Biznesmeni Rasim,dy ministrat Beqja e Koka si dhe Erion Veliaj

Nga Nikoll  LESI.

Mund të jeni në çdo detyrë; mund të jeni punëtor, mund të jeni deputet, ministër, më lart se ministër, mund të jeni nëpunës, mund të jeni i papunë, mund të jeni çfarëdo në këtë shtet, por pikësëpari jeni qytetar i Republikës që zbaton ligjin, porse kërkon që ligji të jetë i drejtë me ty.

Edhe unë jam gazetar, botues dhe në radhë të parë qytetar i Bashkisë së Tiranës prej 21 vitesh. Paguaj taksa, paguaj detyrimet ndaj Bashkisë e shtetit, respektoj ligjin, ashtu sikurse dua të zbatohet ligji kudo e kurdo. Pa e kaluar sensin e modestisë mund të them se nuk jam njeri i panjohur në këtë vend, ku jetojmë.

U solla e u mbështolla disa herë, nëse duhej ta bëja publik një shqetësim timin e në fund vendosa ta shkruaj, sepse kur më bëhet mua një padrejtësi – pasi nuk jam njeri pa njeri , kam gazetë, bëj paksa zhurmë në këtë shtet, njihem, nuk është krejt e kollajtë të më dhunojnë të drejtat e mia ligjore – pra merre me mend se çfarë i bëjnë një qytetari të thjeshtë, pa përkrahje, pa mundësi të flasë për hallet e tij, etj..

Ndaj po e bëj publike!

Dikush mund të thotë se, “nuk mund të biesh kaq poshtë sa të merresh me një biznesmen me emrin Rasim në Tiranë”, por nga halli im dua të tregoj se çfarë heqin qytetarët e thjeshtë në këtë shtet që nuk kanë përkrahje, që nuk paguajnë rryshfet dhe se leku, apo euro – po të doni edhe dollari – bën me shumë punë se sa ministri, ligji dhe polici.

Rasimi është një biznesmen që ka biznese nëpër Tiranë, por Rasimi doli më i fortë se ligji, se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, se ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, se ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe se kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.

Banoj në një apartament në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë, në katin e dytë të një pallati të kohës së Enverit. Poshtë në katin e parë Rasimi, personazhi ynë,  ka bërë një tjetër biznes të tijin. Natyrisht do të punojë e jetojë si gjithë të tjerët edhe Rasimi ynë. Por kjo nuk të jep të drejtë  që të jetosh duke shkelur rregullat e ligjet apo duke cënuar komunitetin që banon në vendin ku bën biznesin.

Prej disa vitesh, një si rrotullamë për bërje mielli a embëlsirash sillet me një zhurmë të papërballueshme poshtë në katin e parë që në ora 05.00 të mëngjesit, tamam kur mendon se je në gjumin  e mëngjesit dhe natyrisht nga kjo zhurmë njeriu zgjohet e sa më shumë përpiqesh të flesh përsëri, aq më acaruese bëhet melodia e brumatriçes së Rasimit. E si të mos mjaftojë “orkestra” rasimiane fillon dhe gumëzhijnë dhjetra frigoriferë që duhet të mbajnë ftohtë ëmbëlsirat e Rasimit, më pas aspiratorët turren kush e kush të gumëzhijë më shumë dhe një super pompë uji që të mbushë depozitat e Rasimit tek dritarja e dhomës së gjumit, fillon “simfoninë e 7-të, të Bet’hovenit”. “Muzikë” që as dirigjenti Eno Koço nuk mund ta nxirrte kaq bukur, duke akorduar krejt këtë ansambël brumatriçesh, frigoriferësh të mëdhënjë, elektropompash, aspiratorësh !

Këtë “orkestër” zhurmash, që do ta kishte zili edhe orkestra e Radiotelevizionit Publik të Martin Lekës, po e drejton “dirigjenti” Rasim. Kjo punë prej disa vitesh. Epo thashë, “po ankohem në shtetin tim, pasi boll kam shkruar për hallet e të tjerëve”. Kështu, pasi takova zotin Rasim dhe nuk po “hante pykë” – ndonëse ka bërë shtesë të paligjshme deri buzë dritareve të katit të dytë, porse i ka legalizuar dhe për momentin Bashkia nuk kishte ç’ti bënte, megjithse ka bllokuar edhe trotuarin e qytetarëve – mendova t’i drejtohem institucioneve që merren me problemet e zhurmës, tymit, ndotjes së mjedisit, etj..

Vrava mendjen dhe thashë “ e gjeta!”: Po marr ministrin e Shëndetësisë,Ilir Beqja sepse Instituti i Shëndetit Publik varet nga kjo ministri për të matur nivelin e zhurmave natën. E dija se bëhet nami në Tiranë për zhurmat nga lokalet e natës dhe bizneset e katit të parë, porse kur e provon vetë ia di kiametin hallexhiut.

-Alo, zoti Ministër! Më falni që ju shqetësoj, por ju lutem kam një shqetësim (dhe i tregova hallin).

-Pa merak!- më thotë- Do nis specialistët e Institutit të Shëndetit Publik ta verifikojnë.

