Biznesi si kaçak mali (Kuponi dhe kuptoni)
Nga Artan Fuga
Me të drejtë kërkohet që bizneset e vogla, shumë të vogla, të mesme, të mëdha, t'i japin klientit kuptonin tatimor.
Kjo është abc e ekonomisë dhe e shtetit të së drejtës. Nuk ka këtu lot krokodili gjoja për të përjashtuar disa si të vegjël dhe gjyhnaqarë. Pikë pikë disa prej tyre jo vetëm përmbysin Tiranën, por edhe bëjnë "liqene" e "rezervuare" ku kalon trafiku i pares, i interesave dhe i privilegjeve.
Me kasa, madje jo nga këto që janë tani, se ato që ndodhen në veprim dhe u kërkohen, janë si të epokës të gurit, duan nga një polic te koka e arkëtarit për të bërë atë që duhet bërë.
Më mirë t'i detyrojmë bizneset të blejnë ndonjë polic seicili, me këto kasa.
Ehu cfarë është një kasë e vërtetë që cdo akulloreshitës në Perëndim është i pajisur. Po të doni ju blej unë një me paratë e mia, ndaç ma rambursoni, ndaç jo.
Sa për ta parë si ekspozitë. Llahtar kalkulimesh, e thjeshtë fare, jo e shtrenjtë, por që nuk të le xhap të bësh, pa pasur nevojë as për grupe kontrolli puntor-fshatar – polic – kontrollor.
Përpunon informacion aq sa kishte fuqi përpunim anija kozmike Apollo 11 ku shkoi në hënë. Ishte qerre kozmike në fakt.
Puna është nga ana e filozofisë të ekonomisë dhe e sociologjisë të sipërmarrjes, duhet shtruar një pyetje kapitale :
A e dini se përse i bëhet bisht kuponit tatimor?
Sepse biznesi shumë i vogël dhe i vogël po pagoi taksat me kupton, thjesht falimenton. Ai i falimentuar është, por po pagoi edhe taksat me kupon thyhet fare në dysh. Ato nuk janë biznese, ato janë mjete mbijetese të mjera. Tatimet u marrin si taksa atë që ua japin si ndihmë financiare si të papunë.
Ku ishe ? Asgjëkundi.
Biznesmenët e vegjël shqiptarë nuk janë keqbërësa, ata janë hallexhinj që duan të mbijetojnë, por pa punuar. E para sepse nuk ka punë, e dyta sepse ata quajnë punë qendrimin gjysëm të përgjumur prapa banakut, duke "hangur" fara dhe para televizor seancat e parlamentit dhe serialet turke me incest familjar.
Po sikur ata të na hakmerren, ta mbyllin dyqanin a veprimtarinë dhe të shkojnë të presin në radhë jo për të rregjistruar biznesin e tyre, por për t'u rregjistruar si të papunë që ne t'i mbajmë me bukë?
Mos u shkoftë mendja o Zot!
Na rroftë kuponi. Taksat që mblodhëm do t'i paguajmë për ndihmë për të papunët. Shto buxhetin në të ardhura, por shto edhe shpenzimet.
Ekonomia nuk është volontarizëm, por sistem i tërë bashkveprues. Ka punë puna. Nuk bëhet me polici e shtrëngime.
Këta të vegjlit janë me mijra e dhjetramijra. Duhen qindra e qindra kontrollorë çdo ditë. Cfarë do të bëjmë me taksat e vjelura plus? Do të paguajmë rrogat e kontrollorëve të licensuar për të mbledhur taksa e kupona !!!
Ku ishim? Asgjëkundi.
Po biznesi i madh? Po të digjet biznesi i vogël, kjo ekonomi natyralisht ilegale dhe klandestine, edhe biznesi i madh, në shumë drejtime, do të pësojë goditje sepse edhe ajo klientelë e brendshme që ka një farë fuqie minimale blerëse, do të boshatiset krejt nga xhepat.
Nga njëqind shitësa të rrugicës sime, do të mbeten dy a tre, ata më të fuqishmit, që do të presin që qepenambyllurit e tjerë tani të vijnë ata si klientë.
Prit gomar të mbijë bar.
Pse? Sepse ish dyqanxhinjtë e kthyer në klientë nuk kanë më asnjë lek në xhep.
Pra, kuponi duhet, pra është e drejtë të kërkohet, por duhet menduar më thellë për atë që filozofi Mishel Fuko, e quante "ilegalizëm i domosdoshëm". Mos është fshehja e taksave duke mos dhënë kupon, mjeti i fundit i mbijetesës të një biznesi të vogël dhe gjysëm të mesëm të shtrirë kapilarisht?
Unë besoj se po. Kjo është drama jonë sipas meje, ku normativizimi i plotë i këtij biznesi, kthimi te normat, rregullarizimi i tij, instituicionalizimi i tij, e falimenton atë.
Ne ndodhemi përpara dramës shekspiriane të rrosh apo të mos rrosh? Ta kemi të parregullt ligjërisht biznesin e vogël e të mesëm? Apo ta kemi të rregullt dhe ta falimentojmë?
Ka zgjidhje patjetër. Por, ato nuk po kërkohen. Sa është e lehtë ta kesh biznesin në gjendje robinhudiane, pra gjysëm kaçaku e hajduti, po aq e lehtë të mendosh se pas cdo qepeni duhet të rrijë një polic, roje, apo kontrollor. Por, asnjëra nga këto dy metoda nuk ecën.
Shumë shpejt do ta provoni këtë që them.