Bomba e përgjimeve, paska faj Prokuroria?
“Kokëulur dhe nën urdhrat e tij. E pra, për çfarë sistemi drejtësie do të diskutohet në Kuvend? Edhe në qoftë se Berisha vazhdon të ketë influencat e veta, në Prokurori dhe Gjykatë, Reforma do të bëjë thjesht zëvendësimin e influencave në favor, të Ramës?”…
Nga Artur Zheji
Gjëja më qesharake po ndodh këto dy ditë! Përgjuesit, apo autorizuesit e përgjimeve, janë vërsulur kundër Prokurorisë së Përgjithshme dhe Gjykatës, që shkarkoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, si person në dijeni apo si përgjegjës për çështjen më tronditëse, të kapur në flagrancë.
Përgjimet sistematike dhe të paligjshme, të autoriteve më të larta të Shqipërisë. Sipas modelit maqedonas të Gruevskit. Askush nuk mund të thotë se përgjimet janë një ekskluzivitet i kësaj qeverie, kjo do të ishte jo korrekte. Përgjimet nuk i kemi shpikur ne shqiptarët dhe ato kanë rrëzuar qeverira në të gjithë botën e qytetëruar dhe kanë shkatërruar imazhin e shumë personaliteteve. Askush nuk mund të thotë nëse ka patur ose jo, përgjime të paligjshme, në periudhën e qeverisë Berisha. Tundimi i përgjimeve është i fortë për çdo qeveri dhe qeverisje.
Mirëpo kur kapet Qeveria Rama, e ka përsëri fajin Berisha? Kjo është qesharake! Mediokre, dhe politikisht, në një nivel krejt të ulët arsyetimi, gjykimi dhe justifikimi. Dhe si po e zgjidh këtë kryeministri dhe shpura e tij mediatike militante dhe jo vetëm?
Duke sulmuar Prokurorinë dhe Gjykatën, që pezulluan kryepolicin e Shqipërisë, pasiqë ka dyshime të forta dhe ndoshta prova, që aparaturat e “trajnimit” simbas Tahirit, të sjella në Shqipëri nga qeveria italiane dhe vënë në punë nga Interforca, shefin e të cilës italianët e tërhoqën mbrapsht me urgjencë, ata e dinë pse, paskan bërë jo trajnime, por përgjime të mirëfillta. Apo përgjimet e figurave më të larta institucionale, ishin edhe ato pjesë e “Trajnimeve”? Dhe për më tepër, kryeministri i tronditur, na rrëfen se ky sistem drejtësie është i kalbur dhe duhet reformuar, pikërisht në ditën e vet më të mirë, kur mban një qëndrim korrekt ndaj një Krimi Shtetëror, që në vende serioze rrëzon vetë Kryeministrin, kushdo qoftë ay.
E pra, më e rënda nga të gjitha, madje edhe përpara turpit të përgjimeve, është qëndrimi kërcënues i Kryeministrit ndaj sistemit të Drejtësisë, duke i përmendur si jatagan mbi kokë, Reformën në Drejtësi, që do të thotë, në këtë kontekst, që do të ketë këputje kokash, për ata, që guxojnë kundrejt tij dhe kundrejt mëkateve të qeverisë së vet.
Në këtë rast, Rama, ai e di se si mundet, por dëshpërimi është këshilltari më i keq kjo dihet, duke sulmuar sot Prokurorinë dhe Gjykatën, në mes të debatit për Reformën në Drejtësi, dhe pikërisht kur Drejtësia, ajo që kemi, vepron energjikisht e me kurajë, duke zbardhur një Krim Shtetëror, që dhe është Përgjimi i Paligjshëm, sapo na ka dëshmuar se si duhet jetë sipas tij, Drejtësia e Reformuar.
Kokëulur dhe nën urdhrat e tij. E pra, për çfarë sistemi drejtësie do të diskutohet në Kuvend? Edhe në qoftë se Berisha vazhdon të ketë influencat e veta, në Prokurori dhe Gjykatë, Reforma do të bëjë thjesht zëvendësimin e influencave në favor, të Ramës?
Kjo është pra loja, përtej fjalëve të bukura dhe plot lajle lule? Mirëpo fakti i përgjimeve, ku edhe pala italiane e pranishme në Shqipëri, duhet të kërkojë edhe ndjesën e saj, është një fakt kokëfortë dhe një fakt i sotshëm. Një fakt ulëritës dhe diskretitues sa s’ka më ku të vejë, në kërkim të përdorimit të përgjimeve si shantazh, si instrument presioni dhe përfitimi politik.
Edhe nëse e ka bërë edhe Berisha dje, si edhe nënvizojnë me pasion të kuptueshëm, zhurmuesit pranë qeverisë, kjo nuk ndryshon atë që është bërë gjatë kësaj qeverisjeje. Nuk heq asnjë presje ndaj përgjegjësisë direkte të krejt piramidës drejtuese qeveritare.
Nga koka te këmbët! Po ndërkombëtarët, a kanë komente për këtë skandal të përgjimeve? 360gradë.al