Buxheti, i treti i vërteti
Nga Sokol Balla/
Ndërsa përgatisja emisionin për sonte (në Top Story do jenë të ftuar si rrallëherë, ministri i financave Shkëlqim Cani dhe ai i Ekonomisë Arben Ahmetaj), një deputet i maxhorancës më shkruajti një email. Duke më kërkuar anonimitetin, ai më kërkoi të merrja në konsideratë shifrat e mëposhtme, që sipas tij, qeveria nuk do t’i pohonte kurrë: mund të pohoj ama, që ky deputet NUK është Ben Blushi!
“Ekonomia shqiptare po vuan nga një rritje ekonomike anemike dhe nën potencial (2,5% ne 3 mujorin e dyte). Ndërkohë papunësia qëndron në nivele ende të larta (shifra zyrtare 17,4%).
Konsumi ka një rënie prej 3,1% vetëm në 3 mujorin e dytë, ndërsa ekportet kanë një rënie prej rreth 4% për 9 mujorin e këtij viti.
Gjithashtu edhe importet në periudhën janar-shtator kanë rënë me rreth 1,5%, ku vetëm në shtator ka një rënie prej 7%, gjë që konfirmon frenimin e kërkesës së brendshme për konsum dhe investime.
Të ardhurat buxhetore janë të paktën 55 milion euro më pak se sa plani i rishikuar në mes të vitit aktual. Paraja në qarkullim sipas BSH është tkurrur si dhe stoku i kredisë është me rënie, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2014.
Investimet publike janë me mosrealizim, ndërkohë që edhe investimet private janë stepur, fakt i konfirmuar dhe nga rënia e kërkesës për kreditim nga sektori bankar.
Lufta ndaj informalitetit ka rezultuar me një rritje shumë modeste të arkës së shtetit (vetëm me 0,5% më shumë se sa plani i muajve shtator dhe tetor bashkë) ndërkohë që shifrat tregojnë për të paktën mbi 10 mijë biznese SME dhe mijëra vende pune të mbyllura (disa statistika flasin për 73 mije).
Ndërkohë, nga 2013 deri në 2015 stoku i borxhit eshte rritur me 800 milion euro (2013 – 65,5% e GDP-se 2015 – 73,3% e GDP-se), në një kohë që kjo rritje kaq e lartë e borxhit nuk eshte reflektuar në rritjen e investimeve publike që do te kishin kthyeshmeri financiare dhe ekonomike të kënaqshme.
Emetimi i Eurobondit nuk mund të konsiderohet sukses, për shkak se tregu i brendshëm kishte kapacitete për të financuar të pakten 150 milion euro, në një kohë kur depozitat në sektorin bankar janë rreth 8 miliard euro, kërkesa e biznesit vendas për kredi nuk është e lartë dhe normat e interesit jane më të ulta se 5,75%, që ishte interesi i 450 milion eurove të Eurobondit.
Papunesia e lartë (sidomos mes të rinjve, 1 në 3 te rinj eshte i papune), pasiguria fiskale – kontraktuale dhe mungesa e parashikueshmerisë në klimën e biznesit, niveli i ulet i kreditimit për sektorin privat, kriza e Eurozonës, Grexit dhe vala e emigracionit nga Lindja e Mesme përmes rajonit për në BE, ezaurimi i burimeve te financimit nga remitancat e refugjatëve, kriza e sektorit të ndërtimit në vitet e fundit dhe shume faktorë të tjerë, e bëjnë të domosdoshme jetesimin e një modeli të ri ekonomik, të orientuar nga prodhimi vendas, eksportet dhe thithja e Investimeve të Huaja, në mënyrë që këto risqe reale të ekonomisë shqiptare të kthehen në oportunitete zhvillimi ekonomik.
