Beteja e vetmuar e Albin Kurtit

Nga: Ervin Qafmolla

10 shkurt 2007-Albin Kurti ka veshur një bluzë të bardhë me emblemën e Vetëvendosjes teksa është kapur fort pas tubit metalik të një podiumi të improvizuar në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku po mban këtë fjalim para një turme të irrituar. Ky çast do të shënojë fillimin e një prej demonstratave që do të lërë vraga të thella në vetëdijen kolektive të Kosovës, duke ndikuar edhe vetë historinë e saj të shkruar.

Pa u kryer dita, Kurti shfaqet brenda zyrave të lëvizjes bashkë me tre aktivistë të tjerë, njëri prej tyre me plagë në fytyrë. Në krah të tij qëndron Glauk Konjufca, sot Kryetar i Kuvendit të Kosovës, i cili në gjurmët e Kurtit ka ngjitur gjithashtu shkallët e rezistencës pas udhëheqësit që tash është Kryeministri i Kosovës. Mbi tavolinën e konferencës për shtyp janë vendosur mikrofona të mediave vendase dhe ndërkombëtare. Dhe para tyre është shpalosur një bluzë e bardhë me mbishkrimin e kuqërremtë “Vetëvendosje”. Me të njëjtën ngjyrë si emblema, mbi copë është përhapur një njollë e madhe gjaku.

“Në protestën e sotme policia ndërhyri brutalisht” – thotë Kurti – “dhe 76 janë plagosur, dhe dy prej tyre janë në rrezik për jetën”. Arben Xheladini dhe Mon Balaj do të vdesin më vonë në spital si pasojë e plagëve të marra. Dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje u vranë nga afër me plumba gome nga policët e UNMIK-ut teksa po protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Martti Ahtisaarit.

Rivaliteti i vjetër i Albin Kurtit me klasën politike ndërkombëtare ka ngjizje të matshme dhe efekte vijuese. Në varësi të dinamikave të mëvonshme, Vetëvendosje vazhdoi të protestojë kundër nismave të Eulex-it, negociatave të dirigjuara nga Bashkimi Europian apo edhe zhvillimeve të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara.

Puna shkoi deri aty sa në vitin 2014, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, iu drejtua kësaj lëvizjeje, fjalë për fjalë, me këshillën “Mos e dhini punën”. Profaniteti i përdorur në këtë rast u prit me reagime të përziera, ku edhe aktorë të shoqërisë kosovare që nuk militonin me Vetëvendosjen, shprehën turbullimin e tyre ndaj gjuhës së përdorur.

Vendosmëri në kundërshti

Sot, Albin Kurti duket praktikisht i vetmuar në betejën e tij për veriun e Kosovës, por i mbështetur në parimin e vetëvendosjes, i cili përfaqëson vizionin e tij të pandryshuar për të ardhmen e vendit dhe sipas të cilit është emërtuar edhe forca politike që ai drejton dhe që sot mundohet të qeverisë vendin. Përveç armiqësisë historike me Serbinë dhe mërisë së ndërsjellë me Brukselin, së fundmi Kurti ka arritur të zemërojë edhe aleatët amerikanë, teksa edhe marrëdhëniet me lojtarë periferikë si Kryeministri i Shqipërisë, paraqiten edhe më të helmuara se më parë. Ka, megjithatë, përkrahjen e palëkundur të partisë, dhe mesa duket, të elektoratit të vet.

Por përplasja e tij e hapur me ndërkombëtarët në një shkallë të paprecedentë për çdo udhëheqës kosovar para tij, ka zënë në befasi disa komentues dhe ka skandalizuar disa të tjerë – duke përjashtuar ndonjë vrojtues të pavarur, kryesisht agjentë politikë apo satelitë të tyre. Teksa komentues të shumtë i hetojnë këto dinamika brenda objektivit të ngushtë të së tashmes të kontekstualizuar me vetëm ndonjë element të së shkuarës së afërt, ata dështojnë ta shohin tërësinë e kësaj dinamike, e cila i ka rrënjët në historinë e dokumentuar të Albin Kurtit dhe të Vetëvendosjes.

