjon Shtylla
Marrja e vulës së PD-së pas një beteje 3-vjeçare, për Sali Berishën është si kafeja turke, që e shijoi derisa preku llumin. Vula nuk e gëzoi shumë, pasi lideri i demokratëve mori një lajm të keq. Ai do të vijojë ta ketë të pamundur hyrjen në Britaninë e Madhe. Ish-presidenti dhe ish-kryeministri e humbi apelin në “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit” në Londër.
Berisha me marrjen e simboleve të PD-së u bërë praktikisht udhëheqës i padiskutueshëm i opozitës së djathtë në Shqipëri, por këtë fat nuk e pati në Mbretërinë e Bashkuar, ku Komisioni i Posaçëm i Apelit për Imigrimin konsideroi vendimin që e shpall atë si të korruptuar të drejtë dhe të mbështetur në informacione të besueshme.
Avokatët e Berishës tentuan, por pa sukses të rrëzojnë në këtë komision, dosjen britanike që e shpalli “non grata” më 19 korrik 2022. Sipas britanikëve, ish-kryeministri ishte i përfshirë në korrupsion, ndërhyri në punët e drejtësisë dhe se kishte lidhje me krimin e organizuar. ”E gjejmë të pavend aplikimin e formulës të imunitetit si ish-kreu i një shteti i aplikuar në këtë apel. Për këtë arsye dhe të tjera të trajtuara në sesionin e mbyllur kundërshtia e zotit Berisha për ti ndaluar hyrje në Britaninë e Madhe rrëzohet”,-thuhet në vendim.
Sigurisht që rikthimi i vulës nuk do të thotë që tashmë Berisha do të ketë mbështetjen nga Amerika dhe Britania, por kjo tregon se ndërkombëtarët vijojnë që të jenë të palëkundur, që Berishën e kanë ”non-grata”. Vendimi i Gjykatës së Apelit të Londrës nuk duket thjesht një akt juridik. Ngjan më shumë me një sinjal ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit të Tiranës, që i dha vulën e PD-së Sali Berishës.
Pas këtij vendimi, Berisha do të vijojë ta ketë të pamundur hyrjen në këtë vend. Arsyet e këtij vendimi janë nga korrupsioni, tek ndërhyrjet në zgjedhje si edhe tek hetimi për Fazlliç. Berisha përmes një deklarate për mediat thotë se rruga e drejtësisë që do të vazhdojë do t’i shërbejë të vërtetës dhe do të godasë në mënyrë të merituar korrupsionin transnacional.
Nga ana tjetër, Berisha është shprehur edhe se ka bërë padi në gjykatat franceze edhe për shpalljen ”non-grata” nga SHBA, por nga ajo kohë nuk ka më të dhëna për gjendjen e procesit. Ai ndodhet në arrest shtëpiak që prej dhjetorit 2023. Ndaj tij ka një hetim në vazhdim për korrupsion.
Vula britanike erdhi menjëherë si një shigjetë dhe kjo të çon në mendimin që Perëndimi e di ekzaktësisht që vula e PD-së do të shkonte tek Berisha. Vendimi sigursht që përkthehet në një zhvillim të fortë ndërkombëtar, që lidhet edhe me mandatin e Sali Berishës si deputet, pasi është në orët e fundit që ti digjet nga mungesa 6-mujore në Parlament.
Duke parë që Britania e Madhe nuk i dha vulën jeshile Berishës, Parlamenti si do të veprojë, do të djegë mandatin e Berishës sipas ligjeve, apo do të lejojë që të mbajë mandatin, edhe pse ka 6 muaj në izolim në banesë dhe nuk e ka ushtruar detyrën në Kuvendin e Shqipërisë?