Bushati dhe Shkullaku duhen falënderuar dhe inkurajuar për denoncimin e ekzistencës së “databazës” së Partisë Socialiste
Nga Trashgim Sokolaj
Andi Bushati dhe Armand Shkullaku duhen falënderuar dhe inkurajuar për denoncimin e ekzistencës së “databazës” së Partisë Socialiste.
Çdo lloj tentative për t’i trysnuar, për t’i detyruar, apo për t’i shtyrë gazetarët për të treguar burimin e informacionit, është e paligjshme dhe në kundërshtim me Kodet Etike dhe normat e lirisë së shprehjes në vendet demokratike.
Gazetari, sipas asaj që na kanë mësuar në Universitetin Publik, institucion i këtij vendi, por edhe siç shkruhet në të gjithë manualet e gazetarisë, mund ta tregojë burimin e informacionit vetëm në rastet kur informacioni që përcillet cenon sigurinë kombëtare.
Databaza e PS-së nuk është ky rast.
Gazetarët as e kanë krijuar databazën, as kanë mbledhur të dhënat e qytetarëve dhe as po i shpërndajnë ato.
Ata bënë detyrën duke denoncuar një skandal që është më i madh se ai i fajdeve të 1997, pasi në atë kohë njerëzve iu vodhën paratë, por paratë shkojnë e vijnë, ndërsa në këtë rast, 910 mijë qytetarëve të Tiranës u është vjedhur gjithçka kanë: numri ID, numri i telefonit, adresa e banimit, kodi i shtëpisë, emri, atësia, mbiemri, data dhe vendi i lindjes, bindja politike (në shume raste e deformuar paturpësisht).
Tendenca për t’u marrë gazetarëve informacion lidhur me burimin, tregon mungesën e seriozitetit në hetimin e këtij rasti, madje, instrumentalizimin e këtij hetimi jo në ndëshkimin e atyre që kanë vjedhur të dhënat personale të 1 milion qytetarëve, por në gjetjen e “kodoshit” që e nxori databazën nga zyrat e PS për t’i shkaktuar jo vetëm asaj një dëm të pallogaritshëm që vetëm në muajt që vijnë do t`ia kuptojmë përmasat…!