Çfarë e pengon kapitalizmin të triumfojë

Nga John Gray*

Në zyrat e bankave dhe qeverive ka hedhur rrënjë besimi në pakthyeshmërinë e avancimit të kapitalizmit. Sistemi i bazuar mbi tregun që është zhvilluar në Perëndim, është përhapur në pothuajse të gjitha vendet e botës. Planifikimi qendror ekonomik i llojit të ish-Bashkimit Sovjetik dhe Kinës së Maos nuk ekziston më si një sistem i ndarë ekonomik. Një version mund të vërtitet ende në Korenë e Veriut, por vërtet që është i vetmi i këtij lloji i mbetur në të gjithë botën. Përballë triumfit gati universal të forcave të tregut, shumë kanë dalë në përfundimin se kapitalizmi ka fituar në një proces evolucioni si ai që ndodh midis specieve. Intensivisht inovativ dhe tepër produktiv, kapitalizmi duket se e ka vendosur çdolloj tjetër tipi të ekonomisë në rrugën e zhdukjes.

Idetë evolucioniste janë depërtuese në kohën tonë, dhe duket natyrale t’i shtrish ato përtej mbretërisë në të cilën u aplikuan për herë të parë. Por është larg nga të qenit e qartë nëse çdo lloj procesi evolucionist funksionon për shoqërinë. Në të kaluarën, mendimtarë me ndikim kanë besuar se një numër sistemesh të ndryshme ekonomike do të fitonin në atë që ata e imagjinonin si një version shoqëror të evolucionit darvinian. Në çdo rast, deri tani, historia i ka nxjerrë të rreme këto pritshmëri. Nuk ka arsye të mendosh që situata është e ndryshme sot. Përparimi në dukje i pandalshëm i forcave të tregut lehtësisht mund të ngecë apo të kthehet pas nga vendimet politike dhe fluksi i zakonshëm i ngjarjeve njerëzore. Nocioni se shoqëritë dhe ekonomitë evoluojnë nuk është i ri. Një version i kësaj ideje ishte paraqitur nga Herbert Spencer, një profet viktorian i tregut të lirë e pa pengesa, e që tashmë pothuajse është harruar, e idetë e ekzagjeruara të të cilit në njëfarë mënyre vijojnë të ridalin në sipërfaqe. Ishte Spencer dhe jo Charles Darwin, i cili shpiku shprehjen e stërpërdorur “Mbijetesa e më të aftit”. Spencer besonte se lloje të ndryshme shoqërish rivalizonin me njëri-tjetrin sikundër bëjnë speciet në botën e natyrës dhe sugjeronte se dy lloje shoqërish, të cilat ai i quante “militante” dhe “industriale”, ishin duke konkurruar në kohën e tij. Në shoqëritë militante jeta ekonomike ishte e bazuar në forcën dhe drejtohej në njërën apo tjetrën anë nga qeveria, ndërsa në shoqëritë industriale ekonomitë bazoheshin në kontrata dhe në shkëmbimin vullnetar. Monarkitë dhe perandoritë e Europës kontinentale ilustronin llojin militant, ndërsa Anglia e mosndërhyrjes laissez-faire në mes të shekullit të 19-të ishte shembull i mënyrës industriale. Shoqëritë industriale ishin thelbësisht paqësore, besonte Spencer, ndërsa shoqëritë militante ishin të prirura ndaj luftës. Përgjatë gjithë jetës së tij të gjatë, lindur më 1920, ai ndërroi jetë më 1903, Spencer ishte i sigurt se cila nga dy llojet e shoqërisë do të triumfonte. Rezultati përfundimtar i evolucionit social do të ishte ai që kapitalizmi do të përhapej gjithkund. Ishte vetëm drejt fundit të shekullit të 19-të, me ngritjen e Bismarkut në Gjermani dhe shpërthimin e Luftës Boere, kur Spencer nisi të dyshonte se shoqëritë militante do kishin epërsi. I përballur me kursin e ngjarjeve, ai i kaloi vitet e fundit të jetës në një gjendje trishtimi të thellë. Por ideja se shoqëritë evoluojnë nuk u zhduk. Përkundrazi, dishepullja e Spencer, Beatrice Webb, sociologe dhe bashkëthemeluese e London School of Economics, doli me një drejtim të ri për evolucionin social, të kundërt me atë që kishte parashikuar mentori i tij. Pasi kishte vëzhguar shkallën e varfërisë në Londër, Beatrice e braktisi besimin në laissez-faire dhe e konvertoi atë në socializëm, por ajo vijoi të besonte se shoqëria ishte duke evoluar drejt planifikimit qendror. Së bashku me bashkëshortin e saj, Sidney, ajo u shndërrua në një admiruese të zjarrtë të Rusisë së Stalinit dhe së bashku ata nxorën një libër “Bashkimi Sovjetik, Një civilizim i ri”. Në botimin e parë të vitit 1935, titulli përfshinte edhe një pikëpyetje pas “Qytetërim i ri”. Por Sidney dhe Beatrice ishin aq të sigurt në mendimin e tyre për drejtimin që do të merrte evolucioni shoqëror, saqë e hoqën pikëpyetjen e cila nuk shfaqet në botimet e mëvonshme të librit. Në ndryshim nga Spencer, Webb-ët patën fatin e mirë të vdesin, Beatrice në 1943, Sidney më 1947, me iluzionet e tyre të paprekura. Civilizimi i ri që ata prisnin tërë besim nuk u shfaq asnjëherë, Bashkimi Sovjetik u shkatërrua dhe Rusia sot nuk i ngjason aspak asaj që ata mund të kishin imagjinuar. Por, ideja e evolucionit shoqëror sërish nuk u zhduk dhe në disa rrethe është më e fortë se kurrë. Në vitet ‘80, fituesi i çmimit Nobel, ekonomisti austriak, FA Hayek paraqiti një teori evolucioniste të ngjashëm me atë të Herbert Spencer, kur sugjeroi se kapitalizmi do të triumfonte për shkak se prodhimtaria e tij e pamasë do të mbështeste një popullsi njerëzore më të madhe sesa çdo sistem tjetër ekonomik. Duke u bërë jehonë ideve të tilla, shumë në Perëndim e interpretojnë rënien e Bashkimit Sovjetik si një tregues se planifikimi qendror ka humbur në garën darviniane me tregun e lirë, dhe shumë të tjerë sot mendojnë se drejtimi i Kinës drejt kapitalizmit që ka ndodhur në dekadat e fundit është i pakthyeshëm. Por Bashkimi Sovjetik nuk u zhduk në vitin 1991 për shkak se planifikimi qendror ishte joefikas dhe i korruptuar, ashtu siç ishte që prej themelimit të sistemit sovjetik në vitin 1922 pas revolucionit bolshevik të vitit 1917. Rënia ndodhi për shkak se BRSS u mposht në Afganistan dhe nuk mund të kontrollonte forcat religjioze dhe nacionalizmin që kishte shpërthyer në Poloni dhe në shtetet baltike. Ngjashëm, nuk ishte përmes një procesi të evolucionit shoqëror që kapitalizmi u përqafua në Kinë. Eksperimenti kinez nisi 30 vjet më parë si rezultat i vendimeve të marra nga Deng Xiaoping, dhe shumë mirë mund të ishte ndalur nga vendimmarrja e liderëve të mëvonshëm. Në fakt nuk ka asgjë darviniane sa i takon idesë së evolucionit shoqëror. Pika kryesore e teorisë së Darvinit është që evolucioni nuk ka një drejtim të përgjithshëm. Siç e vendos ai në fjalë në Autobiografinë e tij, ka po aq dizenjim në përzgjedhjen natyrore sa ka drejtimi që fryn era.

