Çfarë ndodh pas arrestimit të Albin Kurtit

 

 

Nga Ben Andoni

Kosova ka hyrë në vitin e dytë të ngërçit institucional, e që ka marrë një shtysë për thellimin e krizës me arrestimin e liderit de facto të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe disa veprimtarëve të tjerë të VV. Në fakt, të shtunën ka qenë kulmi i kësaj krize, ku të dy palët, qoftë Pozita në fuqi por edhe Opozita kosovare kanë bërë sprovën e fundit të forcës. Ka qenë ‘e mençme’ taktikisht zgjedhja e opozitës që tubimin ta përmblidhte ditën e pavarësisë, për të siguruar një pjesëmarrje të gjerë, por edhe për t’i dhënë një lloj zhvillimi të ardhmes së saj, që në fakt e kish humbur disi. Këtë e kanë arritur, por ndërkohë Opozita ka bërë dhe hapin e saj të ditur që në një farë mënyre e ka ‘vetëdorëzuar’ Albin Kurtin, që është shfaqur para turmës,  i vetëdijshëm ndaj arrestimit.

Por  ndërsa qeveria nuk ka hezituar dhe me anë të mekanizmave të saj ka vepruar fort, reagimi i saj duket disi i turpshëm, kur mendon se ende qëndrojnë barrikadat e serbëve lokalë, që e justifikon direkt Opozitën, në një farë mase …

Paçka shfaqjeve populiste dhe deklaratave në Kosovë, republika e re është futur në një spirale të rrezikshme, me anë të së cilës ka zhgënjyer sponsorat e saj perëndimorë, pasi gjendja e paqëndrueshme politike kosovare tashmë përcillet deri në Këshillin e Sigurimit dhe trajtohet me qesëndi nga kundërshtarët e kësaj pavarësie.

Opozita e Kosovës,  ndërkohë, po vazhdon vetëm në një vektor që e ka të përcaktuar qartë. Qëllimide facto është heqja e kryeministrit aktual, Isa Mustafa që duhet thënë se lë shumë për të dëshiruar, në këtë stad të qeverisjes së Kosovës. Kjo e bën disi të sikletshme Opozitën, por edhe i ka lënë pa kauzë reale, sepse  të dyja kërkesat janë ende pa  marrë jetë. Që do të thotë se momentalisht presidentja e ka përcjellë  në Gjykatën Kushtetuese, krijimin e “Bashkësisë”, kurse demarkacioni me Malin e Zi është ende i paratifikuar, që nëse mund të kishte një vullnet të mirë mund që të rregullohet lehtësisht  me mekanizmat parlamentarë. Për më tepër  në tavolinë këto ditë, për zbutjen e këtij ngërçi, është një propozim tejet interesant i deputetëve Vjosa Osmani dhe Ilir Deda.

Me pak fjalë janë të gjitha mekanizmat që kërkesat e opozitës të kenë një trajtim, por ajo që shihet nën hije është se ka një sens për shmangien e vëmendjes ndaj Gjykatës Speciale, që do të thotë se shumë personazhe që bëjnë sot ligjin në Kosovë, duan ende  të peshkojnë të qetë. Dhe nëse gjërat shkojnë keq, ashtu siç edhe kanë nisur, atëherë Kosova hyn realisht në vitin e dytë të “ngërçit” politik dhe institucional, që do të thotë edhe shtyrje e afatit të Gjykatës dhe përbën atë stad që Presidenten e vendit duhet ta detyrojë ta shpërbënte Kuvendin dhe të shpallte zgjedhjet e jashtëzakonshme sipas ligjit. Aman, sido që të ndodhë, Gjykata Speciale i pret aty pas derës të gjithë ata që kanë gjynahe.

 

SHKARKO APP