Bota rrotullohet rreth 8 Nëntorit

Këta këndej nga Lindja janë vënë të gjithë në krah të zonjës Clinton dhe po iu dridhet zemra deri ditën e 8 Nëntorit. Atë ditë, o do të kenë ndryshuar këta të ngjiturit pas pushtetit, o do të kemi ndryshuar ne- popujt!  Kryeministri i Shqipërisë i ka dërguar dollarë për fushatë; jo për fushatë, por për sinjal se “Ej, mos më prek mua kur të vish në shtëpinë e Bardhë”….

Nga Frrok Çupi

8 Nëntori është Amerika. Atë ditë votohet për Presidentin tjetër; atë ditë mund të themi se ndryshon bota. Po them për presidentin “tjetër”, nuk po them për presidentin “e ri”. Po të ishte “i riu” do të thotë se është edhe një “më shumë” ose edhe një “si më parë”. Bota ka nevojë për ndryshim, njësoj si gruaja në maternitet; edhe ndryshimi i botës bëhet në mënyrë kulmore, që nga Amerika.

Prandaj 8 Nëntori është Amerika, por është edhe secili, ti e unë e tjetri. Mund ta kishim marrë më lehtë fushatën presidenciale në Amerikë ose si një punë që “u takon atyre”. Jo, kësaj here nuk është kështu. Kësaj here Amerika ka nevojë për ndryshim. Më erdhi para syve një intervistë  fundit e Gay Talese. Talese është gazetar i famshëm amerikan por edhe “outsider”- siç shprehet për vete. Domethënë atë e prek Amerika si amerikan, por e prek edhe si ty e si mua e si tjetrin që jemi “outsider”. Ai është sot 85 vjeç, dhe quhet “dekani i gazetarisë së re” amerikane. Talese, këto ditë, tha se këto që ndodhin mes Trump dhe Clinton “janë historia e tyre”,  pastaj shtoi:  “por mua më duhet ndryshimi”.

Ndryshimi do të thotë se bota rrotullohet rreth këtij “planeti”. Jo të gjithë e duan, por vetë qenia e  kërkon ndryshimin e kësaj bote që nuk po na thotë ndonjë gjë të mirë, tashmë. A ndalohet ndryshimi kur vjen? Gay Tasler thotë se çdo ditë ka një artikull që hedh baltë mbi Trump, çdo ditë të bekuar, sapo ndez televizorin apo hap gazetën, gjen komente që e përshkruajnë si njeri të tmerrshëm; vetë “New York Times” e përshkruante një herë si fashist, një herë si plehër, një ditë tjetër si përdhunues, pastaj si biznesmen që u pasurua duke vjedhur. Po kur gjetën rast të thonë edhe “baba i keq”, por baba i fëmijëve më të mirë që kanë njohur… ”Por unë do të votoj për Donald Trump”, tha “dekani” .

Kushdo ndjen  atë që ndjen lëkura e Globit, që do ndryshim. Kësaj here po provojmë se Amerika, “idoli” ynë, qenka thuajse njësoj si këto vendet tona ku e keqja është kthyer në kruarje. Për “fat të mirë” Amerika paska nevojë për një ndryshim të madh. Them “për fat të mirë”, sepse vetëm duke u ndjerë “kruarja” atje në majë, ndryshimi mund të ndodhë edhe te ne, te ne “tokësorët”.

Fushata presidenciale, ose “historia e tyre”, i nxori nga koshi “kamishat” amerikane që duhen larë.

Shiko sa shumë gjë u dashka larë në “gazetat dhe televizionin e dekanit Gay”, domethënë në median amerikane. Çfarë nuk pamë kësaj here: Gazetarë shërbëtorë, lëpirës pas dikujt si p.sh., pas John Podesta, shenjtorë që shkelin mbi deantologjinë, gazetarë të vënë në radhë që presin me lugë për të hyrë në darkën e shtruar nga ndihmësi i Hillary-së, ancormenë që fshehin të vërteta  para publikut, e-mail-e pa fund gazetarësh që i luten sekretares së shtetit “aman të vij të të mbuloj unë”… Para dy dekadash, kur ndodhi ndryshimi i madh në Lindjen Komuniste, gazetarët amerikanë na dukeshin si shenjtorë; vinin e jepnin leksione. Thonin edhe budallaqe, por “haj mo!”,  ishin amerikanë. Do të kalojnë pak vite dhe deformimi i kësaj here mund të jepet si subjekt leksionesh në universitete e Suedisë, të Japonisë, të Çekisë apo të Anglisë. Në teorinë angleze të gazetarisë ishte thënë se “një gazetar që shihet duke pirë kafe me një politikan, nuk është më i besueshëm!” Ku e ku me këtë që ndodhi! Mund të ndodhë që “gjithë media kundër” ta nxjerrë Trump-in president; reagimi qytetar kështu akton.

