Bledi Çuçi dhe fati i 64 ministrave të Brendshëm në 108 vjet shtet shqiptar
Vera e re në fuçinë e vjetër
Dikasteri më i rëndësishëm në vend si Ministria e Brendshme, ka shërbyer për karrierë të lartë politike për individët që morën këtë detyrë, por u kthye edhe si vend i “mallkuar” për të tjerë që u përballën me dënime. Vetëm në vitet e demokracisë janë ndërruar 25 ministra të Brendshëm.
Nga Roland Qafoku
Bledi Çuçi është ministri i Brendshëm i 64-ët në historinë e shtetit shqiptar dhe i 25-të pas rrëzimit të sistemit komunist. Pavarësisht cilësive pozitive që zotëron, marrja e detyrës prej tij shoqërohet me shumë dilema. Dilema që nisin më shumë nga detyra e rëndë se sa nga ai vetë. Një post që më shumë ka qenë një minë me sahat se sa një detyrë e zakonshme në zyrën e shtetit. Herë është e lidhur me fuqinë e detyrës për shkak të informacionit që zotëron, herë është lidhur me konkurrencën politike e herë me eliminimin e kundërshtarëve.
Mjafton të përmendim se këtë detyrë e kanë mbajtur ata që kanë bërë karrierë të lartë në politikë duke u bërë më pas figura qendrore në politikë ose kanë mbajtur postet më të larta të shtetit si kryeministër, president e deri mbret, si Ahmet Zogu, Esat Toptani, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Gramoz Ruçi, Luan Rama, Sokol Olldashi, Bujar Nishani, Lulzim Basha, e të tjerë.
Bledi Çuçi është ministri i 4-ët i Brendshëm që Partia Socialiste po mbyll për 8 vite në dy mandate. Sipas llogarive, nga vitit 1990 deri më sot, një ministri të Brendshëm i takon mesatarisht 1 vit e 2 muaj qëndrim në detyrë.
Rekordmeni i qëndrimit në detyrën e ministrit të Brendshëm në historinë 108-vjeçare të shtetit shqiptar është Kadri Hazbiu. Ai e mbajti këtë detyrë nga 23 korriku i vitit 1954 deri në 27 dhjetor 1979, ose qendroi 25 vjet, 5 muaj e 4 ditë. Një rekord ky që nuk ka fare shans ta thyejë dikush.
Ndërkohë, rekordmeni i kohëzgjatjes më të gjatë në detyrën e ministrit të Brendshëm pas vitit 1990 është Saimir Tahiri me 3.5 vjet. Por nëse merren së bashku të dy herët që ka mbajtur këtë post, Bujar Nishani është i pari me 3.7 vjet qëndrim në këtë detyrë. Ministri i Brendshëm më jetëshkurtër pas rrëzimit të komunizmit është Ali Kazazi, me 21 ditë. Ai qëndroi në këtë detyrë nga 4 korriku 1997 deri më 25 korrik 1997.
Bledi Çuçi është juristi i 6-të i tranzicionit pas Igli Toskës, Sokol Olldashit, Lulzim, Bashës, Saimir Tahirit dhe Fatmir Xhafës. Gjatë tranzicionit kanë qenë ministra të Brendshëm 3 oficerë të ushtrisë Buajr Nishani, Dritan Demiraj, Sandër Lleshaj. Po 3 kanë qënë edhe oficerët e policisë: Hajredin Shyti, Bajram Yzeiri dhe Vladimir Hysi. Bujar Nishani dhe Fatmir Xhafa kanë qenë nga dy herë ministër të Brendshëm.
Por dilema më e madhe e Bledi Çuçit është se si do largohet nga kjo detyrë? Fatkeqësia është se pothuajse nuk ka ndodhur fare që një ministër i Brendshëm të largohet në mënyrë normale nga kjo detyrë. Kam patur fatin që të intervistoj pothuajse të gjithë ministrat e tranzicionit.
Madje edhe Hekuran Isain pasi kishte lënë detyrën dhe të gjithëve u kam drejtuar pyetjen: Si e parashikoni se do largoheni nga kjo zyrë? E vërteta është se largimi ka qenë shumë më interesant se sa përgjigja që ata kanë dhënë.
Gjithsesi, posti i ministrit të Brendshëm i cilësuar më i rëndësishmi, por edhe më delikati është një kafshatë që kërkon stomak të rëndë. Kështu nga 64 ministra të Brendshëm rezulton se 8 prej tyre janë vrarë në rrethana të ndryshme kryesisht në atentate. Ndërkohë 8 ministra të Brendshëm janë pushkatuar të dënuar me vdekje nga gjykatat si gjatë kohës së Mbretërisë por edhe gjatë Komunzimit. Të dhënat janë që 7 ministra të Brendshëm janë dënuar më vdekje por i kanë shpëtuar këtij dënimi duke e konvertuar me burg.
