Bulqiza, krom-“flori” poshtë, kurse sipër mbi tokë varfëri ekstreme

Nëntoka e Bulqizës është e pasur me mineralin e kromit. Por, banorët që jetojnë mbi tokë, varfërohen dita-ditës. Fitimet nga “guri i zi” transferohen në Tiranë, Durrës dhe jashtë vendit. Mungesa e investimeve e ka bërë qytezën, e shtrirë mes dy maleve, në një vend të pabanueshëm.

“Fiks Fare” udhëtoi në Bulqizë, duke folur me qytetarë dhe minatorë, të cilët kanë një ankesë: qyteti është në varfëri ekstreme. Miniera është e vetmja mundësi mbijetese. Edhe bizneset e tjera janë në shërbim të saj. Aktualisht, në miniera janë të punësuar 1556 punonjës, që mbajnë rreth 1/3 e të gjithë banorëve të zonës. Shumica e familjeve në Bulqizë kanë nga një ose dy minator.

Guri Koçi ka një biznes familjar në Bulqizën e vjetër. Ai ka një bilardo. “S’mund të jetohet në Bulqizë. Punojmë me lista. Të gjithë në Bulqizë i kanë borxh njëri-tjetrit. Zyrtarët vjedhin dhe ikin, kujtohen vetëm kur ka zgjedhje”, thotë Guri.

“Klientët” e tij janë disa shtetas nga Kina, të cilët punojnë në minierë. Ata përshëndesin ekipin e “Fiks Fare” me “Nihaooo…”. Ndërkohë, dy pensionistë, në lokalin e Gurit po luajnë shah. Njerëzit kanë ikur dhe vazhdojnë të ikin nga Bulqiza, tregojnë ata.

Pak metra larg biznesit të Gurit ndodhet një market. Pronarja, me mllef, tregon listën e borxheve. “Edhe bukën e jap me lista”, thotë ajo. Njësoj si të rriturit, edhe fëmijët e kalojnë kohën e lirë në lokale. Lekët e nxjerra nga mbledhja e kromit, ata i shpenzojnë në bilardo. “Mbrëmë mblodha krom. Lekët i çoj në shtëpi. Babai im punon minator dhe unë dua të bëhem minator”, thotë 10-vjeçari.

E gjithë jeta në Bulqizë varet nga miniera. Nëse çmimi ndërkombëtar rritet, atëherë edhe të ardhurat e fëmijëve, apo atyre që mbledhin krom në stoqe shtohet. Por, nëse për ta “fitimet” janë deri në 15 mijë lekë të vjetra, të ardhurat për firmat që operojnë në zonë, koncensionari apo të tjerat, llogaritet në dhjetëra miliarda lekë.

Minatori: Mish, vetëm për Bajram

Minatorët mblidhen çdo ditë në Bulqizë dhe rreth orës 07:00 shkojnë në miniera. Me vete marrin bukë dhe qumësht, ndërsa të gjithë, me zë apo nën zë, pranojnë se vetëm mbijetojnë. Një minator u tregon ekipit të “Fiks Fare” se është vet i 7-ti në familje dhe mezi mbijeton. “Punoj për fundin e 15-ditëshit”, thotë ai.

Një tjetër, 63-vjeçar shpjegon ndryshimet mes komunizmit dhe demokracisë; e njëjta punë, me të njëjta kushte, punë me normë. “Punojmë për një copë bukë thatë”, shprehet ai. Puna në minierë zgjat mesatarisht 8 orë. Minatori, ose grupi i tyre, duhet të kapë një normë. Paga është në varësi të vështirësisë së punës.

“Edhe pas 30 vitesh punë, nuk kam ndërtuar një shtëpi. Jetoj në varfëri”, thotë minatori Astrit Alliu, ndërsa shton se “mish hamë vetëm për Bajram. Nuk na del rroga, paratë e minierës transferohen në Tiranë dhe Durrës”. Ai shton se zyrtarët apo ata që e kanë minierën nuk investojnë në Bulqizë, duke e lënë qytezën në varfëri ekstreme.

Minatorët janë ndeshur në indiferencën e strukturave shtetërore, por edhe nga koncensionari që ka kontrolluar minierën për vite me radhë. Sindikatat kanë qenë të pafuqishme për të vënë në vend të drejtat. Ata janë larguar nga puna, por edhe proceduar penalisht. Ish-kreu i Sindikatës, Dilaver Përkoxha tregon vuajtjet e minatorëve: “Nuk ka një sindikatë, minatorët janë lënë në harresë”.

Aksidentet në punë janë një tjetër problematikë për minatorët. Margarita Peti, një 29-vjeçare tregon për “Fiks Fare” se në minierë ka humbur bashkëshortin. “Mbaj familjen vetëm duke mbledhur skrap. Në një ditë nxjerr 5-6 mijë lekë të vjetra. Nuk më dalin për asnjë gjë. Shteti nuk më ka dhënë shtëpi, jetoj me qira. Marr një ndihmë prej 100 mijë lekësh (të vjetra) dhe ndihmat e vetme janë të disa shoqatave”, shprehet Margarita. Më pas shton se bashkëshorti ka punuar në një galeri private. “Ditën e aksidentit nuk e kam parë fare. Pronari e ka mbyllur me policinë që atë ditë. Nuk e di çfarë u bë në prokurori dhe gjykatë, na ka dhënë vetëm 15 milionë lekë të vjetra”, vijon ajo.

“Pallati i mjerimit”

Ekipi i “Fiks Fare” shkoi në godinën që njihet si “pallati i punëtorëve”, i ndërtuar në vitin 1989 dhe pas ardhjes së demokracisë u bë strehë e familjeve të varfra. Aktualisht, ky pallat është cilësuar në zonë si “pallat mjerimi”. Në të jetojnë 30 familje dhe kushtet janë të mjera. Varfëria bën që energjia elektrike të mungojë në disa hyrje, lagështira është tepër e madhe, ndërsa fëmijët luajnë sipër pluhurit dhe inerteve që gjenden në dhoma të braktisura apo në katin e parë që tashmë është kthyer në burim infeksioni.

“Fiks Fare” shkoi në një familje, ku një foshnje 8-muajshe nuk ka parë elektricitet në shtëpinë e saj për asnjë ditë, edhe pse kabllot elektrikë janë të varur në mënyrë të rrezikshme ngado. Tualeti i familjes është i përbashkët me një tjetër familje dhe lagështira është tepër e madhe.

Ndërkohë, një pjesë e tarracës së “pallatit të mjerimit” është shembur, ndërsa një e moshuar tregon peripecitë e jetës. Një kabinë elektrike është burim rreziku për fëmijët që luajnë në këtë zonë, ata pranojnë se kanë hyrë brenda saj dhe i ka dridhur korrenti

SHKARKO APP