Beteja e plehrave, Rama dhe Basha

“Rreshtimi i Opozitës në këtë betejë, mbas kryesimit të Shoqërisë Civile, është në favorin e tyre, por edhe në favor të interesit publik. Është kjo që na pret përpara, beteja e nënave dhe e baballarëve, për të larguar Vdekjen që duan të na i sjellin në vatrat tona, për ca thasë me dollar të ca të paktëve, që përfitojnë nga ky ligj ogurzi”…

Nga Artur Zheji

Basha, kryetari i Partisë Demokratike,  u shpreh kundër ligjit për mbetjet apo Plehrat, që kryeministri riktheu në fuqi me 63 vota, të lodhura dhe të ngordhura. Kjo procedurë e rrufeshme, e maskuar nën propozimin ligjor të deputetit Shalësi, ka sjellë pak të thuhet një tërbim popullor që ka disa aspekte kryesore.

 E  para zhgënjimin, se si Rama hëngri fjalën dhe deklaratat e veta në harkun e 3 viteve. Duke dhënë një provë në sytë e të gjithëve se sa vlerë kanë përbetimet e tija politike, përkundrejt tundimit të lobeve financiare të interesuara, në këtë rast për plehrat dhe importimin e tyre masiv në Shqipëri.

E dyta, tërbimi popullor, nuk buron aspak nga mosinformimi, apo nga injoranca, apo nga keqinformimi i analistëve dhe ambientalistëve, por nga makthi legjitim, që bashkë me plehrat e listës jeshile, do të mund të hyjnë edhe plehrat  e tmerrshme kimike dhe radioaktive, për të cilat Mafia Ndërkombëtare e Plehrave, do të ushtronte një trysni të p a përballueshme nga strukturat e shtetit shqiptar. Një shtet që nuk garanton dot ndalimin e ngritjes dhe funksionimit të aeroporteve dhe pistave te drogës në mes të Shqipërisë, nuk mundet të garantojë doganat e veta, ne rastin e vet më të mirë. Përballimin e trysnisë financiare të mafias ndërkombëtare të Plehrave, nuk e bëjnë dot me sukses as edhe shtete më të konsoliduara se sa ne, prandaj në këto raste moratorium për ndalimin e importit të Plehrave është padyshim një domsdoshmëri.

E treta, dyshimi i ligjshëm, që pas kësaj kthese 180 gradë të kryeministrit, nga armik i përbetuar i importimit të Plehrave, në Avokatin e madh, të domosdoshmërisë së këtij importi, kaq të mallkuar më parë, është se këtu e në këtë rast, jo vetëm plehrat bien erë. Në këtë biznes të fëlliqur, kur bëhet keq, janë në lojë miliarda euro. Sidomos kur bëhet fjalë për mbetje të rrezikshme, të cilat Vëndet Europiane duan ti përzenë dhe ti largojnë nga vendi i tyre.

Në këtë situatë politike, reflektimi i Lulëzim Bashës dhe deklarimi i tij, në rezonancë me shoqërinë civile, është në të vërtetë një fitore e shoqërisë civile. Dhe padyshim një dhuratë politike e vet Ramës, që kreu me arrogancë një provokim të tillë dhe kaq të madh kombëtar, për një çështje kaq të ndjeshme për shqiptarët. Dhe ska dyshim, një nga arësyet kryesore që PD, humbi zgjedhjet në vitin 2013, ishte edhe nënvleftësimi i kësaj ndjeshmërie, nga ana e qeverisë Berisha 2. Në Shqipëri po perëndon koha e adhurimit të liderëve arrogantë dhe të pandjeshëm ndaj asaj çfarë mendojnë shqiptarët dhe ndjesa e Lulëzim Bashës, është edhe një fitore morale e kryetarit të Partisë Demokratike.

Është një akt Dëgjimi ndaj qytetarit dhe ndaj fshatarit të tërbuar nga kjo pabesi e zymtë qeveritare, që mund të sjellë helmimin dhe sëmundjet në tryezat e tyre të varfëra. Shqiptarët, në të shumtën e rasteve kanë dyshime edhe për qumështin, edhe për cilësinë e grurit, edhe për prodhimet e habitshme të serave, për cilësinë e ujit të pishëm, për mishin e pakontrolluar dhe për shumë prodhime të tjera bazë të dietës së tyre të përditshme. Kjo shtesë e pamerituar e anktheve të tyre egzistenciale, është pak të themi e papërballueshme dhe shton një element të rëndësishëm më shumë, në sigurinë e jetës së tyre.

Nga vrasësi dhe banditi në rrugë, te mafia e kanabisit, te korrupsioni i nënpunësit, te mjekësia që vret, te drejtësia e padrejtë, te arrogance e pushtetit dhe sëfundi nga landfildet e vdekjes, që rrezikojnë helmimin e ujrave të ëmbla nëntoksore, që sjellin për pasojë transmetimin e këtij helmi në të gjithë zinxhirin ushqimor natyror, që do të konsumojnë shqiptarët. Gjithmonë e më të habitur me këtë pothujase epidemic kancerogjene që bën kërdinë në Vendin tonë.

Rreshtimi i Opozitës në këtë betejë, mbas kryesimit të Shoqërisë Civile, është në favorin e tyre, por edhe në favor të interesit publik. Është kjo që na pret përpara, beteja e nënave dhe e baballarëve, për të larguar Vdekjen që duan të na i sjellin në vatrat tona, për ca thasë me dollar të ca të paktëve, që përfitojnë nga ky ligj ogurzi. 360gradë.al

SHKARKO APP