Çfarë po thotë Basha me Besnik Mustafajn?

Nga Alfred Lela

Besnik Mustafaj është një prej atyre demokratëve, gjë fort e rrallë, që është tërhequr, me siguri zemërthyer, nën hijen e rëndë që lëshon pjergulla e jetës jopublike, por pa i gjuajtur me gurë shtëpisë së dikurshme. ‘I ngujuar’ në Priskë, një fshat diku në këmbët e Dajtit, ai zbret në qytet, si malësorët dikur, vetëm të shtunave. Blen gazetat dhe gjithë ‘helmet’ e qytetit për bukën e përditshme të katundit. Pa televizor, e ka futur veten në ‘terr informativ’, një term që demokratët e viteve të ashpra opozitare të fundnëntëdhjetës e përdornin shpesh.

Papritur ka dalë prej asaj teqeje që gjelbër që mund të jetë fshati, pylli dhe letrat dhe është parë nja dy ditë në Dibër. Si i dalë nga moskundi. Nga hijet e kthjellëta të fshatit, në dritën e turbullt të fushatës elektorale.

E ka nxjerrë prej tërheqjes, qetësisë dhe ndoshta vetmisë, njëfarë Sherefedin Shehu. Apo njëfarë Lulzim Basha. Thellë-thellë, as njëri e as tjetri. E ka nxjerrë xanxa e vjetër e demokratit që ai vetë e ka pagëzuar këto dy ditë, lart e poshtë, sikur do t’i mbushë mendjen vetes e jo të tjerëve, ‘shpresë’.

Një cinik ka thënë se shpresa më e mirë është të mos kesh asnjë shpresë. Duket se fatlumi i kësaj parabole i ka ndjekur demokratët në këta tre vjet stërmundues opozitarë. Shpesh të braktisur nga busulla ata janë shfaqur në detin politik të pashpresë. Nëse i besojmë cinikut, të mospasurit e asnjë shprese është shpresimi më i mirë.

Dhe ja ku shfaqet Besnik Mustafaj, teposhtë Dajtit me një Tojotë të vjetër, dy duar mbi timon, me gishta që prej nikotinës ngjajnë të ndryshkur si gjymtyrët e statujës së një heroi që jetën e dytë e ka shkuar në shi. Asgjë prej shprese nuk ka te portreti i tij. Por, shpresa, edhe vetë shpresa te shpresa, është diçka jo lëndore, jo fizike, e pakapshme nga syri, por e zotërueshme nga intuita njerëzore.

Mustafaj, Selami Xhepa, një tjetër ish-deputet demokrat që u ngjit në Dibër këto dy ditë, por edhe vetë kandidati për bashkinë Sherefedin Shehu, janë një tentacion drejt shpresës. Ata janë tre musketierë të saj, tre profesionistë, tri qenie që nuk u shijon ekzagjerimi. Dy prej tyre kanë ‘shijuar’ njëfarë dëbimi nga partia e tyre. Me sa duket nuk u shijon as zemërata e verbër përderisa thirrja e Bashës i pa edhe njëherë monopateve elektorale.

Si Mustafaj, ashtu dhe Xhepa janë një shenjë e hapjes që Basha u bën të djathtëve dhe publikut. Partia e tij e mpakur nga ekspansioni i së majtës, në martesë edhe me babëzinë, duhet ta gjejë shpresën te mungesa e saj. Rilindja, duhet thënë, po i jep një dorë.

Dibra ndërkohë po i jep një mundësi. Zgjedhjet në këtë bashki mbeten një rast kureshtar politik. Vëmendja që kanë ia tërhequr medias dhe politikës është e ngjashme, sigurisht jo e barabartë, me betejën për ‘marrjen’ e Tiranës. Afërmendsh, nuk është pesha e Dibrës, se sa janë rrathët që vijnë nga qendra për të krijuar shtjellë në këtë zonë. Dibra u shërben palëve si një test për kilometrat politike të udhëtuara deri më tash, por edhe si barometër për taktikat prej këtej e më tej.

Dibra është zona elektorale speciale që ka në balotazh ‘qeverinë teknike’ të Bashës dhe qeverinë e ‘drejtimit të duhur’ të Ramës. Këtë të dytën e shmangu nga çdo drejtim kryebashkiaku paraardhës Shukri Xhelili, ndërsa të parën e futi, simbolikisht, në rrugën e drejtë treshja Shehu, Mustafaj, Xhepa.

Mund t’i imagjinosh të tre në Tojotën e vjetër të shkrimtarit, duke u trandur nëpër gropat e një rruge e cila edhe në kohë të Arbrit ka patur më pak gropa. Flasin për ekonominë e letërsinë dhe ndoshta për një qeveri teknike. Diku në një të përpjetë i parakalon një karvan i bardhë fuoristradash Defender.

Është ushtria elektorale e ‘qeverisë tjetër’, kjo aspak imagjinare. Ja, edhe ideja e një premtimi elektoral, mendon me qesëndi Besnik Mustafaj: ofrojuni dibranëve nga një Defender për shpi. Ky do të jetë të paktën një premtim i ri përkundër Rrugës së Arbrit, që është premtuar tri herë. Defender-i ashtu si paraja hap çdo rrugë.(mapo.al)

SHKARKO APP