Çfarë debati për Tiranën?

 

Nga Skënder Minxhozi/

Sipas Erion Veliajt duhet një debat me Halim Kosovën për të parë si kanë shkuar punët në Tiranë në katër vjetët e fundit dhe se cilat janë projektet aktuale. Sipas Halim Kosovës duhet që të ketë një debat, por vetëm për projektet konkrete të qytetit. Një formulim paksa i turbullt dhe evaziv, nëse sheh faktin se vetë Kosova po i shmanget sfidave të shumta që merr nga kundërshtari i tij i majtë. 

Për Gjergj Bojaxhiun nuk ka asnjë problem dhe asnjë listë preferenciale për kundërshtarët që do të gjente përballë në një studio televizive. Bojaxhi ka nisur denoncimin e ndërtimeve të reja që ka sanskionuar plani rregullues i Bashës në vitin 2012.

Natyrshëm, kërkesa për debat në kohë fushate, ka formën e një sfide, të një dorashke të hedhur, si në dyluftimet mesjetare. Duket sikur ai që e propozon debatin, ka avantazh dhe merr pozita dominuese mbi kundërshtarin sidomos kur ku i fundit refuzon të dalë në debat. Në fakt kjo është vetëm ana ngushtësisht politike e një debati, ose më saktë përdorimi elektoral që i bëhet këtij akti publik. Tirana e sotme ka nevojë për një debat të gjerë dhe shterrues, si për projektet që ofrojnë kandidatët e ndryshëm në garë për qytetin, ashtu edhe për vetë integritetin, formimin, kompetencat dhe aftësitë e konkurentëve. Një debat që prek idetë, tezat dhe programet elektorale, por edhe figurën dhe personin e njerëzve që tiranasit do të votojnë në 21 qershor.

Gara e kryeqytetit ka disa veçanësi, që e bëjnë jo të zakontë. Votohet mandati katërvjeçar i kreut të opozitës, garojnë dy ish­ministra të dy palëve kryesore, si dhe kandidatë të pavarur mjaft seriozë e sfidues. Është pra një garë me dozë të lartë politike dhe politizimi. Si e tillë, Tirana meriton një sfidë publike mes garuesve, meqë nuk patën një të tillë atëhere kur vendoseshin kandidaturat nga partitë përkatëse. PS e PD duhej ta kishin peshuar kandidaturën e tyre jo përmes negociatash e kulisash, por përmes përballjes së hapur të kandidatëve brenda partisë. Por tani që ky është një argument i mbyllur, të paktën mos privoni qytetin nga një debat publik rreth programeve dhe personave i mbartin ato. Kjo do të ishte e padrejtë dhe jocivile për një ambjent të emancipuar, siç thuhet shpesh se është ky i Tiranës.

javanews.al

 

SHKARKO APP