Biznesi i ndërtimit dhe paratë e drogës!
“Duke bërë gjithsecili punën e tij. Edhe tatimet, edhe pastrimi i parave, edhe bankat, që në shumicën e rasteve janë lavatriçja nga pastrohen këto para ilegale. Vetëm atëherë beteja me krimin do jetë rezultative. Vetëm atëherë kriminelët do të ndihen të pasigurtë dhe shoqëria më e lehtësuar. Sepse një shoqëri që beson se zhvillohet me para droge dhe prostitucioni është që në bazë një shoqëri e pashpresë. Një shoqëri e kapur nga krimi”…
Nga Blendi Fevziu –
Policia njoftoi dje se ka ndaluar një bandë të madhe të trafikimit të drogës, me shtrirje ndërkombëtare. Aktiviteti i bandës përfshinte 4 vende të Ballkanit, por një pjesë e mirë e saj vepronte në Shqipëri. Duke ju referuar thjeshtë informacioneve të policisë dhe pa i hyrë analizës nëse alarmi i dhënë prej saj është i vërtetë apo i ekzagjeruar, ajo që të bën përshtypje është jo aktiviteti ilegal, por ai legal i të akuzuarve. Thënë ndryshe, aktiviteti i parë dhe kryesor i personave ka qenë trafiku i drogës, por paralel me të, ata kishin ngritur edhe një aktivitet legal, që sipas policisë investohej me paratë e drogës. Ata ishin kryesisht biznesmenë ndërtimi, të të gjitha formateve dhe zhvillues turizmi. Pra, nëse ndjekim llogjikën e policisë, paratë informale, formalizoheshin dhe prodhonin para të tjera të pastra përmes investimeve në ndërtim.
Ky nuk është rasti i parë që persona të ndalur nga policia, të akuzuar nga Prokuroria apo të dënuar nga gjykata shfaqen paralel me aktivitetin e tyre kriminal edhe si biznesmenë, kryesisht ndërtimi. Në fakt gjithë skema e zbardhur nga policia dhe prokuroria, nuk bën gjë tjetër veç përforcon bindjen se kontrolli i shtetit dhe hallkat e tjera të tij, kanë dështuar krejtësisht në këto 3 dekada e gjysëm. Për hir të një tradite zhvillimi të shpejtë, për hir të mungesës së kontrollit apo filozofisë politike të pas viteve ’90, disa nga sektorët kyç të ekonomisë u bënë lavatriçe të mëdha të pastrimit të parave të drogës dhe trafiqeve. Këto para trafiqesh prodhuan para të tjera, të cilat, të konsideruara tashmë të ligjshme, prodhuan biznesmenë “të nderuar”, sponsor politikë dhe madje edhe politikanë të ardhshëm, duke përmbyllur një cikël të plotë të ekonomisë së kriminalizuar që çon drejt politikës së kriminalizuar.
Për t’u kthyer sërish tek rasti i djeshëm, shtypi ka publikuar një përgjim në të cilin njëri nga personazhet i thoshte nënës së partnerit të tij të arrestuar se kishte paguar 150 mijë euro për të transferuar Prokurorin që po merrej me çështjen. Duket e vështirë që kjo të jetë e vërtetë, por edhe nëse jo, mjafton ideja për të kuptuar se ky sistem ka nisur tani të funksionojë pikërisht kështu. Paratë e krimit i investon në ekonomi legale dhe pastaj paratë nga aktiviteti legal i përdor për të siguruar favore në shkelje të ligjit.
Shqipëria nuk është as vendi i parë dhe as i fundit që zbaton një skemë të tillë. Mafia Siciliane e viteve ’80 mori goditje fatale kur Gjenerali Dela Kieza filloi të hetonte burimin e pasurisë së tyre dhe burimin financiar të investimeve legale. Kjo mënyrë ka dhënë rezultat edhe në vende të tjera ku shteti nuk ka qenë i fuqishëm të kontrollojë që në fillim burimin e investimeve. Ndaj edhe Shqipëria duhet të fokusohet në këtë pistë. Pa hetuar burimin e investimeve dhe rrugën se si janë investuar këto para, lufta me krimin dhe kontrolli ligjor do të jenë gjysmakë. Krimi nuk luftohet vetëm me polici dhe prokurori. Krimi luftohet duke vënë në punë të gjitha institucionet. Duke bërë gjithsecili punën e tij. Edhe tatimet, edhe pastrimi i parave, edhe bankat, që në shumicën e rasteve janë lavatriçja nga pastrohen këto para ilegale. Vetëm atëherë beteja me krimin do jetë rezultative. Vetëm atëherë kriminelët do të ndihen të pasigurtë dhe shoqëria më e lehtësuar. Sepse një shoqëri që beson se zhvillohet me para droge dhe prostitucioni është që në bazë një shoqëri e pashpresë. Një shoqëri e kapur nga krimi! Opinion.al