Historia është e rëndësishme edhe për faktin sepse priret të përsëritet. Në këtë kuptim, i ashtuquajturi “faktor ndërkombëtar”, me gjithë përpjekjet për ta rifutur veprimtarinë e Albin Kurtit mbi veriun e Kosovës në binarët e paramenduar të një dialogu gjerësisht imagjinar, përmes qëndrimeve idhnake, disa masave penalizuese dhe kanosjes për sanksione më të mëdha, vështirë se mund të arrijë ndonjë efekt domethënës.

Kur Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dënoi “fuqishëm aksionet e qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri”, Kurti u kundërpërgjigj duke thënë se kjo deklaratë ishte “naive”.

Ky pohim i Kryeministrit të Kosovës mbetet i diskutueshëm. Por, objektivisht naive mund të jetë pritshmëria vetësugjestionuese e diplomacisë perëndimore që i mëkon vetes besimin që Albin Kurti i dikurshëm në opozitë, afërmendsh nuk mund të jetë i njëjti Albin Kurt që sot mban pushtetin.

Ndoshta, këtu mund të gjendet fallaciteti më i madh logjik, te spekulimi që bluza e përgjakur mbi tryezën e konferencës pas protestës ku Arben Xheladini dhe Mon Balaj u vranë nga policimi ndërkombëtar, ishte thjesht një artefakt i atypëratyshëm, një butafori e marrëdhënieve me publikun dhe instrument kalimtar në rrugën drejt pushtetit. E njëjta mendësi sugjeron që marrja e pushtetit supozohet ta zbusë çdo “ekstremist opozitar”, duke e bërë në mos më të “nënshtruar”, të paktën më të “arsyeshëm”.

Duke qenë se bastet dhe pritshmëritë duket sikur janë vendosur mbi këtë interpretim, duhet të ekzistojë hapësira për t’i dhënë një farë merite edhe mundësisë së anasjelltë. Ku i dihet, ndoshta, për mirë apo për keq, Albin Kurti vërtet beson te mantra e tij e vetëvendosjes. Dhe si rrjedhojë, ende sot ai ndjek i palëkundur të njëjtat bindje që shpallte qysh para fjalimit të shkurtit të 2007-s, dhe që duke shkuar edhe më pas në kohë, mund të gjenden tek intervista e tij nga burgu serb i Pozhares në janar të vitit 2000.

Për ta ilustruar konsistencën e doktrinës së Kurtit karshi dialogut me Serbinë dhe manovrimin e situatës në veri, vlen të përmendet se parimet e tij në çdo hap mbeten (i) vetëvendosja, (ii) reciprociteti dhe (iii) sundimi i ligjit. Por është sipas të njëjtave parime në thelb të paqortueshme, që veprimet e qeverisë Kurti – ndonëse edhe të pajisura me koherencë kontekstuale – kanë ndikuar në përshkallëzimin e situatës. Këtu përfshihen tre rastet e fundit të acarimit me Serbinë, përmes aktualizimit të reciprocitetit për targat dhe dokumentet e udhëtimit nga Serbia, bllokimin të targave ilegale të automjeteve në veri dhe vendosjes fizike së kryetarëve shqiptarë në zyrat komunale në veri përmes përplasjeve të dhunshme me protestuesit e etnisë serbe. Në te tre këto raste, Serbia ngriti gjendjen e gatishmërisë ushtarake dhe afroi trupat në kufi me Kosovën.

Në këto kushte, acarimi i ndërmjetësuesve ndërkombëtarë ndaj Kosovës është i kuptueshëm dhe nuk përbën çudi. Por po aq e parashikueshme duhet të jetë edhe këmbëngulja e Kurtit në ndjekje të vizionit të tij të pandryshuar, pavarësisht edhe kundërvënies thuajse totale të aktorëve të tjerë të përfshirë. Ai sot është kritikuar më ashpër se kurrë më parë nga pothuajse i gjithë ekosistemi ndërmjetësues ndërkombëtar, teksa Kosova po përballet në mënyrë të paprecedentë me ndëshkime institucionale.

