Buqeta që e presim çdo 28 nëndor!
Nga Artan Fuga
———————————————————–
Përse çdo 10 vjet – një katastrofë që na hedh përtokë???
Në 1946 nisën masakrat me grupin e deputetëve dhe fronti nacional-çlirimtar u ça edhe më tepër sesa ishin çarë më parë ata që ishin kundër pushtuesve. Liria kombëtare u shoqërua me diktatin politik që ia preu lirisë duar e këmbë.
Në 1956, reformatorët që ngritën krye në Konferencën e Tiranës, u degdisën në biruca dhe stalinizimi fitoi mbi humanizmin.
Në 1961, kur vendet e Lindjes nisën të liberalizohen sadopak ne shkuam drejt Kinës në vend të hapeshim drejt demokracisë.
Në 1967 nuk u la gur mbi gur mbi vende kulti, besime, mbi ligjin, u rropatën nëpunës dhe intelektualë nën vrundullën e kontrollit puntor.
Në 1974, lufta kundër liberalizimit, mbylli dyer e penxhere për kulturën bashkëkohore në Shqipëri dhe qysh atëhere mendja e kombit nuk e ka marrë veten.
Në 1981, tufëzimi shkatërroi bujqësinë dhe ekonominë dhe na la pa bukë, dy kokrra sheqeri në javë për pesë veta.
Në 1992, shqiptarët ja mbathin nga sytë këmbët detrave dhe maleve duke boshatisur vendin e tyre.
1997, ishte viti që rrënoi vendin me piramidat financiare.
Pak vjet më vonë aty nga 2008 më duket Gërdeci tregoi se ekonominë e kishte marrë lumi. Ekonomia që vret!
Kurse 21 janari 2011, e çoi përleshjen politike midis partive politike dhe betejës të individëve për pushtet në vrasje qytetarësh në bulevard.
2016, Shqipëria po rënkon nga dëngjet e kanabisit.
Cdo mandat qeverisës një gjëmë. Toka shqiptare rënkon nga bima që po mbyt ekonominë, politikën dhe shoqërinë.
Doni më përpara?
Në 1943, prishet marrëveshja e Mukjes dhe Shqipëria çahet në dysh përgjithmonë.
Në 1935, kryengritja e Fierit e bën Monarkinë të shtojë represionin.
Në 1924, lëvizja noliste dhe përgjigja legaliste e hedh vendin në kaos.
Në 1914, Haxhi Qamili kërkon Bab Sulltanin dhe Princ Vidi ishte gjendur për të zëvendësuar shqiptarët e përçarë.
A duhen më prova?
Cfarë është ky mallkim që na rivjen cdo tetë deri dhjetë vjet si epidemitë e kolerës në Mesjetë?
A nuk e kuptoni se na vjen e na ze derën pa pyetur për rende politike, për periudha, apo për qeveritarë?
Si nuk mendon shteti shqiptar të financojë një studim madhor politologjik: More, po çfarë është kjo flamë që sapo jemi bërë më vete na rivjen si gripi i pulave dhe na pret qafën si zogj?
Pse në vend ta shohim nga na vjen e të çlirohemi prej tij duke u vaksinuar, iu zhysim kokën në batak intelektualëve, i lëmë si lypsarë rrugëve në dorë të Vladimir Iliçit aty te Lana, pa libra e pa brrekë?
Pse në vend që të mendojmë na zhysin kokën në torta te sheshi, na marrin sytë me ca drita vitiriu te pemët e kalbura të bashkisë, na mbysin me helme televizive tallava?
Ore e kuptoni flamën që vjet e na mbyt çdo tetë vjet apo jo?
Megjithatë, urime për festën tonë kombëtare! Le të na shërbejë si një këmbanë zgjimi çdo vit!