Çdo pjesë e sistemit shëndetësor duhet të jetë në nivelin e kërkesave të publikut

Nga Edmond Stojku*/Qendra e Kualifikimit të Edukimit në Vazhdim – edhe pse një institucion i ri në moshë, ka krijuar tashmë një profil të konsoliduar – falë vizionit politik që e lindi dhe ndihmës së pakursyer të institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Kur mjekët e spitalit publik të Nju Jorkut u hodhën në grevë diku në fillim të shekullit të kaluar, gazetarët shkuan për të pyetur administratën lokale se cilat ishin arsyet. Kryetari i departamentit të shëndetësisë në Nju Jork, i sqaroi gazetarët se ata po kërkonin një farmacist për të lexuar dhe kuptuar kërkesat e mjekëve grevistë. Edhe unë jam mjek. Dhe pikërisht për këtë aresye, Unë jam i bindur se ju sot shkruani më mirë se dikur edhe falë ndihmës së kompjuterave. Por hopi cilësor i mjekëve shkon padyshim shumë përtej kësaj.

Programe të panumërt dhe tejet ambiciozë, në nivel shteteror një dhe shumëpalësh – apo edhe private, mbështesin Kërkimin shkencor dhe Zhvillimin teknologjik në një mënyrë të ethshme. Është e pritshme që këto investime në dije dhe teknologji të prodhojnë një panoramë e cila avancon në mënyrë të shpejtë dhe permanente.

E sigurt është se e vetmja konstante e pandryshuar sot në botën e përparuar ku synojmë të bëjmë pjesë – është Ndryshimi.

Përpara disa dekadash në Kanada mushkonja ishte vetëm një fluturak anekdotash, një insekt humori.

Sot për shkak të rëndësisë së zbulimeve të reja të realizuara nga Kanadaja – shkencëtarët vendas e quajnë atë një zog kombëtar. Kush e dinte përpara disa dekadash se mushkonjat janë përgjegjëse në botë për 725.000 vdekje në vit?!

Ndërsa peshkaqenët vrasin jo më shumë se 10 njerëz dhe gjarpërinjtë nuk bëjnë më tepër se 50.000 viktima në vit…këto si info per te kuptuar ndryshimin qe vjen per shkak te informimit

Sot përparimi cilësor i krejt dijes në fushat e kërkimit mjekësor është në themel multi disiplinar.

Pranëvënia e zbulimeve, gjetjeve, konstatimeve nga fusha të ndryshme dhe analiza e ndërthurur e efekteve të tyre është mënyra sesi zhvillohen aktualisht shkencat mjekësore. Komponentët e rinj të neuropsikologjisë dhe të faktorëve sociologjikë janë pjesë integrale e leximit të sëmundjeve të reja apo e diversifikimit të pathologjive në forma të panjohura më parë. Fakti që jetojmë në një botë globale e bën cdo pathologji apo kërcënim shëndetësor një realitet lokal të mundshëm. Shpejtësia e qarkullimit të epidemive, infeksioneve virale apo sëmundjeve të caktuara është sot më e lartë se kurrë. Përgjigja është vetëm një: Ne duhet të dimë më tepër!

Jetojmë në një epokë kur çdo brezni synon të jetojë më gjatë. Deri diku ja kemi dalë ta rrisim moshën mesatare dhe prirja është që kjo të vazhdojë. Kjo qasje megjithatë shton kohën e konkurencës në treg të cdo individi dhe vlerën e prurjeve profesionale që ai realizon.

Ccdo brezni rrjedhimisht investon sot më shumë për të thelluar dijet, aftësitë praktike dhe shkallën e përshtatshmërisë me nevojat e një publiku gjithnjë e më kërkues, gjithnjë e më të informuar, më racional.

Për këtë arsye, unë e gjej vizionin e Qendrës së Kualifikimit të Edukimit në Vazhdim një garanci të cilësisë në rritje që duhet të gëzojë sistemi ynë shëndetësor. E kotë të flasim për të shkuarën. E pashmangshme të mos mendojmë për të ardhmen. Po Sot!

Eshtë falë këtij programi kombëtar të edukimit të vazhdueshëm që ne mund të besojmë se cdo nivel i sistemit tonë shëndetësor do të jetë në nivelin e kërkesave të reja si të publikut ashtu edhe të politikës sektoriale që i përgjigjet këtij publiku.

Por kujdes! Sistemi ynë shëndetësor nuk është më i vlefshëm për dijet që ai përditëson, por për shërbimin që ai realizon. Atje ku publiku ka nevojë për të.

Dija e parë në profesionin e mjekut mbetet ETIKA. Ne rrisim dijet e personelit tonë shëndetësor të vetëdijshëm se sa më të përgatitur të jenë mjekët dhe krejt stafet tona, aq më e lartë është Etika e tyre profesionale. Standartet dhe protokollet e reja të detyrueshme për zbatim janë pikërisht projekti i edukimit në vazhdim.Nevojë emergjente vjen si detyrim profesional, Bashkepunimi ,Konsultimi, Kritika, Stafi (diskutimi i rasteve me pikante javore) duke mos haruar proverbin latin, Valle collega, miqësi profesionistësh. Etika është emri i shërbimit që ata i bëjnë publikut, Kjo njëherësh bën më të vlefshëm kontributin social të seicilit prej nesh brenda qarqeve profesionale, shkencore, akademike dhe sociale në tërësi.

Synimi i këtij procesi është të ngrejë nivelin e cdo mjeku – në nivelin e specialistit për gamën e tij të shërbimit.

Kush është rreziku më i madh që i kanoset kësaj përpjekjeje? Mbetem i bindur se rrëshqitja e tij në një proces formal, pa thelb, pa kërkesa profesionale të forta dhe njëherësh deformimet subjektive – do të ishin armiku më i madh i një platforme kaq të mirë sektoriale për zhvillimin e kapitalit njerëzor të këtij sektori.

 Unë jam i bindur se me vizionin Tuaj dhe me planin e punës tashmë të vënë në zbatim, Qendra e Kualifikimit do t’ja dalë të mos zhgënjejë publikun dhe ne të gjithë të themi me zemrën plot: kishim vertet dilema, por me kete projekt institucionet shëndetësore funksionojnë dhe do te funksionojne për bukuri!

*Fjala e Drejtori Ekzekutiv të Autoritetit Shendetesor Rajonal, z.Edmond Stojku, në aktivitetin e organizuar nga QKEV (Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim) mbi ricertifikimin dhe edukimim e profesionistëve të shëndetësisë.

SHKARKO APP