Blofi në Shkup i ustallarëve të natës

 

Nga Emin Azemi

Lojërat e shërbimeve të fshehta u treguan më efikase se politikat legale të shqiptarëve dhe kjo s’ka si të mos ketë koston e vet, duke e transferuar destabilitetin politik brendamaqedonas në një rrafsh rajonal.

Millosheviçët e vegjël të Shkupit, ndonëse të rinj në moshë, e kanë kuptuar se i vetmi shpëtim për shtendosjen e marrëdhënieve brendamaqedonase është involvimi i faktorit shqiptar përmes krizave të montuara. Pamundësia institucionale e shqiptarëve për parandalimin e këtyre krizave ka ngritur në alibi të rrejshme rrezikun se gjoja shqiptarët janë të vetmit destabilizues në rajon.

Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov ka nisur një letër te presidentët e shteteve anëtare të OKB-së, me anë të së cilës synon që fajin kryesor për konfliktin e 9 majit në Kumanovë t’ia hedhë Kosovës dhe disa politikanëve shqiptarë të Prishtinës. Në këtë mënyrë, Ivanov po nis një propagandë ndërkombëtare kundër Kosovës, duke e akuzuar shtetin e tij fqinj se nuk ka ndërmarrë masa për parandalimin e përleshjes së armatosur në Kumanovë.

Në letrën e Ivanovit, e cila përmban disa pika “sqaruese” për ngjarjen e Kumanovës, shpjegohet se gjoja njerëzit që kanë ndërmarrë aksionin në Maqedoni kanë qenë të lidhur ngushtë me disa liderë politikë të Kosovës.

Pavarësisht asaj çfarë efekti do të ketë pusulla e Ivanovit, megjithatë, lojërat e shërbimeve të fshehta u treguan më efikase se politikat legale të shqiptarëve dhe kjo s’ka si të mos ketë koston e vet, duke e transferuar destabilitetin politik brendamaqedonas në një rrafsh rajonal. Ata shqiptarë që s’kanë mundur ta kuptojnë këtë para se të ndodhë “Kumanova”, mbase tash i kanë më të qarta do punë.

Shqiptarët, tash po duhet të dalin nga kurthi që ua ngriti pakujdesia e tyre dhe djallëzia e të tjerëve. Propaganda antikosovare e Ivanovit po vjen mu në kohën kur Maqedoninë e ka mbërthyer një krizë e thellë politike dhe Shkupit nuk do t’i konvenonte një angazhim më i madh diplomatik në tejkalimin e kësaj krize, sepse do të dihej si do të përfundonte fati i Gruevskit. Ivanovi “e di shka ka shpija” dhe po ngutet të bëjë atë që kanë frikë ta bëjnë para tij Tirana e Prishtina. Ai edhe vetë e pranoi se shërbimet që janë nën juridiksionin e tij kushtetues i paskan ndjekur me kujdes mbi 8 muaj lëvizjet e “disa grupeve”, por nuk e tha se cili kishte qenë roli konkret i atyre shërbimeve në inskenimin e asaj që do të ndodhë më vonë në Goshicë dhe Kumanovë.

Ivanovi nuk mundet ta fajësojë Kosovën për veprime (grupore të individëve) që nuk kanë qenë të ndërlidhura me përgjegjësinë e saj institucionale. Tash më është bërë gati brohoritje në kor konstatimi se destabilizimi i rajonit nuk është në favor të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, prandaj para se ta akuzojë Kosovën, Ivanovi do të duhej të japë përgjigje se çka kërkuan njerëzit e shërbimit të tij sekret në Kosovë për t’i përdorur individët shqiptarët si vegla në duart e ustallarëve të natës. Rozafa e Kumanovës po çmitizon shkollën sllave të futjes së pykave brenda trungut shqiptar për ta bërë atë sa më pak rezistues ndaj furtunave të vdekjes.

Nëse do të duhej dikush të ankohej në instancat ndërkombëtare është Kosova, sepse pikërisht ajo po paguan faturën e komplotit maqedonas ndaj shqiptarëve, duke i involvuar ata në skenarë me efekte të kalkuluara paraprakisht. Atë që po e konstatojnë analistët, që konsiderohen megafonë të regjimit të Gruervskit, se ajo çka ndodhi në Kumanovë më së paku u konvenon shqiptarëve, do të duhej ta dijë edhe Ivanovi, prandaj na duket një blof i pamenduar mirë propaganda antikosovare e tij, sidomos përpjekja mjerane e tij që në plasaritjen e marrëdhënieve Maqedoni-Kosovë të paraqesë regjimin e Gruevskit si viktimë e suberzioneve të jashtme, prandaj ai me çdo kusht po u dashka të gëzojë mbështetjen ndërkombëtare.

SHKARKO APP