Çështja Çame në çantën e Ilir Metës
“Diplomacia greke ka lëvizur. Një letër “kërcënuese” ndaj Komisionerit Hahn është nisur me postë, në mënyrë që numri dy i shtetit shqiptar të kompleksohet. Ka gjasa t’ja kenë arritur disi qëllimit, sepse në delegacionin e Kuvendit gjenden të gjithë deputetët grekofonë të PS-së, LSI-së dhe PD-së”…
Nga Enkel Demi
Ilir Meta është një nga kryeministrat shqiptarë që e ka ngritur me guxim Çështjen Çame në Athinë. Deklarata e tij për shtyp në kryeqytetin grek në vitin 2000 krijoi një stuhi të vërtetë në marrëdhëniet mes dy vendeve. Ashtu si ka ndodhur rëndom në at’botë, Shqipëria u kërcënua me “operacionin fshesa”. Duhet thënë që fqinjët tanë nuk janë treguar asnjëherë të mirësjellshëm dhe kanë luajtur përherë me “çapën e bukës” e më të dobëtit, krejt ndryshe nga parimet kristiane, meqë e kanë të lidhur shtetin me fenë.
Megjithatë Ilir Meta shkon tani mysafir në Greqi për tre ditë të gjata, krejt në një optikë tjetër. Mirë apo keq Shqipëria nuk është më ai vendi aq i këputur, edhe pse në metodën e krahasimit ekonomikisht Greqia ka hyrë në një spirale krize prej vitesh. Pa dyshim që në arenën gjeopolitike Shqipëria ka pozita më të shëndetshme, ka një realitet shqiptar në Ballkan që është formësuar në dy shtete, por që është faktor edhe në Malin e Zi, Maqedoni dhe gjetkë. Duket sheshit që afrimi i kufirit sllav në rajon, ka shtyrë Perëndimin ta shohë shqiptarinë si një farë tamponi dhe kjo na ka dhënë guximin për të çelur disa çështje që Greqia synon t’i varrosë. Një prej tyre është Çështja Çame, të cilën do apo nuk do Ilir Meta e ka në valixhen e tij diplomatike, ani se shok udhe do të ketë Vangjel Dulen. Është e vërtetë që më shumë se kurrë diplomacia greke do të thotë që kemi të bëjmë me një çështje të paqenë e padyshim në këtë pikë Vangjel Dule do të tundë kokën në shenjë pohimi, por rëndësi ka që Ilir Meta të tundë kokën në shenjë mohimi, sepse ka qenë vetë si kryeministër që e ka ngritur në mes të Athinës, atëherë kur ishim më të dobët. Megjithatë diplomacia greke ka lëvizur. Një letër “kërcënuese” ndaj Komisionerit Hahn është nisur me postë, në mënyrë që numri dy i shtetit shqiptar të kompleksohet. Ka gjasa t’ja kenë arritur disi qëllimit, sepse në delegacionin e Kuvendit gjenden të gjithë deputetët grekofonë të PS-së, LSI-së dhe PD-së.
Çështja Çame në fakt, nuk është kaq e paqenë në agjendë për Greqinë dhe udhëheqësit e saj. Kryeministri Micotaqis, kur pritej në Tiranë nga homologu Aleksandër Meksi e ka patur në tryezën e bisedimeve, madje në konferencën për shtyp të dhënë me atë rast, Micotaqis nuk është rrëfyer kaq i prerë, por pronat dhe të gjithë natyrën komplekse të kësaj çështje ia la bisedimeve. Historia e dy vendeve më pas rrodhi në udhë të ndryshme, ku viti 1997 në mes (në të cilin grekët shfaqen si skenaristë të zotë) e hodhi Çështjen Çame në qelën e harresës. Por ja, vetë Ilir Meta ia nxorri kokën në Athinë.
Sot, është një qeveri, në të cilën Ilir Meta është bashkëautor dhe Çështja Çame është e mirënjohur nga vetë Komisioni Europian, pra nga qeveria e Brukselit. Si një politikan me aspiratë të qartë integruese në Europë, kreu i Kuvendit duhet parë nëse do të zgjedhë pozitën europiane apo sherrnajën e Ballkanit. Në të gjitha rastet Vangjel Dule i duhet për të tundur kokën në shenjë pohimi. Nuk do ishte keq ta kishte me vete edhe një deputet të PDIU-së për të tundur kokën në shenjë mohimi, se do i lodhet koka atij vetë. 27.al