I vetmi gazetar real, por që është mbyllur në kuvli, pa drekë dhe pa darkë me askënd, është akuzuar edhe për “ngacmim seksual”. Të tjerët janë të lirë. Bota e pret ç’lajme do të hedhë WikiLeaks në treg. Por i zoti është i akuzuar për “seks”. Të gjithë kundërshtarët akuzohen.

Edhe Donald Trump e akuzuan për “fjalë seksuale”. Mirë e tha kryetari i Partisë Indipendente Britanike, zoti Farage: “Kështu si Trump flasim ne burrat përditë”- tha. Po pse hyri “ngacmimi seksual” në fushatën e Amerikës? Amerika u ul dhe preku Vanitetin, d.m.th., Kotësinë. Kësaj here, e vetmja herë që Amerika nuk foli për punët e mëdha, si p.sh., për  “eksportimin e Demokracisë”. Amerika nuk e vuri Demokracinë botërore në listën e punëve të veta. Punët e mëdha janë lart ose larg Amerikës- ja ky ishte kuptimi i ftesës ndaj  “ngacmimit seksual”. Punët e madha janë në miliona njerëz të botës që vuajnë, janë në Aleppo e në Mosul ku fëmijë e gra po merren si mburojë lufte i Shtetit Islamik; te vjedhja dhe korrupsioni i shtetarëve, te autokracia që po na mbulon kudo si në prag- Nazizëm, te dhuna mbi të dobëtin…. Ohu, sa shumë e sa rëndë qenka! Pa Amerikën nuk bëhet gjë.  Atëherë, “ a t’i mbulojmë të gjitha?” Përgjigja: “Po. Trump është seksist”.

Trump nuk është i përsosuri, natyrisht. Por është “ai tjetri”,  që nuk kishte dorë në kënetën që po mundon botën.

A do të  ketë ndryshim? – Me atë që jemi mësuar, jemi më mirë!- kjo është ideja që u përçua nga mediat “watch dog”. A nuk e ndjetë një hollësi psikologjike? Pse u sollën prova të reja për “ngacmime seksuale” ndaj  Trump?  Ndërsa aktet seksuale, të vjetrat, (por akte jo fjalë) të njohura botërisht të kundërshtarit Clinton,  u dukën “gjë koti, haj mos u merr me ato!”. Aktet e presidentit iu kishin bërë vend në lëkurë dhe nuk i ndjenin. Njësoj si në tregimin e Franz Kafkës me njeriun me shpatë nën lëkurë; një jetë të tërë jetoi ashtu pa u ndjerë… Shpata nën lëkurë e njeriut të sotëm është pushteti i ndryshkur. Kur mësohesh me një pushtet- kjo qenka më e keqja,  e fal pa asgjë edhe për aktin më të keq. Televizioni amerikan Fox News i kujtoi sot zonjës Clinton se ka 23 vjet që ndodhet në pushtet; nga të cilat tetë vjet në Presidencë. Shpejtimi i zonjës Clinton për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë duket si nostalgjia e princeshës që e kanë përzënë.

Atëherë, të mos kemi ndryshim?- kjo është pyetja. Këta këndej nga Lindja janë vënë të gjithë në krah të zonjës Clinton dhe po iu dridhet zemra deri ditën e 8 Nëntorit. Atë ditë, o do të kenë ndryshuar këta të ngjiturit pas pushtetit, o do të kemi ndryshuar ne- popujt!  Kryeministri i Shqipërisë i ka dërguar dollarë për fushatë; jo për fushatë, por për sinjal se “Ej, mos më prek mua kur të vish në shtëpinë e Bardhë”. Ky ka 15 vjet në pushtet. Të tjerë rrotull nesh, gjithashtu. Në Kosovë kanë 15 vjet,  në Malin e Zi sapo u zgjodh një kryeministër 31 vjet në pushtet, në Maqedoni pritet të zgjidhet ai që ishte e ishte, në Turqi, Erdogan kthehet si luledielli: herë president, herë si kryeministër; në ish- republikat sovjetike është çimentuar përjetësia në pushtet. Po të zgjidhet zonja Clinton, do të plotësojë 27 vjet në pushtet; por është shpallur si kundërshtare e ashpër e Putin. Çfarë bëri Putin, përveç autokracisë? Në radhë të parë këtë, pastaj vijnë të tjerat. Edhe për tokësorët e tjerë kështu, në këtë pikë, merr rrugë e keqja, duke mbajtur jetëgjatët në pushtet. Hillary është rritur në zyrat e shtetit.

Bota, ku janë ngarkuar e keqja dhe e mira bashkë, po i vjen rrotull Amerikës.

SHKARKO APP