Birrë gjermane dhe televizion rus

Në Gjermani jetojnë rreth katër milionë vetë, me gjuhë amtare rusishten: gjermanë të Rusisë, rusë, hebrenj. Shumica merren me punët e tyre, por disa kanë përfytyrime imagjinare në mendje, mendon Alexander Warkentin.

Të shtunën, rreth 700 vetë demonstruan para Zyrës Kancelarore kundër “refugjatëve kriminelë”. Shumë prej tyre flisnin rusisht. Të dielën demonstratat vazhduan në qytete të tjera: vetëm në landin e Baden- Vyrttembergut policia numëroi rreth 3000 pjesëmarrës. Kjo sipas agjencive të lajmeve.

Ata donin “të mbronin gratë dhe vajzat tona”, “cilësitë gjermane dhe të krishtera” ose edhe “kulturën gjermane”, shikoje të shkruar nëpër pllakata. Shkas për to qe përdhunimi i supozuar prej “refugjatëve” supozuar i një 13-vjeçareje me origjinë ruse. Mediet ruse përhapën njoftime horror për “aktin e turpshëm” dhe treguan madje edhe një video me përdhunuesin e supozuar. Budallallëku ishte që videoja qe xhiruar para gjashtë vjetësh.

Ndërkohë ka kohë që është bërë e qartë se nuk ka pasur as rrëmbim, as përdhunim të vajzës. Nuk janë gjetur shenja se janë kryer marrëdhënie seksuale. Madje edhe avokati i vajzës flet për një rast pedofilie. Kontakte seksuale të çdo lloji qofshin me të mitur, edhe nëse janë “në marrëveshje”, mbeten një krim i rëndë. Zëdhënësi i shtypit i Prokurorisë së Berlinit dha siguri në bisedë me DW se dorasi potencial tashmë është identifikuar. Fjalën e fundit do ta thotë gjykata. Deri këtu historia.

Njeriu sovjetik jeton. Edhe në Gjermani

Në kohët sovjetike, partia i kishte vënë vetes synimin që të krijonte një lloj njeriu të ri: njeriun sovjetik. Tani prej kohësh Bashkimi Sovjetik nuk ekziston më dhe komunistët e Rusisë janë një anakronizëm i korruptuar, por njeriu sovjetik ka mbijetuar. Edhe këtu në Gjermani.

Njëra prej tyre ndodhet në arkën e një dyqani ushqimesh në Bonn. Ajo flet një gjermanishte deri diku të arsyeshme, por preferon rusisht. “Nuk do ta besoni, çfarë përjetova. Jam kaq e lumtur, sa nuk e përfytyroni dot!” Ajo kishte kaluar pushimet në Sankt Petersburg. Jo nuk kishte shkuar as në Eremitage, as në Mariinski-Teatër të famshëm në të gjithë botën. Ajo kishte vizituar shtëpinë e lindjes të Vladimir Putinit. A e kishte shqetësuar era e urinës së maceve atje, gjë me të cilën tallet gjithë Rusia, e pyeta. Kjo pyetje ishte gati fyerje e madhërisë. Ajo nuk më përshëndet më.

Veç kësaj, i shoqi kishte ndenjur në shtëpi. Ata kanë dy televizorë në shtëpi: ai, rus etnik preferon filmat policorë amerikanë. Ajo, gjermane nga Siberia shikon programet ruse. “Gjermanët vetëm gënjejnë”, thotë ajo.

Një i njohur shumë inteligjent, tolerant dhe me takt në jetën e përditshme nga Berlini e humbet kontrollin, po të bjerë fjala te konflikti i Ukrainës. Ai është i bindur se “fashistët” ukrainës kryqëzojnë fëmijë dhe i djegin të gjalla gratë. Dëshmitë “e pakundërshtueshme” ai i ka parë në televizor. Në cilat stacione? Natyrisht në ato ruse. Programet gjermane ai nuk i shikon. “Gjermanët budallenj bëjnë mirë të mos përzihen, ne sllavët do ta rregullojmë mes nesh konfliktin”, mendon ai. Dhe harron se në Gjermani ka ardhur si kontigjent hebre.

Secili ka mendjen e vet

Në kohët sovjetike, për programet televizive bëheshin shaka të pafundme. Kur në dyqane nuk gjeje qumësht, këshilla e mirë që dëgjoje ishte “Vare kanën e qumështit në televizor, për tre minuta të mbushet sa të derdhet!” Kuptohet që disa e kanë marrë me vete këtë mosbesim tradicional dhe e kanë përcjellë te programet televizive gjermane. E pakuptueshme është megjithatë se si vazhdojnë t’i besojnë propagandës së shfrenuar të Moskës.

 Alexander WarkentinAlexander Warkentin

Shumica ndihen mirë në Gjermani. Disa, si këngëtarja Helene Fischer, janë bërë të famshëm. Thuajse asnjëri nuk ka dëshirë të kthehet në Rusi ose në Kazakistan, nëse shkon, vetëm si vizitor i pasur nga Perëndimi. Por disa edhe pas 20 vitesh nuk kanë mbërritur në Gjermani. Sa më gjatë që jetojnë në një vend të huaj, aq më shumë u turbullohet vështrimi për vendin e rinisë së tyre. Kështu që bëhen pre e shumë teorive komplotiste. Kësaj i shtohet edhe propaganda ruse, nxitjet e Pegidas, AfD, NPD e me radhë.

Ka teoricienë të komploteve që thonë se Moska derdh fonde propagande që ata të protestojnë në Gjermani. Por shumë e bëjnë me iniciativë të lirë, sepse janë vërtet të zemëruar. Dhe as duan t’i dinë faktet. Secili ka të drejtë të mbajë në mendjen e tij përfytyrime imagjinare.

SHKARKO APP