Evolucioni i specieve ndodh si pjesë e një procesi rrjedhjeje të ngadaltë dhe e njëjta do të ishte e vërtetë për shoqëritë nëse ato gjithashtu evoluojnë. Evolucioni nuk do të përfundojë në ndonjë vend në mënyrë të veçantë, dhe i gjithë debati për shoqëritë që evoluojnë në drejtim të një fundi të çfarëdoshëm, qoftë ai kapitalizmi, komunizmi apo tjetër, përfshin një keqkuptim bazik të evolucionit darvinian. Evolucioni shoqëror është thjesht një mit modern. Nuk ekziston asnjë teori shkencore sesi supozohet të funksionojë procesi. Ka pasur kaq shumë biseda boshe rreth mëmës, njësi të informacionit apo kuptimeve që me gjasa konkurrojnë me njëra-tjetrën në shoqëri. Por nuk ka asnjë mekanizëm për përzgjedhjen e koncepteve njerëzore të ngjashme me atë që Darvini besonte se ekzistonte mes specieve dhe që shkencëtarët e mëvonshëm provuan se funksiononte edhe midis geneve. Ide të këqija si racizmi duket se do të enden përgjithmonë, ndërsa ideja qesharake e evolucionit shoqëror ka treguar një fuqi të pabesueshme për të pësuar mutacione dhe për të mbijetuar. Përgjatë pak vjetëve në vijim, besimi se shoqëritë kudo janë duke evoluar në drejtimin e kapitalizmit të tregut do të vendosen në test të dhimbshëm. Ne kemi parë në Rusi sesi përhapja e forcave të tregut global mund të jetë e kthyeshme nga një lider i vendosur dhe në dukje tepër popullor. Rusia e Putin nuk është kthyer ende tek planifikimi qendror, por po vërtitet rreth vetes dhe po përpiqet të reduktojë varësinë ndaj tregjeve botërore. Diçka e ngjashme mund të ndodhë me Kinën. Gjatë gjithë eksperimentit ekonomik të Kinës, shteti asnjëherë nuk e ka dorëzuar kontrollin ndaj komandimit nga lart të ekonomisë. Nuk është e vështirë të imagjinohet se presidenti i ri i fuqishëm, Xi Jinping mund të reagojë ndaj kërcënimit për trazira për shkak të ngadalësimit aktual ekonomik, duke forcuar kontrollin qeveritar në të gjithë shoqërinë. Kapitalizmi i mbijetoi krizës financiare që nisi në vitin 2007 dhe nuk ka arsye të mendohet se ai përballet me perspektivën e afërt të kolapsit global. Në mënyrë të ngjashme, nuk ka arsye të supozojmë se kapitalizmi do të rinisë avantazhin. Për mendimin tim, përfundimi me më shumë gjasa është se e ardhmja do të jetë si e shkuara, bota do të ketë një varietet sistemesh ekonomike. Çfarëdo që të ndodhë, nuk do të përcaktohet nga ndonjë proces imagjinar i evolucionit social. Do të jenë vendimet njerëzore, në bashkëveprim me rrjedhën e pakontrollueshme të ngjarjeve, të cilat do ta çojnë botën drejt të ardhmes së panjohur.

*filozof, Universiteti i Oksfordit, MAPO

SHKARKO APP