Numri më i madh i takon ministrave të Brendshëm që janë arrestuar për një akuzë apo tjetër por kryesisht për veprimtarinë e tyre gjatë kësaj detyre. Janë 20 ministra të Brendshëm që kanë provuar prangat por 12 prej tyre janë dënuar me burg që variojnë deri në shumë vite dhe 8 të tjerë janë pushkatuar siç u përmend më lart. Është e rëndësishme të evidentojmë se mes 64 ministrave të Brendshëm, 3 prej tyre janë dënuar për genocid dhe 1 është i arrestuar me akuzën për krime lufte që do tia kishte zili edhe Gjykata e Hagës. Pas rrëzimit të sistemit komunist ndonëse pasojat kanë qënë më të vogla, ato janë të natyrës së shkarkimit dhe të pasojave politike. Kështu nga 25 ministra të tranzicionit, 7 kanë dhënë dorëheqjen. Vlen të theksohet se të tre ministrat e Brendshëm të qeverisjes së PS-së 2013-2020 janë larguar me dorëheqje pas çështjeve të forta publike që kanë ndodhur, ndryshe nga ministrat e qeverisjes së PD që janë larguar nga rrethana që lidhej me ndryshimet në qeveri.
1912-2020, ministrat e Brendshëm të shtetit shqiptar. Nga Mufid Libohova dhe Bledi Çuçi. Koha në detyrë dhe cili ka qenë fati i tyre.
- MUFID LIBOHOVA, (DHJETOR 1912-KORRIK 1913), (GUSHT 1919-JANAR 1920). U arrestua dhe më pas u dëbua nga Shqipëria në 1924.
- ESAD PASHË TOPTANI (KORRIK 1913-GUSHT 1913), (MARS 1914-MAJ 1914). U vra në atentat.
- HASAN PRISHTINA (SHTATOR 1913-NËNTOR 1913). U vra në atentat.
- FEJZI ALIZOTI (NËNTOR 1913-MARS 1914). U pushkatua në 1945 si armik.
- AQIF BIÇAKU (MAJ 1914-SHTATOR1914). Iu rrethua shtëpia dhe u detyrua të largohej nga Shqipëria.
- SHAHIN DINO (TETOR 1914-JANAR 1916) U arrestua nga ushtarakët francezë dhe u internua në ishullin grek Lesbos.
- MEHDI FRASHËRI (DHJETOR 1918-GUSHT 1919) (JANAR 1921-KORRIK 1921). U vendos në listën si kriminel lufte duke e dënuar me vdekje në mungesë, u përndoq dhe iu sekuestrua shtëpia dhe të gjitha pronat. Ndërsa familja në Shqipëri u persekutua dhe u internua. Vdiq në Itali.
- AHMET ZOGU (JANAR 1920-NËNTOR 1920) (DHJETOR 1921-MARS 1923). U shpall kriminel lufte dhe u dënua me vdekje në mungesë.
- XHAFERR YPI (NËNTOR 1920-JANAR 1921). U vra gjatë luftës italo-greke në Starje të Kolonjës nga një predhë mortaje.
- SULEJMAN DELVINA (KORRIK 1921-TETOR 1921) U përndoq nga Ahmet Zogu si mbështetës i Fan Nolit. Pas largimit në Itali, iu ndalua hyrja në Shqipëri. Vdiq në Vlorë i dënuar të mos jetonte në Tiranë.
- BAJRAM FEVZIU, (TETOR 1921-DHJETOR 1921) Pas riardhjes së Ahmet Zogut në pushtet, në 1924 Bajram Fevziu u nxor në lirim në moshë shumë të re duke i hequr mundësinë të ushtronte profesionin e tij si i diplomuar ushtarak në Stamboll dhe i diplomuar në Akademinë e Shtatmadhorisë në Vjenë.
- LUIGJ GURAKUQI (6 DHJETOR 1921-12 DHJETOR 1921). U vra në atentat në Bari të Italisë teksa ishte emigrant politik pas largimit në 1924.
- RAUF FICO (12 DHJETOR 1921-24 DHJETOR 1921) (MARS 1930-SHTATOR 1930) U arrestua nga italianët pas pushtimit në 1939 dhe u internua në Itali.
