Berisha nervoz me OSBE-në apo Bashën?

Nga Mero Baze

Nëse doni të kuptoni dëmin real që ka bërë puna e përciptë dhe pa asnjë profesionalizëm e OSBE-së në Tiranë, shihni reagimin e Sali Berishës. Duke përdorur faktin, që raporti i OSBE-së është një grumbull ngjarjesh të lexuara ku ka plot të vërteta dhe plot gënjeshtra, Sali Berisha ka shfrytëzuar këtë moment për të mbrojtur familjen e tij nga akuzat.

Në fakt me atë raport banal nuk do t’ia vlente të merrej as Berisha, por duket se ai është më i zellshmi për tu mbrojtur nga opozita. Kjo duket nga fakti se ai ndihet i vetmuar nga “djemtë” e tij të adaptuar të opozitës në këto akuza si Basha dhe Mehdiu dhe ndihet i fyer që OSBE-ja është selektive duke u marrë vetëm me atë dhe fëmijët e tij dhe jo me Mediun dhe Bashën.

Fjala vjen, faktet e botuara në shtyp, siç është vendimi i Gjykatës së Apelit në Itali, që dënon Fatmir Mediun me katër vjet burg si favorizues trafikantësh nuk e përmend. Gjyqin e mbyllur të tij për Gërdecin me procedurë nuk e përmend. Gjyqin e mbyllur me procedurë për Lulzim Bashën nuk e përmend…Kurse Berishës i përmend boll gjëra të vërteta, të thëna për të, mes tyre dhe plot gënjeshtra të thëna për të, si për të gjithë.

Sali Berisha nuk do të kishte nevojë të merrej me raportin e OSBE-së për tu larë nga akuzat, jo vetëm për vulgaritetin e tyre, por dhe për shanset që ka djegur për tu hetuar nga drejtësia. Ai ka së paku tre raste kur ka shmangur shkuarjen para drejtësisë, të djalit, të vajzës dhe të vetes.

 

E para është për djalin e tij. Në historinë e Gërdecit ku vdiq baxhanaku i Berishës dhe ku djali i tij ka lobuar për kontratën e kompanisë së Delijorgjit, ka disa fakte pikante. Aldo Bumçi, ish- Ministër i Drejtësisë i ka nisur një faks për dijeni Shkëlzen Berishës, ku e njoftonte për miratimin nga ana e Ministrisë së tij të procedurës për kontratën që do lidhej. Faksi është botuar në shtyp dhe ish-sekretarja e ministrit Bumçi ka pranuar para Prokurorisë se ajo ka dërguar faksin, pasi Shkëlzeni vizitoi dy herë zyrën e ministrit për këtë punë. Ajo dëshmon se faksi u dërgua pikërisht për Shkëlzen Berishën.

Nga ana tjetër, gjysmë ore pas shpërthimit në Gërdec, biznesmeni përgjegjës, Mihal Delijorgji ka bërë dy telefonata, me gruan dhe Kunatin që kishte administrator dhe pastaj ka folur 25 minuta me Shkëlzen Berishën.

Për gjithë këto fakte, që të çojnë se Shkëlzeni ishte njeriu kryesor që bëri Gërdecin, përveç dëshmive gojore të njerëzve në atë biznes, Sali Berisha jo vetëm nuk lejoi që i biri së paku të pyetej nga Prokuroria, por i shpalli luftë Ina Ramës, duke e ndryshuar përshtypjen për të nga Silvia Konti, në lavire bulevardi.

E bija e tij doli në dritë për veprimtari korruptive, kur Damir Fazlliçi përmes një shitje fiktive të tokës në Porto Romano, i kaloi vetes 1.7 milionë euro, por në autorizmin që kishte lëshuar për studion Malltezi, kishte të drejta të plota për transferim pronësie lekësh dhe veprime të tjera. Në dy banka shqiptare studioja Malltezi ka tërhequr lekë kesh nga llogaria e kësaj kompanie. Gjyqi i nisur ndaj Fazlliçit për pastrim parash në këtë rast, që implikonte studion e vajzës së Berishës u ndërpre nga Dritan Broci, pasi “u vonuan” letërporositë nga Qipro, ndërsa e bija nuk u thirrë kurrë as për tu pyetur. Në një rast të dytë të rëndë, gazeta TemA botoi korrespodencën e plotë të Argita Berishës me një investitor pakistanez, të cilit ajo i kërkonte 3 përqind “success  fee” për konsulencën ligjore, nëse babai i saj kryeministër firmoste koncesionin për 100 milionë dollarë. Biznesmeni e pranoi publikisht korrespodencën dhe ofertën korruptive, por e bija e Sali Berishës nuk shkoi kurrë para një prokurori.

Vet Sali Berisha mori përsipër vrasjen e katër qytetarëve më 21 Janar, shpalli katër gazetarë puçist, mes tyre dhe mua, kërkoi që ne të dëshmonin për puçin, por ai vet nuk denjoi të shkonte të dëshmonte për vrasjet. Ai u mbrojt politikisht, duke thënë se ishte një puç shteti, por kur drejtësia provoi se nuk ishte grusht shteti dhe alibia e tij ra, ai nuk u thirrë kurrë deri më sot të dëshmojë si i vrau dhe pse i vrau për pushtet katër qytetarët.

Unë shpresoj se ky i fundit është krim që nuk parashkruhet dhe ai ndoshta një ditë dhe me barrela do të shkojë në gjykatë, por krimet dhe korrupsioni i fëmijëve të tij po varroset pak nga pak, për shkak të kontrollit të tij mbi drejtësinë dhe partinë e socialistëve në pushtet, të cilët shikojnë më shumë të bëjnë si Shkëlzeni e Argita sesa të merren me vjedhjet e tyre.

Pra Berisha, tre akuzat më të forta dhe të besueshme kundër tij dhe familjes së tij i ka publike dhe i është shmangur drejtësisë. Ai nuk besoj se bëhet nervoz për gënjeshtrat që thuhen për të, por për të vërtetat. Këtë radhë më duket se më shumë sesa për to, është bërë nervoz për burimin e raportit, i cili duket se është bërë nga dikush që ka përjashtuar vetëveten. Dhe ai ngjan të jetë grupi Basha-Mediu.

Dhe nëse Berisha është nxehur seriozisht nga ky fakt, atëherë nuk ka pse i hakërrehet OSBE-së, por atij që i ka besuar SHQUP-in, që ia nxjerrë një herë në javë në prit Berishën, drejtësisë.

 TEMA

SHKARKO APP