Çështja Becchetti/ Pasqyra e turpit të mediave tona

 
Nga Andi Bushati.
 
Nëse ka një rast tipik ku mund të shohësh se sa të kapura, sa dezinformuese dhe sa jo në shërbim të publikut janë mediat tona tradicionale, ky është pikërisht rasti i investitorit italian Francesco Becchetti. Ka kaluar një javë që nga dalja e lajmit të bujshëm se Agon Channel do të sekuestrohet dhe se pronari i tij është shpallur në kërkim për pastrim parash, por gjatë gjithë kësaj kohe edicionet kryesore të lajmeve përcjellin si papagallë njoftimet e prokurorisë. Të gjithë flasin për pastrim parash megjithëse akush nuk ka në duar deri më tani qoftë edhe një provë të vetme që e vërteton këtë.
Të gjithë raportojnë gati me hare dy deklaratat skandaloze të kryeministrit Rama, njoftimet “OFF” të prokurorisë dhe askush nuk kujtohet të ngrerë disa pikpyetje themelore:
Si mund të flitet për pastrim parash kur nuk kemi asnjë provë se paratë për të cilat bëhet fjalë vijnë nga një burim kriminal? Si mund të sekuestrohet një biznes kur ende- ashtu sikurse thotë prokuroria- nuk kanë ardhur vërtetimet nga bankat europiane, të cilave u është kërkuar ky raport? Ç'është ky nxitim? Vallë bëhet kundër një televizioni opozitar, siç pretendon PD-ja, apo çështja është shumë më e ndërlikuar dhe në lojë kanë hyrë kompani aq të fuqishme sa mund të blejnë, që nga prokurorët e thjeshtë shqiptarë e deri tek shefi i qeverisë? E meqë jemi këtu ka një informacion shumë domethënës.
Me historinë e tij skandaloze të hidocentralit të Kalivaçit, Francesco Becchetti ka arritur t'i “grabisë” 159 milionë euro Deutsche Bank dhe plot 440 milionë gjigandit italian të energjitikës Enel, përmes arbitrazhesh të cilat i kanë dhënë atij epitetin e magjistarit të përfitimit të parave pa punuar. Natyrisht dihet që forca e këtyre gjigandëve të ekonomisë europiane, lobingu dhe presioni i tyre mund të depërtojnë edhe deri në institucionet shqiptare. Zyrtarët dhe prokurorët shqiptarë që janë të bleshëm edhe nga trafikantë të thjeshtë, nuk do e kishin të vështirë të bëheshin pre e tyre.
Por i gjithë ky sfond i ngjarjes ka munguar në pasqyrën që i kanë bërë asaj mediat tona. Ashtu siç ka munguar edhe një hipotezë tjetër, ajo e një porcesi të majmë që Fracesco Becchetti ka fituar me një nga pjestarët e rëndësishëm të kësaj shumice shumë pranë kryeministrit Rama.
Dhe pyetja që shtrohet është: Kur i kushton 2/3 e një edicioni lajmesh kësaj çështjeje, a duhet të flasësh edhe për këto hipoteza? Kur kjo histori të interesoka kaq shumë, a duhet të japësh një pamje shterruese të saj?
Personalisht nuk do kisha marrë kurrë një informacion të plotë për këtë ngjarjeje nëse kurioziteti (që vinte nga mungesa totale e informacionit) nuk do të më kishte shtyrë të shihja çdo mbrëmje Agon Channel, për të kuptuar se si mbrohej dhe ç‘argumenta kishte pronari i tij. Dhe vetëm pasi i ballafaqova për ditë me radhë qëndrimet e TV-ve tona tradicionale me ato që dëgjoja tek televizioni i Becchettit, arrita të kuptoj se historia nuk është aq e thjeshtë sa e paraqesin Edi Rama, prokuroria dhe mediat që u mbajnë iso atyre. Përtej parullave për luftën kundër pastrimit të parave, ka një tjetër betejë okulte që ka gjasë të jetë po aq e pisët sa paratë që ajo pretendon të pastrojë. Frika më e madhe e saj është se shteti shqiptar mund të jetë i kapur nga kompani të mëdha dhe se “sherifët” tanë në pushtet, mund të kenë marrë përsipër të gjejnë të drejtën për ato çështje që nuk i merr përsipër dot as drejtësia ndërkombëtare.
Dhe këtu problemi e tejkalon fatin e Fracesco Becchettit. Pak rëndësi ka nëse ai është trafikant apo i ndershëm, pastrues parash apo magjistar procesesh, investitor apo thjesht spekulant. Këtu në lojë nuk është fati i tij, por mënyra se si vepron drejtësia në Shqipëri, se sa ajo merr urdhra nga politika dhe se sa është e korruptueshme nga kompanitë ndërkombëtare.
Por të gjitha këto çështje madhore u trajtuan me cinizmin dhe ligësinë provinciale të pronarëve shqiptarë të mediave të mëdha. Përpara pikëpyetjeve që ngrinte ky kazus, TV-të tona rendën të hakmerren për dy gazetarë të blerë më shtrenjtë nga Agon, për një patentë televizive që i ishte ngritur çmimi, apo thjeshtë për madhështinë e studiove që u ngjallnin zili. Pothuajse të gjithë televizionet e mëdhenj shqiptarë edhe njëherë provuan se gjëja që u intereson më pak është e vërteta dhe informimi i drejtë i publikut. Ato rendën të mbështesin pa kushte kryeministrin Rama dhe prokurorinë vetëm me një qëllim: për t'i dhënë një “coplpo di grazia” një konkurenti të tyre të mundshëm. Dhe në këtë betejë që shpesh Fatos Lubonja e etiketon si luftë bandash, ato patën vërtet qëndrim banditesk, duke i bërë ndoshta shumë shqiptarë të sillen si unë dhe ta kthejnë telekomandën tek “Agon”, për të kuptuar të vërtetën e plotë.

SHKARKO APP