Bushati dhe Xhafaj, deputetët “rebelë” që kanë votuar ndryshe nga PS
Shumica e deputetëve të rinj të “opozitës” që morën mandatet kanë votuar në rresht për nismat e qeverisë. Por jo të gjithë në PS kanë qenë dakord me ligjet e propozuara nga mazhoranca. Një raport i Institutit të Studimeve Politike, për periudhën parlamentar shtator-dhjetor 2019, tregon se Ditmir Bushati dhe Fatmir Xhafaj janë deputetët më “rebelë” të PS.
“Në total mazhoranca vijon të votojë në mënyrë kolektive pro nismave të qeverisë dhe vendimeve politike të grupit. Rastet përjashtimore janë të rralla. Konkretisht, ligji me më shumë “devijime” në votën politike “kundër” të grupit të PS është nisma ligjore e deputetit Ilir Beqaj, për faljen e gjobave të vendosura nga AKU. Për këtë nismë PS votoi kundër, deputeti Beqaj votoi “pro”, si dhe tre deputetë të PS, Ditmir Bushati, Vasilika Hysi dhe Almira Xhembulla vendosën të abstenojnë. Deputeti Bushati ka abstenuar edhe në dy votimet politike të iniciuara nga kryeministri Rama, të njohur si paketa anti-shpifje, konkretisht ligji për mediat audio-vizive dhe ai për komunikimet elektronike në RSH. Votë tjetër ndryshe nga grupi ishte vota abstenuese në dy raste e deputetit Fatmir Xhafaj, e para për rrëzimin e dekretit të Presidentit lidhur me kthimin e ligjit për Akademinë e Shkencave dhe e dyta për nismën ligjore të kryeministrit Rama “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”. Po ashtu deputetja Blerina Gjylameti votoi ndryshe nga grupi, me votë abstenuese për projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme””,- thuhet në raportin e ISP.