Bien një milionë shuplakat
Nga Frrok Çupi
Skllevërit shpëtojnë nga skllevërit!…
Këtë kisha zgjedhur për titull kur u ula të shkruaj për ndodhitë e fundit politike. Mirëpo për skllavëri politike në përgjithësi është shkruar qysh herët, qysh në epoka obskurantizmi. Këta tanët, të tanishëm, e kanë bërë "moderne" skllavërinë e turmave, ose skllavërinë e skllevërve. Këta e kanë quajtur demokracinë me nocionin e ri "gjysma rreh gjysmën". Domethënë skllevërit rrahin skllevërit e gjysmës tjetër.
Po shikoj se sapo ra miti i "një milionë shuplakave". Maxhoranca politike që kishte lëshuar në fushë një milionë skllevërit e vet për të sulmuar një milionë skllevërit e tjetrit, ra. Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, të dy diskriminues e skllavërues ndaj njëri tjetrit, prej dy vjetësh mburren se kanë me vete një milionë shpulla që mposhtin gjithçka mbi këtë dhé. Një milionë shpullat u quajtën rreth një milionë votues që votuan në favor të PS dhe LSI në qershor të vitit 2013.
Një milionë të tjerë që votuan ndryshe, u ndodhën përballë furisë së turmave politike fitimtare, që në fakt edhe këta janë skllevër. Por këta janë skllevër politik të padronit fitimtar, e të tjerët skllevër të padronit tjetër humbës.
Kështu u nda shoqëria njerëzore në dy pjesë skllevërish.
Me garancinë njëmilionëshe, maxhoranca politike hyri në betejën arrogante për të bërë gjithçka.
Maxhoranca, së pari, bleu edhe disa deputetë të opozitës dhe krijoji një superparlament. Parlamenti me afro njëqind deputetë "shpullarë", mund të votonte çdo ligj, madje edhe ligjin që secili të hiqte perdet e shtëpisë e të shiheshin njerëzit se nuk po bëjnë tradhti ndaj qeverisë. Me një milionë shpulla dhe njëqind deputetë, mund të miratoheshin ligje që asnjë nga skllevërit (as të fitimtarit e as të humbësit), të mos laheshin në detin "tim", as të mos shkelnin në lagunën "e atij"…
Nisën të bëjnë gjithçka.
Kryeministri ndërtoi vilë milionëshe me fitimet e një libri(!); mundi të deklarojë se ka veç tremijë euro, por çdo ditë shpenzon dhjetë mijë euro, pesë për kostumin e ditës e pesë për kokainën.
Mundën të kultivojnë drogë në tokat e ushtrisë së skllevërve fitimtarë, por drogën ta shesin vetë duke e transportuar me avionë drejt Perëndimit. Mundën të shtyjnë mijëra nga radhët e skllevërve të humbësit që të zhduken, të ikin në emigracion e të mos ua shohim bojën këtej rrotull. Mundën të ndjekin politika neverie ndaj zonave të veriut, kur nuk kishte pas zënë vend shumë komunizmi dhe ku demokracia ka më shumë baza.
E kupton që të bësh këto, do të thotë se guxon të bësh gjithçka!? Prapa guximit absurd ndodhej fuqia e një milionë shuplakat e skllevërve.
Në fakt edhe një milionë skllevërit fitimtarë provuan të njëjtën skllavëri si edhe skllevërit vëllezër e armiq. Askush nuk doli fitimtar. Për të gjithë skllevërit është rritur papunësia dhe është shtuar varfëria. Për të gjithë skllevërit ka ndëshkime të rënda me kamxhik e me burg. Edhe sikur një faturë e energjisë elektrike prej dymijë lekësh të mos paguajë secili skllav, ky shkon në burg. Pastaj në burg kanë vrarë veten. Ose kanë vrarë veten edhe para se të dërgohen në burg. Çfarë mund t'u thotë skllavi fitimtar fëmijëve që presin bukën, (madje edhe kompjuterin), në qoftë se ky shkon në shtëpi e nuk dërgon asgjë, madje as dritë elektrike. T'u thotë se është skllav fitimtar mbi disa skllevër të tjerë?! E pastaj?…
Me një milionë shuplaka këta bënë gjithçka.