Kurti është vendosur në pozita përplasëse me (i) Serbinë, (ii) Komisionin Europian dhe (iii) Departamentin e Shtetit (pa llogaritur opozitën kosovare). Ndërsa ai qëndron praktikisht i vetëm kundër të gjithëve, askush nuk duket në gjendje që të sugjerojë se deri ku mund të shtrihen taktikat e tij, apo aq më tepër, të hamendësojë se cila mund të jetë strategjia më e madhe që ai po zbaton në këto fronte të shumëfishta.

Ndërkombëtarët e Kosovës kanë edhe një pengesë tjetër në zbutjen e Kurtit për të ndjekur me bindje rrugën e imponuar përmes presionit në rritje. Herën e fundit që një qeveri e drejtuar nga Vetëvendosje u rrëzua nën ndikimin ndërkombëtar, të njëjtët persona që tërhoqën këmbëzën e këtij atentati institucional, panë viktimën të ngrihej nga pluhuri i gërmadhës së koalicionit LVV-LDK për t’u bërë fitimtar i vetëm i zgjedhjeve që pasuan. Sot ky njeri drejton Kosovën me vota të sigurta. Ndaj, të paktën kërcënimi me rrëzim nga pushteti mund të mos jetë më një opsion aq i efektshëm.

Gogoli i Asociacionit

Pavarësisht arsyeve të atypëratyshme dhe ndërlikimeve përkatëse, dhe krahas zjarrfikësve ndërkombëtare që rendin të shuajnë zjarret e shkaktuara nga përplasjet e qeverisë së Kosovës me Serbinë apo me strukturat që ajo kontrollon në veri të ish-provincës së saj të pavarur, Asociacioni është rishfaqur pa përjashtim në çdo rast, si arsyeja dhe zgjidhja themelore e situatës.

Ngërçi kushtetues rreth formatit të tij, kundërshtitë e ashpra ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, dallimet mes partnerëve ndërkombëtarë, si edhe rreziqet e mundshme rreth aspekteve ligjore të kësaj bashkësie, e bëjnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe jo vetëm temën vendimtare, por edhe më të vështirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Para përshkallëzimit të fundit, kur Serbia kapi tre policë kufitarë të Kosovës duke i akuzuar për terrorizëm, palët kishin rëndë parimisht dhe me gjysmë zemre dakord për qetësimin e situatës në veri dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në komunat me shumicë serbe, ku Beogradi dhe satelitët e tij do të garantonin pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. Nga ana e saj, Prishtina duhet të përshpejtonte procesin për formimin e Asociacionit. Pastaj ndodhi rrëmbimi apo arrestimi i policëve kufitarë të Kosovës – në varësi të variantit të secilës palë. Nëse duket sikur ky incident që e vrau zgjidhjen e ofruar, ishte në fakt përsëritja e historisë që e pamundësoi këtë formulë. (Në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, historia e përsërit vetveten në një normë më të lartë sesa mesatarja e hamendësuar botërore.)

Praktikisht të nesërmen e kësaj ujdie, pala serbe tha se nuk do të merrte pjesë në zgjedhje pa u themeluar më parë Asociacioni, çka efektivisht rikthen të njëjtin ngërç të patejkalueshëm institucional që ka karakterizuar situatën në veriun e Kosovës gjatë gjithë muajve të fundit. Nga ana e tij, Kurti përsërit që e mbështet themelimin e kësaj bashkësie, me kusht që ajo të mos jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive. Serbia këmbëngul për një format me kompetenca ekzekutive, çka u bë e qartë në dorëzimin e një drafti të përgatitur nga një komision serbësh lokalë – njëra prej të cilëve deputete në Kuvendin e Serbisë – ku shpalosej haptazi korniza e një rajoni autonom.

