Burgu për mediat, frikë e “liderit”
Nga Herion Mesi
Nuk është i çmendur, dhe as naiv, por frikacak. Kur kanë nisur shuplakat masive nga FMN-ja, Arbitrazhet, Komisioni i Venecias, nga “fansja” e tij Merkel dhe më pas vetë Brukseli, “Naltgjatësia e tij” i kthehet “dashurisë” për të censuruar mediat dhe rrjetet sociale.
Parimi i shmangies së vëmendjes është i thjeshtë: Shpik një problem më të madh se problemi real në mënyrë që të mbulohet problemi!
Dhe në këtë rast, “Naltgjatësia e tij” ka shpikur një problem edhe më të madh se ai që ia kundërshtoi me forcë BE-ja, OSBE-ja dhe të gjithë shoqatat ndërkombëtare dhe vendase të medieve dhe gazetarëve.
Atë që të gjithë i thanë të mos e bënte, “Naltgjatësia e tij” e ka hartuar edhe më rëndë akoma.
Burg për të tërë, jo vetëm për atë që prodhon meme humoristiko-ironizuese ndaj pushtetit në rrjetet sociale, por ka burg dhe gjoba jo vetëm për gazetarin që “shpif”, por për të gjithë stafet redaksionale.
Shkurt, Naltgjatësia e tij është Frikacak! Pasi ka frikë të përballet publikisht me të vërtetat e tij si kryeministër i një vendi në prag kolapsi ekonomik-shëndetësor-social si pasojë e menaxhimit të tij; Ka frikë të japë llogari pse miliona euro po dalin nga Shqipëria nga vendimet e Arbitrazhit; Ka frikë të flasë për vendimet falimentuese për Shqipërinë nga Gjykata e Strasburgut për pronat; Ka frikë të flasë publikisht për shkeljet e Kushtetutës dhe ndryshimet e njëanshme të rregullave zgjedhore; Ka frikë të flasë publikisht për dështimet e tij dhe qeverisë që ky drejton për integrimin; Ka frikë të flasë për dështimin ekonomik të vendit, për dështimin e menaxhimit të krizës së pandemisë.
Ndaj kërcënimi me burg i gazetarëve dhe kujtdo që tenton të ironizojë përmes memeve “liderin” Edi Rama është tregues i frikës, dhe i vetmi që mund të të vrasë nga frika, sipas ligjit të pashkruar të kriminalistikës, është hajduti.
Në foto drafti i Ministrisë së Drejtësisë për ndryshime në Kodin Penal kriminalizon shpifjen