Çfarë rrezikon Shqipëria nga Ligji Italian per Call Centers?
Jorida Tabaku.
Këto ditë në media ka qarkulluar një amendament i miratuar nga Dhoma e Ulët e Parlamentit Italian, që lidhet me kompanitë italiane që përdorin shërbimet Call Center jashtë territorit të Italisë dhe BE-së. Ky amendim i ligjit është dërguar vite më parë në Parlamentin Italian, por u aprovua pas debateve të gjata para dy ditësh si pasojë e rastit “Almaviva”.
Shkurtimisht mbi këtë rast, në prillin e vitit 2016 kompania “Alamaviva” në Itali ka shkurtuar mbi 30 mijë punonjës si pasojë e konkurrencës së fortë që vinte nga Call Center që operonin jashtë vendeve të BE-së dhe që kanë kosto më të ulët. Për rrjedhojë, parlamenti i Italisë, rishqyrtoj amendimin e ligjit i cili:
Detyron kompanitë Italiane që kanë Call Center e tyre të drejta për drejta (pa palë ndërmjetësuese) të zhvendosin qendrat Call Center në Itali apo vendet e BE nga vendet jashtë BE-së. Gjithashtu, ligji, detyron kompanitë Italiane që kanë kontrata me palë të treta (siç është rasti i Shqipërisë) që të krijojnë opsionin e lajmërimit të klientit nëse dëshiron të flasë me një operator që ndodhet në Shqipëri apo me operatorë që ndodhen në Itali.
Pikërisht kjo pikë është ajo çfarë ka nxitur një reagim dhe frikësim legjitim të shumë të rinjve që mbajnë familjet, tarifat e studimit por edhe sigurojnë një të ardhme përmes kësaj forme punësimi. Ligji në fjalë, parashikon që kompanitë që përdorin Call Center me palë të treta, nuk do të përfitojnë më nga lehtësirat fiskale si dhe subvencione të qeverisë italiane. Kjo do të thotë që shumë prej kompanive italiane si pasojë e kësaj shtrëngese do të detyrohen që të ulin çmimin me të cilin ato paguajnë operatorët e Tretë. këto të fundit, si efekt zinxhir, do të ulin shpenzimet dhe për rrjedhojë do të ketë shkurtime por edhe ulje rroge.
Nga një llogaritje e thjeshtë, në kete sektor punojne rreth 30,000 te rinj. Po çfarë reagimi ka qeveria Shqiptare për një situatë të tillë? Ka dëgjuar njeri deri më tani ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale të flasë? Po ministrja e Ekonomisë është dëgjuar të flasë? Po ministrin e Financave e ka dëgjuar ndokush?
Po kryeministrin e vendit që nga çdo podium lartëson dhe propagandon një Shqipëri që nuk ekziston vetëm se në përrallat e tij, e ka dëgjuar ndokush të flasë për ndonjë plan në një rast të tillë?
Deri më tani asgjë përpos heshtjes. E cila dëshmon paaftësinë e një qeverie të kurdisur vetëm për të ngritur taksat dhe jo për të krijuar mundësi punësimi.
Sot, vendi realisht është në një situatë delikate. Shërbimet më të rëndësishme (si ai urban, shëndetësor, arsimor) janë rritur ndjeshëm ndërsa të ardhurat jo. Qeveria ka taksuar në këto katër vjetër mbi 1 mld USD ndërkohë që nuk ka rritur numrin e të punësuarve dhe rritja ekonomike aktuale mbahet në këmbë nga investime të djeshme.
Italia, sot është përpjekur të gjejë një zgjidhje (e cila na bie ne rëndë për shkak të rrethanave tona), ndërkohë që ne nuk kemi asnje oferte per imvestitoret e huaj. Mbyllja e këtyre Call Center do të shoqërohej me emigrimin e të rinjve, me uljen e konsumit, uljen e çmimeve në tregun e banesave, rritjen e papunësisë dhe një gjendje paniku.
Përballë kësaj sfide, qeveria ka vendosur të heshtë, ndërkohë që opozita ka ofertën e saj. Politikat e ulëta fiskale, një taksë e sheshtë dhe mbi të gjitha subvencione dhe mundësi për të investuar në vend; janë ilaçi që mund të mbajë ende në jetë këto vende pune që sot janë më të shtrenjta se kurrë.