Bie drafti i Qeverisë nga Venecia
Palët politike nuk janë shprehur ende mbi rekomandimet përfunditare të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi. Mazhoranca dhe opozita janë njohur me vlerësimet dhe pjesët kryesore të tyre janë bërë publike në media. Opozita vlerëson që Komisioni i Venecias ka faktuar për herë të dytë shqetësimin e saj për tentativën e Edi Ramës për të kapur sistemin e drejtësisë. Rekomandimet – thanë nga Selia Blu – e kanë rrëzuar për herë të dytë draftin
duke dëshmuar se ai shkel rende Konventen Europiane te te Drejtave te Njeriut, si dhe duke i qëndruar parimeve të shprehura në Opinionin e Ndërmjetëm të 21 Dhjetorit 2015, të cilat shprehin shqetësimin për kapjen politike të sistemit të drejtësisë nga mazhoranca aktuale.
Sipas të njëjave burime, Komisioni i Venecias në vlerësimin e tij nënvizon se Reforma në Drejtësi duhet të bëhet në konsensu me opozitën.
Komisioni vlerësohet se ka gjetur të drejta shqetësimet e ngritura nga opozita dhe ka vlerësuar atë për kontributin konstruktiv të dhënë në proces. Ai ka vlerësuar po ashtu se çështjet që trajtojnë amendamentet kushtetuese, janë cështje politike që kërkojnë zgjidhje politike, që arrihet nëpërmjet një dialogu konstruktiv politik midis grupimeve politike kryesore në vend.
Burimet saktësojnë se komisioni ka ripërsëritur kërkesën për konsensus politik mes mazhorancës dhe opozitës për të shmangur kapjen politike të sistemit të drejtësisë. Ai e konsideron të domosdoshme përfshirjen e opozitës për përzgjedhjen e anëtarëve të jashtëm të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Në rekomandimet e tij Komisioni i Venecias thekson se kjo nuk mund të jetë zgjedhja vetëm e shumicës parlamentare, por edhe e opozitës , duke përdorur shumicë të cilësuar apo ndonjë metodë tjetër. Ndryshe nga drafti qeverisë, Komisioni kërkon përfshirjen e opozitës dhe në zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Burimet e sipërcituara thonë se në këtë mënyrë ai ka rrëzuar variantin e kryeministrit Rama që kërkon që anëtarët e GJK të zgjidhen nga shumica aktuale. Komisioni rekomandon futjen e një rregulli që kërkon një shumicë të cilësuar dhe mbështetje ndërpartiake për tre anëtarë te Gjykatë Kushtetuese që zgjidhen nga Kuvendi.
Opozita pretendon se Komisioni i Venecias ka rrëzuar tentativën e mazhorancës për të emëruar e vetme Prokurorin e Përgjithshëm dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe ka kërkuar përfshirjen e opozitës. Komisioni thotë se në situatën aktuale duhet një shumicë më e lartë se 3/5 për zgjedhjen e tyre.
Drafti i qeverisë konsiderohet i rrëzuar nga opozita edhe përsa i përket ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Komisioni i Venecias ka ripërsëritur qëndrimin e mbajtur në Opinionin e Ndërmjetëm 21 Dhjetorit, që Njësia Hetimor Antikorrupsion, e njohur si Byroja Kombëtare e hetimit, duhet të jetë pjesë e sistemit të Prokurorisë dhe nuk mund të ketë asnjë vartësi tjetër përveç prokurorisë. Në rekomandimet përfundimtare “Venecia” ka kërkuar që të parashikohet mënyra e emërimit të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme anti-korrupsion dhe mekanizmin e llogaridhënies, të cilat në draftin e propozuar nga qeveria, nuk përcaktohen.
Në rekomandimet e Komisionit të Venecias thuhet qartë se nuk kuptohet përse nevojitet ndërprerja e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm. Sipas opozitës kjo është një tjetër pikë ku drafti i qeverisë bie dhe “Venecia” mbështet variantin e saj.
Komisioni i Venecias e konsieron ndërhyrje në veprimtarinë e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë dhe gjyqësorit dhënien e kompetencës Ministrit të Drejtësisë për të inspektuar veprimtarinë e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë. Komisioni shprehet se qeveria duhet të mbajë distancë në cështje
që lidhen me përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve.
I rrëzuar konsiderohet drafti i qeverisë edhe në përcaktimin se mazhoranca duhet të ketë
vetme kontrollin mbi procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend. Komisioni shprehet se opozita duhet të jete pjesë në emërimin e anëtarëve të Komsionit të Pavarur të Kualifikimit apo Kolegjit të Posacëm të Kualifikimit pranë Gykatës së Lartë. “Modeli i adoptuar duhet të sigurojnë një proces transparent verifikimi, për të mbrojtur organet verifikuese nga emërimet politike vetëm nga shumica në pushtet”, thuhet në paketën e rekomandimeve.
“Është rrëzuar gjithashtu edhe tentative për të mbajtur nën presionsistemin gjyqësor për 11 vite, nëpërmjet kontrollit të sistemit të rivlerësimit”, thanë burimet për lapsi.al, të cilat sqarojnë se “sipas Komisionit të Venecias, kohëzgjatja e procesit të vlerësimit është shumë e gjatë dhe kerkon te reduktohet ndjeshëm”.
Ndryshe nga sa parashikon drafti i qeverisë Komisioni i Venecias rekomandon që që gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar nga puna, t’i njihet e drejta për t’u ankuar në Gjykatën Kushtetuese për shkeljen e të drejtave themelore të tyre.
Komisioni ka rrëzuar edhe qëndrimin e mazhorancës për të shmangur tërësisht rolin e Presidentit të Republikës në emërimet në gjyqësor. Për këtë arsye ai kërkon qartësimin e kompetencës së Presidentit në procesin e emërimit të gjyqtarëve.
Që në hyrje të tij, Draft Opinioni thekson se ai nuk do të marrë në analizë të hollësishme propozimet e bëra, por do të përqëndohet vetëm tek cështjet kryesore që kanë përbërë diskutim politik në Shqipëri gjatë fazës së rishikimit të draftit. Sipas burimeve të mësipërme të lapsi.al, për opozitën ky paragraf nënkupton se të gjitha çështjet teknike të ngritura në Opinionin e Ndërmjetëm të datës 21 Dhjetor 2015, plotësojnë shqetësimet e ngritura në Opinionin Final dhe janë tërësisht të zbatueshme. Në këtë mënyrë, -thonë burimet, – opozita vlerëson se Komisioni rekomandon që shqetësimet lidhur me ekzistencën dhe funksionet e Këshillit për Emërimet në Drejtësi, apo ngritjen e Gjykatës së Lartë Administrative, janë të vlefshme dhe duhet të merren në konsideratë.