Çfarë po mendoja kur po e dëgjoja gjeneralin Clark?

Nga Berat Buzhala –
Para 19 vjetëve kam qenë vetëm një copë e mishit, që të mos tham një copë e m…, ose një grumbull i eshtrave, që po rendte nëpër malet dhe fushat e Kosovës në pritje të një plumbi, ose një cope granate, që do t’i jepte fund çdo gjëjë.
Para 19 vjetëve kurrë nuk do ta kisha menduar që një ditë, kurdo qoftë ajo ditë, unë dhe gjenerali Wesley Clark do të gjendeshim në të njëjtën ambient, vetëm disa metra larg njëri tjetrit. Unë sot e kësaj dite vuaj nga një kompleks, nga një sëmundje, që nuk di as si ta quaj. Sa herë që e takoj ndonjë figurë të çmuar të SHBA’ve ose të BE’së, më rikthehen pamjet e luftës. Para këtyre figurave, e edhe para gjeneralit Clark, gjithmonë më duket vetja një leckman qesharak që po kërkon mëshirë, që po lutet për jetën e tij.

Në maj të vitit 1999 unë kam qenë një njeri krejtësisht i pavlerë. Një numër, teknikisht i gjallë, por pa kurrfarë rëndësie, madje as demografike. Kam qenë një kufomë që edhe më tutje kishte mundësi – çuditërisht – të lëvizte. Të ikte – pa ndonjë arsye.

E kam thënë edhe njëherë tjetër në një shkrim: unë sot çuditem pse e doja aq shumë jetën, e cila e kishte humbur çdo kuptim.

Isha një copë e mishit, që të mos themi një copë e m…, ose një grumbull i eshtrave, që po rendte nëpër malet dhe fushat e Kosovës në pritje të një plumbi, ose një cope granate, që do t’i jepte fund cdo gjëjë.

Familjen e kishin marrë forcat serbe. Shtëpinë e kishin shkatërruar, po forcat serbe. Ndërsa, po forcat serbe, për cdo ditë e më tepër po i mbyllnin edhe vrimat e fundit ku ne shpresonim që t’i fusnim kokat e palara dhe të pavlera. Po planifikonin që të na kapnin sikur ne kur i kapim minjtë që sillën në panikë nëpër shtëpi, kur fillojmë t’i ndjekim si të përhanur me papuçe në dorë.

Pas kaq vitesh po më riktheheshin këto kujtime të errëta, derisa pak metra më tutje Gjenerali Wesley Clark po e mbante një fjalim përpara studentëve të AUK’ut, që po diplomonin, në mesin e të cilëve edhe mbesa ime, Sabina, gjithashtu e lindur gjatë luftës.

Në krah timin, derisa po ndodhte kjo ceremoni, ishin të dy prindërit e mi, të cilët i kisha humbur, dhe më kishin humbur, para 19 vjetëve në një mal në fshatin Doberdol, pa shpresën që do të shiheshim prapë. I shikoja prindërit, tash dukshëm më të plakur, dhe e shikoja gjeneralin Clark, gjithashtu më i plakur. Fillova të mendoja më vete, derisa ceremonia festive po vazhdonte, se po të mos kishte qenë ky njeri, mundësia do të kishte qenë e madhe që babën e nanën nuk do t’i kisha takuar kurrë më. Së këndejmi as ata mua.

Nuk e di çfarë po mendonin prindërit në ato momente, por e pata një përshtypje që baba ishte në valë të njëjta më mua. Ai, pra baba, në momentin e parë që e pa gjeneralin Clark u entuziazmua. Filluan t’i shkëlqenin sytë. E kisha përshtypjen që iu duk që po e shihte të kaluarën dhe të ardhmën njëkohësisht. Derisa Clark po fliste në gjuhën angleze, baba, i cili nuk e kupton asnjë fjalë në këtë gjuhë, po duartrokiste pa kushte dhe pa rezervë. Pajtohej me cdo gjë që e thoshte gjenerali i pensionuar. E di, sigurisht e dini edhe ju, baba nuk po i duartrokiste fjalëve të Clarkut, po i duartrokiste veprave të tij. Në momente të caktuara po shikoheshim me njëri tjetri në sy, dukshëm të mallëngjyer.

Nuk dëshiroj të zgjatem më tepër në këtë shkrim. As nuk dëshiroj t’i analizoj ato çfarë gjenerali Clark tha gjatë qëndrimit të tij në Kosovë. Ne jemi këta që jemi.
Gazetaexpress.com

SHKARKO APP