Beteja për zgjedhjet e lira
“Në fakt, beteja për zgjedhjet e lira, është një betejë fondamentale për një vend demokratik. Për fatin tonë të keq, zgjedhjet nuk po stabilizohen prej vitesh. Sot, ne jemi vendi i vetëm, absolutisht i vetëm në Europë që ende nuk pranojmë zgjedhjet ose nuk kemi besim në standartin e tyre….”
Nga Blendi Fevziu
Mbarimi i pushimeve dhe fillimi i sezonit të ri politik, e fut Shqipërinë në një vit elektoral. Në Qershor priten zgjedhjet e radhës dhe shqetësimi për to, është edhe shqetësimi kryesor në vend dhe jashtë.
Zgjedhjet e fundit lokale dëshmuan se standardi i tyre ishte i dëmtuar rëndë, jo vetëm përmes mungesës së plote të barazisë së të gjitha forcave në zgjedhje, por mbi të gjitha përmes cenimit të votës së lirë dhe blerjes së saj. SMS-ja e një vajze nga Vora që ishte frenuar dhunshëm të votonte për herë të parë në jetën e saj, e lexuar në emisionin Opinion, u bë çështje në të gjitha diskutimet e ekspertëve ndërkombëtarë.
Ajo që ndodhi më Vorë dhe në Lezhë, vlen të merret si manual i mungesës së zgjedhjeve të lira dhe i dhunimit të tyre, përmes presionit financiar, presionit shtetëror e madje edhe dhunës direkte. Madje në Vorë dhe në Lezhë, presioni nuk erdhi nga vetë kandidatët që ishin korrekt, por nga forca e tyre politike. Duke bashkuar me shqetësimin për zgjedhjet e fundit edhe atë që ndodhi në zgjedhjet e pjesshme në Korçë në shtator 2013, alarmi për Qershorin do të jetë edhe më i madh. Pak javë ma parë Basha deklaroi se beteja për zgjedhjet e lira do jetë beteja e rradhës e opozitës.
Në fakt, beteja për zgjedhjet e lira, është një betejë fondamentale për një vend demokratik. Për fatin tonë të keq, zgjedhjet nuk po stabilizohen prej vitesh. Sot, ne jemi vendi i vetëm, absolutisht i vetëm në Europë që ende nuk pranojmë zgjedhjet ose nuk kemi besim në standartin e tyre. Për t’i dhënë fund kësaj historie qesharake, politika duhet të bëjë ç’është e mundur për të gjetur një zgjidhje përfundimtare. E para, zgjedhjet e pjesshme të Dibrës duhet të jenë parathënia e zgjedhjeve të ardhshme të Qershorit. Çdo tentativë për të deformuar ato, është një paralajmerim serioz për atë që pritet të ndodhë në qershor.
Edhe pse më problematike zgjedhjet qenë në zonat ku kandidonte LSI dhe sot raportet e PD me LSI janë më miqësore, sërish situata nuk ka një zgjidhje përfundimtare. Opozita duhet të ketë gati një paketë masash, që vlejnë jo vetëm për këto zgjedhje, por më afatgjatë. Të kushtueshme apo jo, masat që duhet të marrë qeveria në marrëveshje me opozitën duhet të jenë të tilla, që askush më, asnjëherë, të mos kontestojë zgjedhjet. Që Shqipëria ta mbyllë këtë kapitull dhe askush të mos besojë se ja kanë vjedhur votat, por ka humbur dhe askush të mos besojë se mund të mbetet në pushtet realisht me vota të vjedhura. Dhe kur them vjedhje, kam parasysh këtu çdo formë të saj, përfshi edhe blerjen e votës. Pa një votë të lirë nuk do ketë kurrë një sistem demokratik, por një regjim politik ku dy të ngjashme do zëvendësojnë njëra – tjetrën. Opiniona.al