Blushi sfidon përsëri
Për të sfiduar kryetarin socialist Edi Rama, njëherësh edhe mbajtës i postit të Kryeministrit, për inate e mllef personale, ndaj këtë të fundit, nga që nuk i ka ofruar post të lartë në Qeveri e parti, apo…? Pyetjeve, pandehmave dhe thashethemeve të tryezave e ambienteve publike i ka dhenë përgjigje të drejtpërdrejtë të enjten në mbrëmje vetë Ben Blushi, deputeti socialist, i cili nga ekrani i “Top- Channel”, nuk ka ngurruar të pohojë në ligjëratë të drejtë e gojën plotë: Garën për kryetar partie e kam sfidë personale, partia socialiste është konfuze dhe unë di t’ja risjellë asaj vlerat e dikurshme dhe demokracinë. Partitë politike janë fuqitë e pushtetit, nëse ato nuk janë demokratike nuk mund të ketë demokraci…
“Partia e drejtuar nga Edi Rama në këto tre vjet nuk ka demokraci, ka kryetarë banditë nëpër degë, ka njerëz nga shekulli i kaluar që kanë zaptuar jugun. Unë konkurroj se mendoj që e drejtoj PS më mirë se Edi Rama, e bëj më kolegjiale, më të hapur, një parti që nuk fut banditë dhe nuk zëvendëson ata që lexojnë me ata që kanë armë sepse kjo po ndodh. Shumë njerëz më thonë për ça e bën ti këtë? Unë e bëj këtë për njerëzit, e bëj këtë për të gjithë, e bëj se besoj që mund ta drejtoj PS më mirë se Edi Rama, ta bëj një parti demokratike, të hapur, kolegjiale dhe një parti të majtë, sepse nuk është ashtu sot”, ka vlerësuar Blushi, duke e mbështetur konstatimin në një serë argumentesh e faktesh të thëna publikisht. Duke sfiduar urdhrat për “ruajtjen e sekreteve” të familjes politike.
Një sfidë shumëplanëshe sjellja e tij, po të kihet parasysh se të njëjtën përgjigje ka dhenë Ben Blushi edhe për pyetjen rreth cilësisë së qeverisjes Rama, që sipas tij e ka zhytur vendin në varfëri e pabarazi të pamerituar e që, vetëm sociale nuk mund të quhet. Unë gjykoj se di të qeveris më mirë se Edi Rama, ka thënë përmbledhtazi njeriu që prej më shumë se dy dekadave vazhdon të jetë e vetmja gozhdë në këmbën dystaban të udhëheqësve socialistë.
“Të gjithë vendimet që janë marrë kohët e fundit në Parlament dhe ato të qeverisë janë tërësisht personale. Të gjitha koncesionet. Sot PS nuk është as e majtë dhe as e djathtë, është konfuze. Në tre vjet varfëria është shtuar dhe ne nuk bëjmë aq sa duhet për të varfrit. Po si mund të bëjmë për të varfrit kur partia ka ose banditë ose të pasur. Si ka mundësi që në grupin tonë parlamentar janë dhjetë njerëzit më të pasur në Shqipëri? Pse vijnë ata në një parti të majtë?”.
Ndërkohë, edhe vetë sipërmarrja e deputetit Blushi për t’u përballur në garën e 19 marsit 2016, me Kryetarin dhe Kryeministrin në detyrë, është sfida më e madhe politike brenda socialistëve, në kohën kur askush nga figurat peshë-rënda brenda socialistëve nuk guxon të jetë një kandidat përballë “Erdoganit” kryesocialist, i cili që prej shtatë vitesh vazhdon t’i drejtojë. Duke mos respektuar lojën demokratike, duke shkelur rregullat dhe mospërfillur statutin e partisë, ka theksuar Blushi, i cili edhe këtu shfaqet si një sfidant. Si i vetmi brendasocialist peshë-rëndë, i jashtërreshtuar për të ruajtur principet. Si vetmi që nuk njeh e nuk i nënshtrohet tekave dhe arrogancës së Njëshit, por rregullave të vendosura, statutit dhe mekanizmit ekzistencial të votuar për të qenë busull drejtimi e demokratizim.
Blushi, do të përballet me Ramë në garën e pritshme për Kryetar të Partisë Socialiste? Nëse do të ketë një garë të vërtetë në kongresin e 19 marsit, përgjigjet vetë Blushi, duke lënë të nënkuptuar “garat” e zhvilluara gjatë viteve të ikura, që kanë ricikluar të njëjtin kryetar: Edi Ramën. A nuk është edhe kjo një sfidë!