Kanë bërë gjithçka, sepse kishin njëmilionë shuplaka dhe rreth njëqind deputetë.
Maxhoranca politike, kur nisi të blejë deputetë me qëllim që të krijojë pushtet absolut, gjysma u gëzuan. Të tjerët përballë ndoshta u trishtuan si humbës, por nuk u frikësuan si qytetarë. Ndërsa gjysma e skllevërve të shuplakave menduan se kjo ishte një fitore. Në fakt pushteti absolut ka bërë gjëmën në këtë vend. Ka krijuar dënime kolektive, ka krijuar luftën e klasave dhe izolimin e vendit, ka krijuar pushtet më të rëndë se vetë realiteti, ka burgosur e pushkatuar pa gjyq e pa drejtësi.
Rrezikun e kthimit në autokraci dhe në absolutizëm nuk e ndjeu askush si një rrezik, teksa gjëmonin tribunat dhe ekranet me lavdërimin e një milionë shuplakave.
Madje as vetë fitimtarët nuk kuptuan se në atë moment kishin rënë.
Që në çastin kur u ndjenë të guximshëm që të prekin rëndë financat e popullit dhe me këto financa të blejnë popullin!. Pushteti absolut ta jep këtë guxim. Tani erdhi dita kur ranë një milionë shuplakat. Dmth., ka rënë maxhotanca. Aleatët perëndimorë u bënë promotorë të zbutjes së skllavërisë. Deri më dje, nga skllavëri politike e gjysmës ndaj gjysmës tjetër, tani është kthyer në skllavëri të të gjithë skllevërve ndaj padronëve. Padronët kanë shtënë në duart e tyre pasurinë e popullit. Organizata për Siguri e Bashkëpunim Europian dhe Shtetet e Bashkuara, lëshuan sinjale për vjedhje të mëdha dhe pasurim gjigand të udhëheqësve kryesorë. Rreziku i tejlkon kufijtë e një vendi dhe të një skllavërie; bëhet rrezik për qytetërimin dhe vlerat perëndimore. Sulmi mbi Kullat Binjake (11 shtator) u krye me 200 mijë dollarë; pa mendoni sikur një i çmendur të posedojë 200 milionë.
Përveç fuqive të mëdha askush tjetër nuk mund ta denonconte krimin. Këtu mediat dhe kishat dhe xhamitë janë në dorë të autokracisë.
Deri më sot maxhoranca mposhti edhe vetë Demokracinë. Guxoi të bëjë gjithçka, atëherë ra maxhoranca.
Kryetari i Kuvendit, i akuzuar më së fundi për disa vepra penale, po kërkon aleanca që nga çamët e deri te demokratët për të krijuar qeveri të re kundër aleatit të deritanishëm socialist. Kryeministri socialist ka krijuar rrethanat politike e ligjore për eleminimin politik të kryetarit të Kuvendit. Ose kryeministri aktual do të marrë nën sqetull forca të tjera politike jashtë koalicionit të deritanishëm, ose kryetari i Kuvendit do ta bëjë këtë.
Njësoj
Si njëra edhe tjetra, të dyja na çojnë në rrëzimin edhe legal të një milionë shuplakave.
Edhe sikur të mos ndërtohet një qeveri e re, kjo maxhorancë ka rënë. Sepse ka rënë e mundësia për të bërë gjithçka dhe e drejta për të krijuar shpresë të rremë te skllevërit.
Të paktën, deri tani, kjo ka ndodhur. Çfarë do të ndodhë pastaj, do të jetë një e mirë plus. Kaq sa mirë është: Ka rënë miti i një milionë shuplakave.