Berisha këmbëngul tek modeli i tij

Nga Mero Baze

Duket se Sali Berisha nuk e pranoi atë që ndodhi ditën e enjte në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Mitingu që sipas tij do përmbyste qeverinë dhe do dridhte themelet e mazhorancës, arriti të ishte një demonstrim paqësor, ku më shumë prodhoi lajm fakti që Basha ja doli t’ia heqë mitingun nga duart Berishës, se sa fakti që Basha qëlloi me shpulla qeverinë.

Debatet që pasuan mitingun ishin pa shumë vlerë, sidomos ajo për numrin e protestuesve, pasi pjesmarrja në një miting është gjithmonë e dënuar të ulet nëse organizatorët betohen se nuk mbajnë përgjegjësi se çdo ndodh me popullin që do hyjë në Kuvend apo qeveri. Paloka dhe Ristani si ushqyesit kryesorë të kësaj fushate me dhunë, janë të pafajshëm, pasi transmetuan publikisht atë që donte Berisha.

Fill pas kësaj Berisha i ka diktuar të premten Aktivit të PD, të deklarojë se do të ketë protesta çdo të enjte, duke rrethuar parlamentin.

Vendimi duket më shumë një mospranim i faktit që ai nuk u pyet të enjten që kaloi, se sa një vizion se ç’duhet bërë të enjteve që vijnë.

Rrethimi i përjavshëm i Kuvendit nga militantë anonimë, ka të mirë faktin që nuk flitet më për numra, dhe nuk është më as protestë popullore, por një protestë partiake. Si e tillë ajo është e rrezikuar të degjenerojë në dhunë, ose provokime të dyanshme, dhe pse jo në krehje të militantëve të PD nga policia para zgjedhjeve.

Vendimi është pozitiv vetëm për faktin që Berisha nuk e pranon dot të mos pyetet dhe të mos i shkojë fjala në këtë histori. Për të tjerat nuk ka asnjë vlerë, përkundrazi i shërben shumicës për t’u rimobilizuar para zgjedhjeve, duke u përballur me një politikë të vjetër që u kujton vetëm Berishën. Në këtë krizë që është shumica me elektoratin e vet, i vetmi aset politik i tyre është Berisha, që ua mban njerëzit të bashkuar. Dhe në këtë pikë ata janë komodë, sidomos me një protestë shpërndarë në pemët para lulishtes së Kuvendit.

Një parti politike nuk tremb dot kundërshtarët me gjeste politike që kufizohen tek militantë të saj, qofshin këta dhe të egër apo të dhunshëm. Një parti politike tremb kundërshtarin, kur kalon masën kritike të mbështetjes në popull dhe demonstron qetësi dhe siguri në atë që bën.

Kjo që Berisha bën, më shumë se sa kundër Edi Ramës është kundër përpjekjeve të Bashës dhe të tjerëve aty që e shtynë protestën drejt bulevardit dhe arritën të ruajnë qetësinë, duke dhënë shembull qytetarie në emër të opozitës. Një miting i tillë si ai mund të prodhojë në të ardhmen një miting më të madh. Por, një vendim për t’i hequr njerëzit zvarrë në lulishtet e Kuvendit, e kufizon PD tek dega e Kamzës, duke i harxhuar Mziut dhe paratë e fundit që i kanë ngel për fushatë.

Nuk jam i sigurt sa do arrijë ta mbajë PD këtë vlag proteste me militantë, por e sigurt është se ajo është një harxhim energjish, financash dhe idesh vetëm për shkak të Berishës.

E bërë dhe në prag të fushatës, ajo është thjesht një kujtesë gratis për mbështetësit e Ramës dhe Metës, se nuk keni punë me Bashën përballë, por me Berishën. Dhe kjo nuk është pak në këto kohë, kur ata i kanë ende njerëzit pa punë dhe pa shumë entuziasëm nga pas 23 qershori.

Pas këmbënguljes së përditshme të Berishës që Basha të kandidojë për Tiranën dhe pas indiferencës së Bashës që bën sikur nuk dëgjon, kjo është lëvizja e dytë që Berisha po tenton t’i imponojë atij, për ta vënë në provë para militantëve. Dhe siç thotë një i afërm i Bashës, ai është si ai kryeguzhineri kinez në anije, që kapiteni e shan çdo ditë para marinarëve dhe ekuipazhit, por ai fshih pështymën kthehet në guzhinë, u bën shurrën në gjellë dhe ua jep.

Gazeta Tema

SHKARKO APP