Çfarë fitoi PD me PO e drejtësisë?

Kalimi i reformës, e relaksoi opozitën. Tani problemi i mbetet mazhorancës. Thyerja e PS me LSI është më se evidente dhe qeverisja e mëtejshme e tyre mbetet thjeshtë një farsë. Thënë ndryshe nuk ka më qeverisje. Ka administrim të përditshëm, secili në parcelën e tij, por jo zbatim i një programi qeverisës. Pas kësaj, PS dhe LSI do harxhojnë më shumë kohë dhe energji në betejën e tyre nën tavolinë”…

Nga Blendi Fevziu

Lulzim Basha i ka thënë PO reformës në drejtësi, mbi bazën e një drafti të propozuar nga ndërkombëtarët dhe të përmirësuar deri në muajin e fundit nga amendimet e opozitës. Ndryshe nga sa kishin paralajmëruar një pjesë e madhe e mediave, dhe ndryshe nga përbetimet nën zë dhe informale të një pjese të njerëzve në korridoret e PD, Basha e ka marrë vendimin e tij. Përtej presionit të jashtëzakonshëm në këtë rast të ndërkombëtarëve; përtej presionit publik në vend që ishte hapur në favor të reformës, përtej shantazheve me vota të blera apo deklarimeve të së paku dy deputetëve të njohur të PD në favor në draftit, përtej shpalljes së LSI se votat e saj do shkonin me mazhorancën në çdo rast, duket se Basha ka qenë i vendosur për të thënë PO. Ka qenë padyshim zgjidhja e tij më e mirë dhe jo e lehtë.

Po çfarë ka fituar PD me PO – në e sotme.

E para Basha ka shmangur një konflikt publik dhe të panevojshëm të opozitës me ndërkombëtarët. PD është rikthyer në pozicionin e saj natyral, atë që ka pasur që në themelim, bartëse e vlerave perëndimore dhe aleate e drejtpërdrejtë e Europës demokratike dhe SHBA. Çdo sjellje tjetër, çdo refuzim do të kishte pasur pasoja afatgjata për të. Në këtë rast, ndërkombëtarët do vijojnë të mbeten partnerë kryesore të PD në betejën e ardhshme të saj për reformën elektorale dhe votën e lirë!

E dyta, shmangu mundësinë e rrjedhjeve nga PD dhe hapjen e një konflikti të brendshëm. Nëse PD nuk do të votonte dhe mazhoranca do t’i bënte 94 votat e nevojshme edhe me ndihmën e disa deputetëve të PD, pasoja do të ishte shumë e madhe. Sinjalet ishin dhënë dhe media ishte në dijeni të emrave dhe ofertave që ishin bërë në këtë drejtim.

E treta, Basha ka luajtur deri në momentin e fundit për të marrë sa më shumë ndryshime në favor të tij dhe ja arriti kësaj. Ai modifikoi mjaft pika të draftit, duke marrë favore që opozita nuk i kishte as në ligjin aktual. Përmes këmbënguljes dhe negocimit, arriti disa gjëra që në thelb dukeshin të pamundura disa muaj më parë. Por detajet e ligjit nuk kanë aq rëndësi. Rëndësi ka impakti politik i tij.

E katërta, edhe pse me shumë vonesë, Basha mbylli një kapitull që ishte në disfavor të tij. Në vend që të merrej me qeverisjen e keqe, problemet ekonomike, varfërinë, rendin apo korrupsionin, PD u detyrua të fokusohej tek reforma në drejtësi. Duke qenë në pozita më pak të favorshme se sa PS dhe nën presionin e ndërkombëtarëve, ajo zbehu rolin e saj primar, betejën për qeverisjen e mirë të vendit. Problemet thelbësore ikën nga fokusi kryesor edhe mediatik, duke i vendosur në fokus reformën.

E pesta, kalimi i reformës, e relaksoi opozitën. Tani problemi i mbetet mazhorancës. Thyerja e PS me LSI është më se evidente dhe qeverisja e mëtejshme e tyre mbetet thjeshtë një farsë. Thënë ndryshe nuk ka më qeverisje. Ka administrim të përditshëm, secili në parcelën e tij, por jo zbatim i një programi qeverisës. Pas kësaj, PS dhe LSI do harxhojnë më shumë kohë dhe energji në betejën e tyre nën tavolinë dhe opozita do të jetë komode dhe e furnizuar me akuza që dy palët e qeverisë ja bëjnë vetë njëra – tjetrës.

E gjashta, PO e djeshme, i jep mundësi Bashës të hapë një aksion tjetër politik brenda opozitës. Ai ka mundësinë të vlerësojë se kush do të jetë ekipi i tij i ardhshëm dhe kush ka nevojë të ndalojë këtu. Duke e falënderuar për kontributin që ka dhënë, por duke i kujtuar se tashmë opozita ka nevojë për të tjera energji dhe tjetër filozofi në rrugën drejt pushtetit. Ky do të jetë edhe aksioni më i rëndësishëm i Bashës. Pa një ekip të tijin, pa një ekip që ngjall shpresë dhe entusiazëm në publik, shanset janë të pakta.

Basha ka thënë sot një PO të rëndësishme. Një PO, që pavarësisht rrethanave në të cilat u mor, i jep Bashës staturën që kishte nevojë dhe opozitës, vendin që i takon! Opinion.al

SHKARKO APP