Blushi, një garë e humbur, por një shërbim i vyer demokracie

 Nuk ka si të mos sjellë trishtim fakti që pas dy dekadash e gjysmë nga ndërrimi i sistemit dhe krijimi i pluralizmit në Shqipëri, një eksponent i artisë më të madhe shqiptare, asaj socialiste, që ka marrë dhe fatet e vendit në dorë, të kërkojë thjesht të respektohet statuti i partisë, për të bërë zgjedhje brenda forumeve dhe të ketë kaq zëra shtypës, jo vetëm nga militantët në parti të kryetarit, por edhe nga një pjesë jo e vogël e analistëve shqiptarë, që e konsiderojnë veten elitë.

Nuk dua ta shikoj këtë histori përqendruar fillimisht në emra, pasi mund të kem mendime të ndryshme politike nga Ben Blushi, nuk më intereson objektivi apo në daç ta quani dhe loja e tij politike, por kjo që po ndodh, fatkeqësisht është një pasqyrë e mirë për të parë edhe një herë, pas më shumë se 25 vjetësh, se çfarë formacionesh politike kemi dhe njëkohësisht edhe çfarë lloj medie.

Pas 25 vjetësh mund të thuhet me plot gojën se Partia Socialiste (por jo vetëm) me këtë mentalitet bunkeri të shfaqur edhe nga figura që janë dhe të rinj në moshë, që trumbetojnë me të madhe se nuk janë infektuar nga të ashtuquajturat viruse të PS-së së vjetër, është kthyer më mbrapa edhe se Partia Socialiste e Nanos 15 vjet më parë. Kjo është një pasqyrë që media dhe e ashtuquajtura elitë opinionbërëse shqiptare është gjithashtu shumë më mbrapa minimumi se 15 vjet më parë.

Dhe për të ndalur këtu, duket se nuk është edhe aq e rastësishme që Blushi këto ditët e fundit, paturpësisht për këta të dytët, e ka debatin më shumë me eksponentë të medias sesa të partisë. Përse? Sepse duhet të vërtetohet patjetër teza e kryetarit të partisë që Ben Blushi është më shumë një komentator sesa një personazh politik që mund të konkurrojë.

Besoj i kujtoni të gjitha përgjigjet e Ramës për Blushin: Nuk merrem me opinionet e komentatorëve. Dhe në këtë “grackë” bien jo vetëm rekrutët mediatikë të pushtetit, por edhe naivëmoralistët që bëjnë çarçafë duke i dhënë të drejtë Blushit për diçka që thuhet me një fjali: Blushi nuk ka të drejtë pse kështu e ashtu, ashtu sikurse “ç’kemi ça ke bo, ca s’ke bo”, po Blushi ka thjesht të drejtë se kështu e ka statuti i partisë.

Kjo është gjithashtu një pasqyrë e mirë që tregon se ka nevojë emergjente për një forcë të re demokratike. Fatkeqësisht, vetë Blushi mendon akoma se ka dy PS, PS-ja e Ramës dhe PS-ja që ka hapësirë për idetë dhe mendimet e tij, por druaj se kjo është e vërtetë.

Nga ana tjetër kjo është një pasqyrë e mirë edhe për vetë Blushin, që këtë mision që ia ngjizën jo vetëm mendimet dhe idetë e tij, jo vetëm momenti dhe historia, ta vazhdojë edhe pse konkretisht politikisht ai për momentin është i humbur.

Të gjithë e kanë të qartë që Blushi, e më shumë nga të gjithë e ka të qartë ai vetë, që si individ politik e ka të pamundur të garojë dhe të fitojë postin e kryetarit të Partisë në këto kushte me Ramën. Mund të ketë edhe nga ata që mendojnë se Rama është më i mirë se Blushi si lider për PS-në dhe anasjelltas.

Mund të ketë nga ata që Blushin e quajnë shkrimtar dhe opinionist dhe aspak politikan, ashtu sikurse mund të ketë dhe nga ata që mendojnë të kundërtën. Këto nuk kanë fare rëndësi ashtu sikurse nuk ka rëndësi çfarë mendon Blushi për veten se ç’është në të vërtetë. Por një gjë është e sigurt: Ben Blushi në këto momente mund të jetë një kalorës politik humbës, por nga ana tjetër është një shërbëtor fisnik i demokracisë shqiptare, dhe kalorës të tillë në Shqipëri janë me pikatore.

Këtë rast Ben Blushi, më shumë se vetes, po i bën një shërbim të vyer demokracisë shqiptare, ndaj paçin faqen e zezë ata që i dalin kundër në këtë rrugëtim fisnik dhe më shumë se kushdo paçin faqen e zezë sidomos ata që i vënë shkopinj në rrota nga pushteti i katërt, se në të vërtetë këta shkopinj nuk janë thjesht për Blushin, por për demokracinë shqiptare dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. (Syri)

SHKARKO APP