Çfarë “zbuluan” hajdutët e Rinasit në thasët me para?
“E dyta, gjë e “mirë”, që bënë hajdutët, është që ato para, i kthyen sidoqoftë përsëri në Atdhe. Kuptohet, duke i vjedhur. Duke qënë në Shqipëri ato para, kanë një shans, që mbasi të kapen nga duart e “Robin Hood”-ëve, të shndërrohen në një provë serioze, për një hetim serioz, të origjinës së tyre dhe të destinacionit për ku shkonin”…
Nga Artur Zheji
Çdo e keqe e ka një të mirë. Hajdutët e Rinasit, padashjen e tyre, duket se bënë dhe zbuluan 2 gjëra të rëndësishme dhe të mira, në gjithë atë zhurmë dhe rrëmujë, që shkakton një vjedhje spektakolare.
E para, hajdutët me “maska”, zbuluan ndoshta edhe njëherë tjetër, për opinionin publik, se sa shumë para, udhëtojnë cash, apo si i thonë shqip si para të thata, ngarkuar me thasë, e që ngarkohen nëpër avionë, me destinacion, nuk dihet se ku? Ky është një zbulim i madh, që hajdutët me maska, bëjnë ndaj ndoshta, “hajdutëve” me frak apo kollaro. Sepse udhëtimi i këtyre parave, që në dijeninë time, nuk është aspak për herë të parë, është po aq mister i rëndësishëm për tu zbuluar, madje mos më shumë, se sa banditët e drejtëpërdrejtë.
Në këtë enigmë që zbuluan hajdutët, meqë këto na qenkan para private, që s’dihen akoma se të kujt janë dhe për llogari të kujt lëvizin, nuk duhet të flasë vetëm policia, por edhe Governatori i Bankës së Shqipërisë. Edhe në Kuvendin e plot gjurulldi të Shqipërisë, lipset një interpelancë e posaçme për këtë “zbulim të mrekullueshëm” të hajdutëve.
E dyta, gjë e “mirë”, që bënë hajdutët, është që ato para, i kthyen sidoqoftë përsëri në Atdhe. Kuptohet, duke i vjedhur. Duke qënë në Shqipëri ato para, kanë një shans, që mbasi të kapen nga duart e “Robin Hood”-ëve, të shndërrohen në një provë serioze, për një hetim serioz, të origjinës së tyre dhe të destinacionit për ku shkonin.
Nëse shteti shqiptar, funsksionon sadopak, duhet të zbulohen jo vetëm hajdutët e zakonshëm dhe “trima”, që dhe është gjëja më e lehtë, por ata që trasnportojnë këto para, ditën me diell, duke shpërfillur, ata e dinë përse, transfertën bankare. Dhe duke thyer disa ligje të rëndësishme ndoshta, për transferimin e tyre, me thasë nga aeroporti, në aeroport.
A do të ketë dikush vëmendje për këtë, tani në vigjilje të Reformës në Drejtësi, në vendin e varfër, ku milionat e eurove shëtisin me thaës, si në Mesjetë? 360grade.al