- SEJFI VLLAMASI (DHJETOR 1923-MARS 1924). U arrestua dhe u dënua me 20 vjet burg. Pasi bëri 9 vjet punoi si roje e një stalle derrash në Fier deri sa vdiq.
- SHEFQET VËRLACI (MARS 1924-MAJ 1924). U përndoq, iu sekuestruan të gjitha pronat. Familja që la në Shqipëri u persekutua. Pas arrestimeve të pjesëtarëve të saj e gjithë familja u internua.
- ABDURRAHMAN DIBRA (MARS 1924-QERSHOR 1924) (SHKURT1927-MAJ 1928). Pas pushtimit të Shqipërisë, italianët e internuan në Itali. Pas mbarimit të luftës ai vetë u persekutua, ndërkohë që i arrestuan të birin dhe e dënuan me burg.
- REXHEP SHALA (QERSHOR 1924-DHJETOR 1924). U përndoq pas largimit nga detyra si pjesë e hetimit për vrasjen e dy biznesmenëve amerikanë në Mamurras.
- KOSTAQ KOTTA (SHKURT 1925-PRILL 1925) (MAJ 1928-MARS 1930) U rrëmbye në Greqi nga Sigurimi i Shtetit, u burgos në burgun e Burrelit ndërtimin e të cilit e firmosi vetë dhe u vra në atë burg.
- CENO KRYEZIU (PRILL 1925-SHTATOR 1925). U vra në një atentat në Pragë kur ishte ministër i Shqipërisë në Çekosllovaki.
- MUSA JUKA (SHTATOR 1925-SHKURT 1927) (NËNTOR 1930-TETOR 1935) (NËNTOR 1936-PRILL 1939). U arratis më 6 prill 1939. U shpall kriminel lufte dhe u dënua me vdekje në mungesë.
- ETHEM TOTO (TETOR 1935-NËNTOR 1936). U pushkatua pas dënimit me vdekje nga një gjykatë gjatë kohës së mbretërisë së Ahmet Zogut.
- ZEF KADARJA (8 PRILL 1939-12 PRILL 1939). U pushkatua pas dënimit me vdekje në 1945 nga regjimi komunsit.
- MALIQ BUSHATI (PRILL 1939-DHJETOR 1941). U pushkatua pas dënimit me vdekje në 1945 nga regjimi komunist.
- MUSTAFA KRUJA (DHJETOR 1941-JANAR 1943). U shpall kriminel lufte dhe u dënua me vdekje në mungesë.
- EQREM LIBOHOVA (18 JANAR 1943-23 JANAR 1943). U shpall kriminel lufte dhe u dënua me vdekje në mungesë.
- FIQIRI DINE (JANAR 1943-SHKURT 1943) (KORRIK 1944-GUSHT 1944). U arrestua, u shpall kriminel lufte dhe u dënua me vdekje në mungesë.
- MARK GJON MARKAJ (SHKURT1943-PRILL 1943). U vra gjatë ndjekjes së forcave komuniste pas luftës.
- KOL BIBË MIRAKAJ (MAJ 1943-SHTATOR 1943). U arrestua dhe u pushkatua pas dënimit me vdekje në gjyqin special 1945.
- XHAFERR DEVA (NËNTOR 1943-QERSHOR 1944). U shpall kriminel lufte dhe u dënua me vdekje në mungesë.
- IBRAHIM BIÇAKU (SHTATOR 1944-TETOR 1944). U arrestua, u dënua me vdekje. Më pas dënimi iu konvertua në burg dhe bëri 20 vjet. Vdiq si pastrues i banjove publike të Elbasanit.
- HAXHI LLESHI (TETOR 1944-MARS 1946). U arrestua për genocid dhe krime kundër njerëzimit dhe u dënua me burgim të përjetshëm.
- KOÇI XOXE (MARS 1946-TETOR 1948) U pushkatua një vendimi të një gjykate si armik i popullit dhe i PPSH.
- NESTI KERËNXHI (TETOR 1948-NËNTOR 1948). U arrestua, u dënua si armik i popullit dhe pas lirimit jetoi i persekutuar bashkë me familjen.
- MEHMET SHEHU (NËNTOR 1948-KORRIK1954). U gjend i vdekur në banesën e tij kur mbante detyrën e kryeministrit. Versioni zyrtar ishte i vetëvrasjes por provat e forta kanë nxjerrë nxjerrë si konkluzion se e kanë vrarë.
- KADRI HAZBIU (23 KORRIK 1954-27 DHJETOR 1979). U pushkatua pas dënimit nga një gjykatë si armik i popullit dhe Partisë së Punës.