Historikisht, Kurti dhe Vetëvendosje e kanë konsideruar Asociacionin një “shtet brenda shtetit”, i cili synon ta shkaktojë “bosnjëzimin e Kosovës”. Këto qëndrime nuk kanë ndryshuar. Përtej parullave dhe argumenteve të artikuluara rëndom, ekziston edhe një kontekst më i detajuar dhe i brendashkruar. Për shembull, që nga viti 2008, serbët në Kosovë kanë disa garanci dhe të drejta të fuqishme dhe sipas kritikëve, të shpërpjesëtuara, si rrjedhojë e kompromiseve nga shqiptarët e Kosovës në procesin e negocimit të pavarësisë dhe në këmbim të njohjes nga Serbia. Kompromiset mbetën, ndërsa Serbia u tërhoq nga loja (Plani i Ahtisaarit).

Kritikët kosovarë thonë se këto garanci janë aq të gjera sa qëndrojnë në kufi të bërjes së Kosovës shtet jofunksional. Për shembull, as ligji për festat zyrtare në Kosovë nuk mund të ndryshohet sepse kushtëzohet nga serbët, duke qenë se i cilësuar si “ligj me interes vital për pakica”, ky legjislacion është ndër ata që kërkojnë një shumicë të cilësuar parlamentare nga pakicat. E njëjta vlen për ligjin për financat vendore, të cilin përfaqësuesit e serbëve lokalë refuzojnë ta votojnë, dhe si rrjedhojë, granti qeveritar për shërbime sociale në komuna nuk mund të ndahet, dhe për pasojë, mijëra nevojtarë – përfshi fëmijë dhe të moshuar – mbesin pa mbështetjen e duhur sociale.

Ndërsa, nga një aspekt ekstraligjor, mund të kujtohet se serbët e Kosovës kanë një jetë që nuk paguajnë faturat e energjisë elektrike, diçka që kompensohet në çmim nga qytetarët shqiptarë dhe pakicat e tjera. Dakordësi të mëparshme mbi formalizimin e tyre kanë mbetur në letër. Sikundër në këtë rast, por edhe në nivel kontributesh të tjera financiare që ata i shpërfillin, ky komunitet paraqitet si etnia më e privilegjuar në Kosovë.

Mbi këta shembuj konkretë dhe plot të tjerë të ngjashëm me ta, kritikët e Asociacionit druhen se formula e kësaj bashkësie mund të rezultojë në autonomi faktike, për të përmbushur qëllimin e vërtetë dhe të kamotshëm të Serbisë, i cili sipas tyre, është ta bëjë Kosovën shtet jofunksional. Ndaj frika është se mos formalizimi i mëtejshëm i këtyre privilegjeve në një nivel të hiper-institucionalizuar, do të ndikonte edhe më tej në përkeqësimin institucional të shtetit të Kosovës.

Në një nivel praktik, në veri gjenden burime minerale dhe natyrore pa ta cilat nuk funksionojnë dot sistemi minerar i Trepçës apo edhe vetë termocentralet e Kosovës, të cilët përbejnë burimet ekskluzive të prodhimit të energjisë në vend. Ndaj, nëse strukturat paralele në veri, të inkurajuara nga ndonjë autonomi ndonëse joformale por gjithsesi reale, do të vendosnin të merrnin në kontroll disa prej këtyre burimeve, pasojat në ekonominë dhe zhvillimin e vendit do të ishin të pallogaritshme.

Dhe në fund të fundit, nëse ky Asociacion vendos një ditë që të shpallë pavarësinë dhe të zbatojë një ndarje faktike nga pjesa tjetër e Kosovës, kush do ta pengonte diçka të tillë? A do të ndërhynin trupat e KFOR-it për të rivendosur shtetin dhe ligjin, apo Policia e Kosovës? Ndaj, jo vetëm në Kosovë, por edhe në qarqe studiuesish dhe politikanësh jashtë saj, ekziston një frikë reale se përmes imponimit të një Asociacioni mono-etnik me elementë autonomie, duke tentuar të zgjidhin një problem ekzistues, partnerët ndërkombëtarë të Kosovës rrezikojnë t’i hapin udhën një problemi më të madh.