Ne kontekstin e nje ekonomie tregu anemik pothuajse 25 vjecare si dhe te krizes eurozones , per problemet strukturore te modelit te vjeteruar, ekonomise shqiptare i lipsen zgjidhje përmes reformave strukturore të qëndrueshme dhe jo aksione represive – panikndjellëse, të cilat pavarësisht qëllimit të mirë per vendosjen e “ligjshmerise” dhe “formalizimin” e ekonomise mund te kthehen ne “bumerang” nese nuk mbeshteten nga nje strategji zhvillimi afatgjate, e cila inkurajon iniciativen e lirë të biznesit për të podhurar dhe punësuar më shumë, për të pasur një rritje ekonomike në potencialet e ekonomisë shqiptare (6-8% (2007-2008) apo dhe 2 shifrore brenda nje periudhe 4 vjecare deri ne 2019)”
Kjo është vetëm një pjesë e shqetësimeve, që edhe deputetë të maxhorancës, përtej axhendës “Cipras” të Blushit, tashmë kanë filluar të ndjejnë dhe shprehin, haptaz apo gjysëm haptaz. Pse? Sepse tashmë zgjedhjet nuk janë më larg.
Buxheti I vitit 2016 është I treti, dhe me gjasë i vërteti për maxhorancën e majtë. 2013 ishte një korigjim i buxhetit të PD dhe 2014 po ashtu. 2015 vazhdoi me larje borxhesh kryesisht dhe marrje borxh për larjen e tyre.
Ekonomia nuk e kaloi kurrë barrierën tashmë edhe psikologjike të 3 perqindshit në rritje dhe kriza greke dhe ajo e refugjatëve nuk është se ndihmuan as rajonin dhe as Shqipërinë. Opozita është treguar e pamëshirshme në zmadhimin disa herë të situatës ekonomike, duke tentuar të maksimalizoje edhe efektin jopopulist të aksioneve të formalizimit të ekonomisë, nga faturat e energjisë e deri tek fushata e Kuponit.
Por e vërteta në shifra është se ekonomia po rritet. Nga 2013 kur PD e la rritjen në 1.1 dhe me zbritje të vazhdueshme së paku nga viti 2008, tashmë rritja I është afruar tre perqindshit të famshëm. Aksionet e rivendosjes së kontrollit të shtetit mbi pagesat e ujit dhe energjisë, si edhe mbi zinxhirin e pagesave të biznesit deri tek konsumatori janë pozitive dhe si reforma nuk mund të japin rezultat sa hap e mbyll sytë. Reforma e suksesshme e pensioneve gjithashtu pritet të japi efekt pak më vonë por e sigurt është që do ta japë.
Qeveria për herë të parë në 23 vjet po merr jo vetëm më pak borxhe të jashtme, por po tenton ta ulë atë. Edhe kjo është një gjë e mirë. Por ndërsa zgjedhjet afrojnë, dukshëm kjo qeveri ka një problem: reformat e saj me gjasë efektin do ta japin PAS vitit 2017. A do të votojë sërish Shqipëria reformat e thella të qeverisë Rama, apo do të mendojë në mënyrë egoiste dhe të votojë ofertat ndjellëse që po bën PD? Projektbuxheti i 2016 duket se reflekton këtë dilemë, pasi publikut i ofrohen tullumbace, si zerimi i disa taksave për bizneset e vogla dhe jo dhe aq të vogla, për më tepër nën rrudhjen mosbesuese të buzëve nga FMN.
Thelbi i problemit është se masave shtrënguese etatiste dhe formalizuese të qeverisë, tashmë u duhet bashkangjitur entusiazmi i duhur për biznesin vendas dhe të huaj që të investojë dhe publikun e gjerë që të shpenzojë. Vetëm nëse shqiptarët do dalin të shpenzojnë, atëherë tregu do të zhvillohet. Produktet do të shtohen, po kështu edhe vendet e punës.
Por kjo, nuk po ndodh akoma. Shqiptarët ashtu si bizneset, paratë që po u teprojnë po i kursejnë. Me gjasë, e vetmja gjë që nuk do të kursejnë, do jenë kritikat ndaj qeverisë. Ndaj ky buxhet, është prova e forcës për të majtët e rinj të Ramës.
Ndryshe plani Cipras dhe plani Basha, do rrinë pas dere, të gatshëm të marrin pas vetes të pakënaqurit e fundit të vitit 2016.
Sigurisht edhe me Metën, që tashmë rri dhe vështron. (Javanews.al)