Blendi Fevziu: Mafia fiton 160 mln euro në vit, kanë nisur të blejnë mediat, gjykatat dhe politikën
Brenda 10 vitesh, mafia mund të zotërojë afro 1.5 miliardë euro, që është një shumë që asnjë investitor nuk e ka ofruar në Shqipëri. Me këtë llogjikë, mafia do jetë investitori më i madh në vend dhe kjo do jetë fatale për të gjithë ne. Ata do blejnë dhe do drejtojnë politikën, do blejnë mediat, gjykatat dhe do sponsorizojnë ligje dhe qëndrime gjithnjë në favor të tyre. Madje besoj se kanë nisur ta bëjnë këtë, por deri tani, i frenon ende angazhimi ndërkombëtar….
Nga Blendi Fevziu
“Prokurori i Përgjithshëm i Republikës është kërcënuar direkt dhe indirekt. Kërcënimet kanë qenë të përsëritura dhe të referuara kryesisht nga shërbimet partnere, ndaj ai është vendosur nën mbrojtje së bashku me familjen e tij”.
Ky është pak a shumë informacioni që opinion.al ka marrë nga burime të besueshme diplomatike. Edhe pse prokuroria ka folur me një gjuhë të drunjtë, pa e pranuar, por edhe pa e përgënjeshtuar; edhe pse policia është shprehur se nuk ka ndonjë informacion konkret, vendosja e familjarëve të tij nën mbrojtje, në një vend të BE, sipas një programi të njohur dhe mjaft serioz tregon që situata nuk është as për t’u neglizhuar dhe as t’u shpërfillur siç ndodh rëndom në raste si këto.
Nuk ka shumë informacion për atë që ka ndodhur, por burime tonat kanë bërë me dije që kërcënimet kanë ardhur nga brenda vendit, por edhe nga jashtë, prej personave dhe grupeve të lidhura më kriminelë dhe narkotrafikantë të njohur në vend. Edhe pse disa prej të cilëve për momentin gjenden burg.
Të kërcënosh një prokuror apo njeri të ligjit nuk është një gjë e rrallë. Ka ndodhur në shumë raste, në Shqipëri e në botë. Ka pasur madje prokurë e hetues që janë goditur nga krimi dhe kanë humbur jetën në detyrë. Por të kërcënosh një njeri të ligjit padyshim që kërkon kurajo, besim dhe mbi të gjitha një mbështetje të fortë. Kush i mbështet banditët që kërcënojnë politikën? Dhe a po tregohet politika realisht aq e ashpër sa duhet në raport me krimin dhe krerët e tij?
Përgjigja është e vështirë të jepet edhe për një arsye të thjeshtë. Goditja e keqbërësve që shkelin ligjin publikisht apo që sfidojnë atë është më e thjeshtë. Ajo është e dukshme dhe të vendos përballë opinionit publik. Por goditja e mjeteve financiare që prodhojnë dhe fuqizojnë krimin nuk po ndodh.
Një burim zyrtar i shërbimeve partnere që merrem me hetimin e tregut të narkotikëve në Shqipëri, ka i thënë Opinion.al se sipas llogarive të tyre, mafia shqiptare ka një fitim prej afro 160 milion eurosh neto në vit. Sipas tyre, kjo është ajo që mbetet pasi janë hequr kostot e kultivimit, transportit dhe bashkishet e paguara në këtë drejtim. Edhe pse kjo shifër është afro 20 % e asaj që ngelet për mafian europiane që porosit hashashin, është sërish një shifër e frikshme për shoqërinë shqiptare. Imagjino një mafie që zotëron 160 milion euro të padeklaruara. Nuk dihet se sa është përtej kësaj, shifra që krimi harxhon për të korruptuar segmente të policisë, të politikës, të gjykatave apo edhe prokurorisë. Por dihet që këto para të fituara lehtë dhe të paligjshme janë para që investohen më kollaj në fushata elektorale, në korruptim të politikës dhe padyshim në kapje të saj.
Me këtë llogjikë, brenda 10 vitesh, mafia mund të zotërojë afro 1.5 miliardë euro, që është një shumë që asnjë investitor nuk e ka ofruar në Shqipëri. Me këtë llogjikë, mafia do jetë investitori më i madh në vend dhe kjo do jetë fatale për të gjithë ne. Ata do blejnë dhe do drejtojnë politikën, do blejnë mediat, gjykatat dhe do sponsorizojnë ligje dhe qëndrime gjithnjë në favor të tyre. Madje besoj se kanë nisur ta bëjnë këtë, por deri tani, i frenon ende angazhimi ndërkombëtar. Por një ditë edhe ky faktor nuk do jetë më dominant dhe të gjithë do detyrohemi të pranojmë kushtet e tyre.
Nëse nuk duam që një dekadë më pas të jetë shumë vonë, duhet të veprojmë tani. Ndryshe mafia do kërcënojë jo vetëm Prokurorin e Përgjithshëm, por këdo që do mendojë se i bëhet pengesë në planet e saj…Opinion.al