Ndërkaq të njëjtët kanë përsëritur garancitë se asgjë e keqe nuk do të ndodhë dhe si rrjedhojë Kosova duhet thjesht t’u përmbahet detyrimeve të saj ligjore për të krijuar Asociacionin. Duke lënë mënjanë qëndrimet kundërshtuese të palëve mbi një institucion që Kurti e dëshiron OJQ pa kompetenca ekzekutive, ndërsa Vuçiç si territor me autonomi reale, janë edhe vetë garancitë e ndërkombëtarëve që meritojnë një farë dyshimi.

Deri vonë, përfaqësuesit e Komisionit Europian këmbëngulnin që Kosova mund ta ndryshonte kushtetutën e saj për t’i hapur rrugën krijimit të Asociacionit me ato kompetenca të cilave u druhen në Kosovë. Kjo është e njëjta kushtetutë, në hartimin e së cilës ndërkombëtarët kanë pasur një autorësi vendimtare, duke skalitur aty diskriminimin e shpërpjesëtuar pozitiv ndaj pakicës serbe dhe duke farkëtuar një dokument themeltar që nuk mund të ndryshohet në asnjë presje pa aprovimin e kësaj pakice.

Nuk duhet harruar as mosbajtja e premtimit përmes zvarritjes spektakolare të liberalizimit të vizave për Kosovën, një proces që haptazi është përdorur nga vendimmarrësit europianë për të kushtëzuar dialogun e Kosovës me Serbinë, në shkelje të vetë parimeve të Bashkimit Europian dhe duke tradhtuar detyrat institucionale dhe morale ndaj popullit të Kosovës.

Po ashtu, pas një presioni të madh mbi udhëheqësit kosovarë për të miratuar krijimin e Gjykatës Speciale, ishin vetë këta të fundit që përfunduan si të pandehur në bankën e të akuzuarve për krime lufte. Sa kohë që gjykimi vazhdon, askush nuk mund të thotë nëse të akuzuarit janë apo jo fajtorë për krimet e pretenduara. Por ndërkaq është fakt se kjo gjykatë po gjykon vetëm shqiptarët etnikë dhe asnj pakicë tjetër. Gjithashtu, ky rast dëshmon se politikanët kosovarë nuk mund ta konsiderojnë partneritetin perëndimor si një faktor vërtet të besueshëm.

Ndoshta, “elefanti në dhomë” është vetë fakti që Miroslav Lajçak, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dikur Ministër i Jashtëm i Sllovakisë, vjen nga një vend që nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, dhe sipas akuzave të shtetarëve kosovarë, në të paktën një rast ka votuar personalisht kundër anëtarësimit të këtij vendi në institucione ndërkombëtare.

Gjithashtu, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punë të Jashtme Josepp Borell, vjen nga Spanja, vend që po ashtu nuk e njeh Kosovën si shtet. Të dy këta qëndrojnë në krye të hierarkisë së arbitrimit të paanshëm europian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Janë të njëjtët ndërmjetësues që pas Marrëveshjes së Ohrit më 18 mars, të cilën Presidenti Aleksander Vuçiç nuk pranoi të nënshkruajë, thanë që marrëveshja quhej gjithsesi e arritur dhe që palët kishin përgjegjësi ligjore për përmbushjen e saj. Por kur ekzaktësisht një muaj më vonë, Serbia votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës në kundërvajtje të hapur me marrëveshjen e arritur, nga Komisioni Europian nuk pati ndonjë reagim, përveç pohimit që Brukseli ishte “në dijeni” të ndodhisë.

Dhe është e njëjta bashkësi ndërkombëtare që në zanafillën e dialogut e shtyu palën kosovare të kapërdinte kompromise të rënda në këmbim të lëshimeve që Serbia nuk i bëri kurrë. Të njëjtët arbitër të paanshëm edhe në trazirat e fundit në veri të Kosovës, dënuan ashpër Kurtin dhe Prishtinën si nismëtare të tyre, por nuk thanë asgjë në drejtim të Beogradit dhe strukturave paralele që ushtruan dhunë dhe qëlluan me plumba të vërtetë mbi trupat e KFOR-it. Ashtu si tradicionalisht më parë, ata u kufizuan të “dënojnë dhunën”, e cila në deklaratat e tyre nuk mbante autorësinë e grupeve kriminale, por përgjegjësinë e vetme të Prishtinës zyrtare.

