Çfarë fitoi Basha me çadrën?

Basha ka kthyer në zgjedhje garën, pas 3 muajësh protestë. Padyshim ai e di që edhe Rama ka bërë kalkulimet e tij. Rama ka dashur dhe ka arritur të heqë çdo peshë që i rridhte nga koalicioni dhe po tenton të bëjë një betejë ku i humb apo fiton të gjithë. Ja arrin apo jo, këtë sërish nuk e thotë dot askush. Por të gjithë mund të thonë që së paku, tani do të kemi një garë.

Nga Blendi Fevziu

Është e vështirë të flasësh për marrëveshjen Rama – Basha dhe akoma më e vështirë të thuash se cili është fituesi dhe humbësi i saj. Eshtë po kaq e vështirë të flasësh për palë të treta të humbura, sepse ekuacioni që ka sjellë kjo marrëveshje nuk llogaritet dot tani. Edhe nëse palët flasin dhe janë të sinqertë, marëveshja është plot të panjohura dhe askush, përfshi vetë protagonistët, nuk të thonë dot se cila do të jetë e ardhmja e saj.

Por nëse ka një gjë që mund të thuhet për marrëveshjen, ajo mund të pranohet me gojën plot: Basha ja arriti ta hapë betejën elektorale dhe kjo është fitorja më e madhe e çadrës dhe e tij.

Mjafton një analizë fare e thjeshtë për ta argumentuar këtë.

Më 17 Shkurt të këtij viti, një ditë përpara tubimit që instaloi në bulevard çadrën e protestës, Basha dhe PD dukeshin me pak shpresë.

PS kishte konfirmuar koalicionin me LSI dhe PDIU, duke lënë të kuptohej që fitorja e tyre ishte XXL.

Mbështetësit e PD ishin shumë pak të motivuar pas zgjedhjeve lokale të 2015 dhe sidomos pas humbjes problematike në Dibër. Kritikët e PD thoshin që votues të saj, në mungesën e shpresës për fitore do kalonin tek parti të tjera në një masë jo të vogël dhe kjo do të kthehej në problem.

Të gjitha instrumentat mbështetëse të zgjedhjeve, “të fortët”, “të pasurit” dhe “influentët” e lokaliteteve dukeshin të lidhur mirë me PS.

Vetë Basha nuk e kishte të konsoliduar lidershipin në parti dhe shumë veta, jashtë dhe brenda PD e shihnin me mosbesim.

Në këtë kontekst, humbja e PD nuk dukej më e mundshme, por thuajse e sigurtë.

3 muaj më pas dhe me një protestë që kishte shumë personazhe brenda PD, por edhe në media kundër, Basha ja arriti ta kthejë situatën në favor të partisë së tij.

Së pari koalicioni XXL nuk ekziston më. PS do garojë e vetme dhe LSI me PDIU po ashtu. Ky është bonusi më i madh që Basha mori nga protesta e tij. Në një garim të tillë loja është hapur nga fillimi dhe shanset për një rezultat surprizë po ashtu. Të gjithë e dinë që një rezultat i ngushtë, mund të çojë në kombinime të tjera të shifrave për të arritur numrin magjik 71. Pra PD është e hapur t’i bashkojë shifrat e saj me të gjitha partitë, ndryshe nga 3 muaj më parë kur nuk kishte asnjë shans për këtë.

Së dyti, Basha me çadrën, forcoi shpirtin e opozitarizmit dhe qëndresës dhe i bindi mbështetësit e tij se një fitore e mundshme nuk është aq larg. Duke shkarkuar 15 ministra të qeverisë dhe duke i zëvendësuar me ish zyrtarë të administratës së PD, ai ka dhënë mesazhin që pushteti është afër dhe kjo ndikon tek mobilizimi i njerëzve të tij më shumë se çdo gjë.

Së treti, Basha konsolidoi ndjeshëm në publik dhe brenda partisë, lidershipin e tij. Sot mund të jesh kundër apo pro Bashës në parti, por vështirë të mendosh që ai është thjeshtë një marionetë siç mendonin deri 3 muaj më parë shumë vetë.

Për të gjitha këto arsye, Basha ka kthyer në zgjedhje garën, pas 3 muajësh protestë. Padyshim ai e di që edhe Rama ka bërë kalkulimet e tij. Rama ka dashur dhe ka arritur të heqë çdo peshë që i rridhte nga koalicioni dhe po tenton të bëjë një betejë ku i humb apo fiton të gjithë. Ja arrin apo jo, këtë sërish nuk e thotë dot askush. Por të gjithë mund të thonë që së paku, tani do të kemi një garë. Opinion.al

SHKARKO APP