- FEÇORR SHEHU (PRILL 1980-JANAR 1982). U pushkatua pas dënimnit nga nëj gjykatë si armik i popullit dhe Partisë së Punës.
- HEKURAN ISAJ, (KORRIK1982-SHKURT 1989) (KORRIK 1990-SHKURT 1991). U arrestua dhe u dënua për genocid me 5 vjet burg.
- SIMON STEFANI, (SHKURT 1989-KORRIK 1990). U arrestua dhe u dënua për genocid dhe u dënua me 8 vjet burg.
- GRAMOZ RUÇI (SHKURT 1991-MAJ 1991). U vu nën akuzë për ngjarjet e 2 prill 1991 por nuk iu vërtetua asnjëherë.
- HAJREDIN SHYTI (MAJ 1991-QERSHOR 1991). U arrestua dhe dënua për ngjarjen e 2 prillit 1991 në Shkodër në të cilën u vranë me armë zjarri katër protestues dhe u plagosën 65 të tjerë.
- BAJRAM YZEIRAJ (QERSHOR 1991-DHJETOR 1991)
- VLADIMIR HYSI (DHJETOR 1991-PRILL 1992)
- BASHKIM KOPLIKU (PRILL 1992-PRILL 1993)
- AGRON MUSARAJ (PRILL 1993-KORRIK 1996)
- HALIT SHAMATA (KORRIK 1996-MARS 1997). U arrestua në gusht 1998 me akuzën më të rëndë për krime kundër njerëzimit por pasi disa javësh në qeli u lirua për mungesë provash.
- BELUL ÇELO (MARS 1997-KORRIK 1997). U vu nën akuzë për ngjarjet e vitit 1997. U largua nga Shqipëria duke qenë në detyrë.
- ALI KAZAZI (4 KORRIK 1997-25 KORRIK 1997)
- NERITAN CEKA (KORRIK 1997-PRILL 1998). U largua nga kryeministri Fatos Nano.
- PERIKLI TETA (PRILL 1998-SHTATOR 1998). U arrestua në sallën e gjyqit. U largua pas deklaratës së PS dhe PAD janë dy halet e politikës shqiptare.
- PETRO KOÇI (TETOR 1998-MAJ 1999). U shkarkua nga kryeministri Majko pasi nuk iu aprovua dorëheqja.
- SPARTAK POÇI (MAJ 199-NËNTOR 2000). U largua nga detyra pas goditjes që u bëri bandave në të gjithë vendin.
- ILIR GJONI (NËNTOR 2000-JANAR 2002). U largua pas skandalit të pasaportave.
- STEFAN ÇIPA (SHKURT 2002-KORRIK 2002)
- LUAN RAMA (KORRIK 2002-TETOR 2003). Dha dorëheqje pas incidentit me gazetarin Ilir Babaramo.
- IGLI TOSKA (DHJETOR 2003-SHTATOR 2005). U akuzua në prokurori për abuzime por akuza nuk u vërtetua.
- SOKOL OLLDASHI (SHTATOR 2005-JANAR 2007)
- BUJAR NISHANI (MARS 2007-SHTATOR 2009) (PRILL 2011-QERSHOR 2012)
- LULZIM BASHA, (SHTATOR 2009-PRILL 2011). U vu nën akuzë për abuzime me rrugën e kombit, ngjarjen e 21 janarit 2011 dhe ndarja territoriale ujore me Greqinë, por këto akuza nuk janë vërtetuar asnjëherë zyrtarisht.
- FLAMUR NOKA (KORRIK 2012-MARS 2013)
- SAIMIR TAHIRI (SHTATOR 2013-MARS 2017). Pas heqjes dorë nga mandati i deputetit, prokuroria kërkoi arrestimin me akuzën trafik droge. Çështja është ende në gjykim, ndërkohë që akuza për trafik droge ka rënë dhe ka mbetur vetëm akuza shpërdorim detyre.
- FATMIR XHAFA (MARS 2017-MAJ 2017) (SHTATOR 2017-27 tetor 2018). Dha dorëheqjen pas dorëzimit të vëllait si person në kërkim në Itali.
- DRITAN DEMIRAJ (MARS 2017-SHTATOR 2017)
- SANDËR LLESHAJ (27 tetor 2018-10 dhjetor 2020). Dha dorëheqjen pas vrasjes në Tiranë të 25-vjeçarit Klodian Rasha nga polici i patrullës “Shqiponja” Nevaldo Hajdaraj.
- BLEDI ÇUÇI (16 dhjetor 2020- në vijim)
Fjala.al