Prej këtej, nuk do të ishte e natyrshme të pritej që filozofia e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes në pushtet të ndryshojë nga ajo e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes opozitare, sa kohë që ndërkombëtarët e sotëm vështirë se kanë ndryshuar thelbësisht nga ndërkombëtarët e dikurshëm. Krahas një pjese të klasës politike kosovare, në fund të fundit, është edhe ky kontingjent i bashkësisë ndërkombëtare që mban përgjegjësi për ato probleme dhe qorrsokakë të cilëve nuk po u gjendet zgjidhja as sot.

Po tani?

Kur këto javë, zëdhënësi i Komisionit Europian Peter Stano u pyet nga gazetarët nëse BE-ja mbante ndonjë farë përgjegjësie që nuk kishte arritur t’i bindte serbët të merrnin pjesë në zgjedhjet vendore në Kosovë, ai tha se me rëndësi ishte që fokusi të vendosej te qetësimi i situatës dhe te dialogu. Në fakt, shtyrja e zgjedhjeve me katër muaj kishte ardhur si kërkesë e ndërmjetësuesve europianë, të cilët u zotuan se do të siguronin pjesëmarrjen e serbëve. Diçka e tillë nuk u materializua, zgjedhjet u mbajtën dhe tre kryetarë shqiptarë me përfaqësim të cunguar u ulën në karriget e braktisura nga paraardhësit e tyre serbë.

Edhe pse nga një pikëpamje strikte ligjore, Kurti nuk bëri asgjë të gabuar në mundësimin që këta kryetarë të ushtronin detyrën në zyrat përkatëse, ai nuk mund të mos e dinte përshkallëzimin që ky veprim do të shkaktonte. Pasojat e këtij vendimi vijojnë të shpalosen edhe sot, teksa partnerët ndërkombëtarë e kanë bërë më të qartë se kurrë mostolerimin e mëtejshëm të “zgjidhjeve kreative” të Kurtit.

Kjo është një tjetër ditë nga normalja e re e përshkallëzimeve të pareshtura mes Kosovës dhe Serbisë. Dialogu duhet të vazhdojë dhe palët duhet të marrin përgjegjësitë përkatëse – si zakonisht njëra palë më shumë se tjetra. Tani në tryezë do të shtrohet edhe fati i tre policëve të mbajtur në Serbi, si gurë shahu shtesë në lojën më të madhe që zhvillohet në veri të Ballkanit Perëndimor. Dhe e gjithë kjo ndodh kur në fjalët e vetë partnerëve perëndimorë të Kosovës, Europës dhe botës “nuk i duhet një luftë tjetër në Europë”, kur ndërkaq po zhvillohet lufta mes Ukrainës dhe Rusisë.

Teksa shumëkush bie dakord që përshkallëzimet e vazhdueshme të ndikuara në një mënyrë apo tjetrën nga Kurti, në mos të dënueshme janë të paktën të palavdërueshme, sërish askush nuk është në gjendje të sugjerojë ndonjë plan alternativ për të ashtuquajturën “zgjidhje të qëndrueshme” mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe ku interesat e Kosovës nuk do të dëmtoheshin në mënyrë të pariparueshme. Dhe nëse alternativa të tilla ekzistojnë, atëherë duhen artikuluar publikisht.

Paralelisht me këtë pritje, “paqja dhe siguria” e Ballkanit shpalosen në një shfaqje mes Prishtinës, Beogradit, BE-së dhe Uashingtonit. Herë pas here, tenton të hyjë në skenë edhe ndonjë aktor nga Shqipëria. Ndërkaq, Albin Kurti nuk shfaq shenja zmbrapsjeje nga beteja e tij e vetmuar.

SHKARKO APP