Bunkeri; ç’ka dashur të thotë autori?

Nga Alfred Lela

Aty ku kthesa e Ministrisë së Energjetikës i hap pamjen  Bulevardit dhe fqinjëron me Ministrinë e Brendshme, së shpejti do të bjerë perdja dhe ‘për publikun vendas dhe ndërkombëtar’ do të mbijë kërpudha e një bunkeri. Cilat janë asosacionet që tingëllojnë në mend kur dëgjojmë fjalën bunker? Shumë e thjeshtë: me mijërat e shpërndarë nëpër Shqipëri, mal e kodër, fushë e bregdet, vend e pa vend, nga një për shpi, dhe një film me temën e tyre të quajtur Kolonel Bunker.

Së dyti, një lloj ndohti kolektiv duke qenë se jemi dëshmitarë të faktit që këto duna të shpëtimit të republikës popullore socialiste të Shqipërisë nga rreziku i imperializmit dhe revizionizmit, NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, u kthyen në nevojtore publike apo në strehëza të seksualitetit të ndaluar e të përgjuar në fshat e qytet.

Fund më banal për paranojën komuniste nuk mund të kish.

Për të ardhur te bunkeri ynë i ri, aty te qoshku ministror, dhe për të pyetur ç’ka dashur të thotë autori me të? Ose kush është autori? (Pyetja e fundit ka më pak rëndësi për faktin se dihet tashmë kush është rishëljeja pa të dytë dhe pa këshilltar i estetikës gubernatoriale, magjepsës deri në çmeritje edhe i rrafshnaltave artistike internacionale.)

Po pse ky instalacion politik te Ministria e Brendshme dhe jo te një strehë më e sigurt, në një peizazh të cilit do i rrinte më mirë, brenda një kuptimi që fut brenda të shkuarën e të tashmen duke iu përgjigjur edhe kureshtjes së të ardhmes, si p.sh, Ministria e Mbrojtjes. Nëse përgjigjja është: po ky bunker është një zgjatim apo dalje e një tuneli a fortifikimi të nëndheshëm që qet kryet bash tek e Brendshmja, kundërpërgjigja do të qe: në fakt e ka një tunel, a një bunker, a një puçërr paranoje në çdo institucion të rëndësishëm ku dikur banonte qeveria e Hoxhës. Kështuqë një te Ministria e Brendshme nuk është asgjë më shumë se njeni prej atyne…domethënë një prostitutë e lodhur e një ish-regjimi tutor/totalitar. Zgjatime, dalje, eksite të asaj betoniade që shpreh atë pseudokulturë të shtetit dhe të estetikes, a mos janë një bordellizim i pushtetit të ri: përpjekje për të hedhur hi mbi sytë e shqyer të opinionit publik (apo popullit, sa kohë turma është popull e ende jo opinion publik).

Ky asosacion nuk është i kërkuar por i përligjur sa kohë Ministria e Brendshme, ku ngre vetullën  e habisë ‘bunker çorodia e radhës’ është gjithashtu strehë skandalesh të panumërta përgjatë muajve të fundit. Hija e tyre bie sa gjatë gjerë mbi shefin e këtij institucioni, dhe mbi kabinetin qeveritar me gjithsejt. Është aq e gjatë hija sa kaplon edhe koshin mbi kryet e ish-basketbollistit tashmë kryeministër.

Prapë te dilemat: pse te Ministria e Brendshme ky bunker, kur mund të ishte tek e Mbrojtjes? Sidomos tashmë kur Mbrojtja bën strehë tek Akademia Ushtarake, apo ish-shkolla e famshme e begsave, lart në periferinë lindore pa shkuar në Kinostudio? Gjest që do të përvijonte edhe teorinë e qytetit multiqendërsh të hedhur nga Rama ish-kryebashkiak.

Përveçse ngjan bizar, të ngresh një bunker te Ministria e Brendshme, e policëve dhe ish—spiunëve të asaj kohe, është si të thuash se Partizani është skuadra e së Brendshmes dhe Dinamo e Mbrojtjes.

Por, nuk është te ky kontradiksion i butë barku i madh i kësaj mizanskene. Duarfutja makute dhe e pakujdesshme në mozaikun e qendrës së qytetit është një lajthitje adoleshente e cilitdo pastë qenë ideatori i kësaj pune. Çfarë ka mbetur nga ky qytet, dhe nuk ka mbetur shumë, është Bulevardi i Madh, i ndërtuar nga Mbreti Zog dhe italianët. Arna gri e një bunkeri, për të nxjerrë nga xhepi i shpirtit drejt e në zemër të qytetit neokomunistin tek ata është një dackë arrogance dhe shpërfilljeje.

E akuzojnë Mbretin Zog, përditë e pafund, se si iku duke marrë me vete arin, bizhutë, ckahmosin. Por ai e la një Bulevard dhe një gjerdan ndërtesash estetike dhe kryelarta mbi të. Po grabitësit e rinj të arit të Republikës, çfarë shenje po lënë? Apo, sall arnat e tërbimit dhe njollat e pr-it [për të mbuluar ckahmosin], mbi çka la gati ‘mbreti bandit’ dhe ‘pushtuesi fashist’.

MAPO

SHKARKO APP