“Ceca” si simbol fushate dhe Serbia si model

Nga Gent Strazimiri

Ceca Raznjatoviç është një këngëtare, showgirl, bizneswomen, simbol nacionalizmi, simbol politik, simbol e model suksesi në Serbi.
Përpara se të bëhej gjithçka më sipër, Ceca ishte një simbol seksi, si shume serbe të tjera, por me ndryshimin që në vitin 1993 takoi Zeljko Raznjatoviç, një kriminel serb të shumënjohur me pseudonimin “Arkan”, vrasës me pagesë, trafikant droge, grabitës bankash, pastaj “biznesmen”, që kishte qenë “vizitor” i gjysmës së burgjeve të Evropës ndërsa gjysma tjetër ende e kërkonte.
Ky ishte edhe takimi “punëmbaruar” i Cecës, bukuroshes seksi si shumë të tjera në Serbi, por që bëri diferencën mes rrugës së suksesit dhe venitjes deri në harresë si gjithë të tjerat…
Arkani për Cecën la gruan me dy fëmijë, dhe dasma e tyre ishte eventi më i ndjekur mediatik, i injektuar në një Serbi të lodhur, të gjunjëzuar nën peshën e marrëzisë së madhështisë së një pushteti pervers, nën thundrën e një sundimi kriminelësh ordinerë me pushtet politik të pakufizuar e të pakufizueshëm ende sot…
Teksa Serbia ishte gozhduar para televizorëve duket ndjekur dasmën “punëmbaruar” të Cecës, “çunat problematikë” të “punëmbaruarit” Arkan masakronin me gjak të ftohtë burrat dhe djemtë e Srebrenicës, teksa përdhunonin gratë dhe vajzat. Ishte viti 1995!
Ceca nuk iu nda “punëmbaruarit” Arkan, i cili vazhdonte trafikun e drogës dhe të armëve, njëkohësisht me masakrimin e Kosovës, përsëriste “Srebrenicën” në Prekaz, Raçak, Krushën e madhe e të vogël, e Rahovec, pa më të voglën brerje ndërgjegjeje, mëshire njerëzore, veçanërisht pasi u bë vetë nënë.
Siç përfundojnë rëndom të ngjashmit e tij, “punëmbaruari” Arkan përfundoi i zhytur në një pellg nga gjaku i tij, shkaktuar nga dora e ca “punëmbaruarve” të tjerë, në derën e një klubi striptize në mes të Beogradit.
Ceca e qau me ligje, të tipit “ai ishtë një engjëll”, “simboli i mirësisë”, “vdiq gjysma ime më e mirë”, “do ta dua gjithë jetën”, “pas tij s’ka më tjetër”… me një fjalë siç të gjitha “punëmbaruarat” qajnë “punëmabruarin” përkatës…
Në çdo shoqëri perëndimore, (dmth në çdo shoqëri njerëzish), nga ato ku aspirojmë të bëhemi pjesë edhe ne, Ceca do ishte zhdukur nga çdo media, aktivitet publik, artistik, humanitar e jo më politik….
Në rastin më të mirë do i ishte dhënë benefiti i harresës, i mospërmendjes së dashnorit kriminel, burrit trafikant, babait të fëmijëve vrasës e përdhunues gjakftohtë…
Por jo, në një “shtet qelbësirë” (Rogue state) si Serbia e Milosheviçit e Vuçiçit, që nderon e glorifikon ende sot vrasësit gjakftohtë e masivë të grave, fëmijëve e pleqve nga Dubrovniku në Mal të Sharrit, Ceca është simbol jo më thjesht seksi, por model suksesi financiar e politik, më shumë se artistik…
Ceca atje është heroinë, ikonë, varianti femër i krimit politik të Milosheviçit, Karaxhiçit, Radiçit… po aq sa i krimit të organizuar, ordiner të… Arkanit…
Ceca vazhdon të jetë modeli i suksesit megjithëse përveç “trashëgimisë” së të shoqit, është kapur vetë, personalisht disa herë në flagrancë në krim të organizuar me armë e drogë mu në mes të Beogradit.
Pa mbështetjen publike a jo publike të Cecës, “milosheviçët” e rinj të Serbisë as nuk mund ta ëndërrojnë pushtetin dhe zyrat, nga ku ende përziejnë çorbën në Prishtinë e Tiranë.
Në 25 prill të 2021, kjo shoqëri që shokët e Vuçiçit “Cecën” po ia ofrojnë, promovojnë, heroinizojnë, ikonizojnë si model të vetëm suksesi artistiko-financiaro-politik, nuk e ka luksin të votojë e të zgjedhë politikisht, ideologjikisht a tradicionalisht.
Kjo shoqëri 25 prillin e ka zgjedhje mes “Cecës” dhe moralit, në kuptimin shumë privat, shumë familjar, shume tradicional, pikërisht asaj që na ka bërë krenarisht të ndryshëm nga secili prej fqinjëve, sidomos serbëve…
Ky spektakël ndyrësisht joshqiptar e anti-evropian,duke se do jetë “fushata” e shokëve të Vuçiçit në Tiranë.
Ne, duhet të vendosim nëse do zgjedhim traditën e trashëguar nga gjyshërit e që na bën natyrshëm pjesë të perëndimit e njerzillëkut, ose një perversitet të huaj, armiqësor, anti-moral, anti-traditë “punëmabruarish” e “punëmbaruarash” brenda një nate, që jo vetëm s’na përket por na denatyron… bash në gen.

SHKARKO APP