Shpresova i gëzuar se shpëtova nga Rasimi.Realisht erdhën specialistët dhe më pas, më datë 19 maj 2014 me shkresën numër 133/1 drejtori i Insitutit të Shëndetit Publik, më kthen përgjigje që keni të drejtë. Pothuajse pesë netë shpëtova pas kësaj shkrese. Por prapë filloi Rasimi! “Dirigjenti” nuk mund të jetojë pa “orkestrën” e tij! Ç’të bëj, mendoja mes kësaj “simfonie” zhurmash të katit të parë të Rasimit, “orkestër”, e cila nuk luan vetëm ditën, por edhe natën. Ndërkohë kisha folur mbi 18 herë me dy ministrat, të shëndetësisë dhe të mjedisit, sepse vartësit e tyre nuk po kryenin detyrën, ose korruptoheshin me sa duket ose ia kalonin fajin kryebashkiakut.

Ndaj mora kryetarin e Bashkisë, pasi ministrat ia kalonin “topin” kryetarit të Bashkisë.

-Nuk e kam unë në dorë si Bashki! – tha me elokuencë.

Por sipas Udhëzimi nr.5, datë 26.11.2010 për “KRITERET DHE PROCEDURAT PËR PAJISJEN ME LEJE TË THJESHTË MJEDISORE TË VEPRIMTARIVE QË LËSHOJNË ZHURMA NË MJEDISE” , për pajisjen me leje të thjeshtë mjedisore (autorizim mjedisor), subjekti fizik apo juridik që kërkon të ushtrojë veprimtarinë paraqet pranë QKL-së, duhet të plotësojë një sërë dokumentsh ndër të cilat dhe : f) Mendimin e njësisë së qeverisjes vendore ku të shprehet opinioni për zhvillimin e veprimtarisë; g) Një procesverbal ku të tregohet që janë konsultuar dhe është marrë mendimi i banorëve pranë vendit ku do të zhvillohet veprimtaria.

Nuk e di se cili ka qënë mendimi i bashkisë për këtë furrë, pasi vetem në një distancë prej 100 m në drejtime të ndryshme me furrën që po ngre Rasimi janë të paktën katër furra të tjera buke, por ato të paktën janë ndërtuar në godina të reja, më të larta, të ndërtuara posaçërisht për ambjente biznesi.

Ndërsa nga ministria e Mjedisit thonë se paskan ardhur dy nëpunës të cilët kanë pyetur ndonjë banorë “nëse e duan apo jo një furrë buke në pallat”, ndërsa ne që jemi të prekur direkt nga kjo furrë as na pyeten, as na dëgjuan dhe paskan hartuar një proces verbal. Pyetje vjen se kush e ka fallsifikuar proces-verbalin në emër të banorëve? Ndërkohë asnjë banor i pallatit nuk ka firmosur për ta bërë furrën e bukës në pallat, pasi jo vetëm ka zhurma, por edhe tym, gazra, etj., që do të thotë se ndikon drejtpërdrejtë në shëndetin dhe jetesën e banorëve.

Ndërkohë Rasimi ynë, pa e çarë kokën, fillon punën për montimin e furrës së re të bukës. Filloi shkallmimin e murëve, matrapik përditë, zhurma dhe furra u bë gati për inagurim. Epo ky Rasimi qenka për deputet mendova, por nga këta deputetët e këtij mandati që ka sot parlamenti. Nuk ia ndjen për asgjë, as për banorë, as për ligj, pasi kushdo që shkonte nga nëpunësit e shtetit trokiste serioz tek Rasimi në emër të ligjit dhe dilte duke buzëqeshur e fërkuar xhepat pas inspektimit.

Mora në telefon ministrin e Mjedisit Lefter Koka për t’i sqaruar se vartësit e tij vijnë, shohin, takojnë Rasimin, relaksohen dhe ikin. Vijnë prapë, rrijnë, shikojnë, buzëqeshin e largohen për të pushuar në fundjavë në restorante të shtrenjta, pasi “inspektojnë” Rasimin.

E kjo punë për disa vite, porse këtë vit vijnë më shpesh specialistët e mjedisit dhe vendorët e Bashkisë tek Rasimi. E takojnë, bisedojnë se si mund të bëjnë ligje më të mira deputetët në parlament, kalojnë afër një  ExChange ngjitur furrës së bukës, konvertojnë eurot dhe ikin.

Pra me pak fjalë, Rasimi doli më i fortë se Erion Veliaj, Lefter Koka dhe Ilir Beqja.

Qenka burrë i zoti Rasimi, tamam për në parlament!

Ça i bëjnë popullit të thjeshtë këta që vijnë tek Rasimi e tek rasimët! Ndaj fola në publik për hallin tim që më ka zënë me Rasimin tonë. Një mendje më thotë që ta lë gazetarinë e të filloj furrtar tek Rasimi ynë ! Nuk është keq apo?! Të paktën më mësohen veshët me “orkestren”  e tij të katit të parë gjithë ditën dhe natën nuk do ta dëgjoj “Simfoninë e 7-të të Bet’hovenit”.

Më regjistro si furrtarin tënd, Rasim !

SHKARKO APP