Cila qe esenca e prezantimit të kryeministrit Edi Rama në Kosovë?

Cili qe thelbi i prezantimit të kryeministrit Edi Rama në Kosovë: të shpjegonte, të përgjigjej, të dëshmonte arrogancën e tij, t’u dërgonte mesazhe zgjedhësve në Shqipëri, apo të ofendonte mediat?

Diçka të tillë nuk e kam parë kurrë. Ndonëse para mikrofonit kam pasur shumë persona të njohur publik në 28 vitet e kaluara sa merrem me gazetari: Shaban dhe Hamëz Jasharin, Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin, Rexhep Qosjen, Sllobodan Millosheviqin, Ivan Stramboliqin, Josip Vrhovecin, Mahmut Bakallin, Sali Berishën e Fatos Nanon, Zoran Gjingjiqin, Hashim Thaçin, Aleksandar Vuçiqin, Boris Tadiqin e Ivica Daçiqin, Isa Mustafën, Albin Kurtin (madje në kohën kur ishte në burgjet e Serbisë), Ramush Haradinajn e Shpend Ahmetin, e madje edhe kriminelët dhe të akuzuarit për krime si Arkanin apo Dragolub Ojdaniqin (po përmend vetëm disa nga personat e rajonit)… Dhe nuk më kujtohet ndonjë intervistë apo bisedë që pas saj të kem pasur më shumë pyetje, se sa përgjigje.

Shumë pyetje dhe dilema

Deutsche Welle Fernsehmoderator Albanisch Europa Aktuell Bahri Cani (DW)

Nuk e kuptova se cila ishte esenca e paraqitjes së kryeministrit Edi Rama para publikut të Kosovës, në emisionin Zona B. Të shpjegojë, të përgjigjet, të dëshmojë arrogancën e tij, t’u dërgojë mesazhe zgjedhësve të tij në Shqipëri, apo të ofendojë mediat dhe në veçanti portalet? Çfarë deshi t’u thotë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, shtetasve të Kosovës? Se shqiptarët e ndihmuar nga ndërkombëtarët e kanë fituar luftën kundër Serbisë në vitin 1999?! Se Serbia duhet ta njohë Kosovën, nëse mendon të normalizojë raportet mes këtyre dy shteteve? Se ai kur flet për Kosovën, madje edhe për çështjet e brendshme të saj, nuk do të kërkojë lejen e askujt? Apo ishte qëllimi që me një qëndrim arrogant dhe përqeshës të ofendonte (disa) portale/gazetarë/analistë të Kosovës dhe njëkohësisht të Shqipërisë? E të mos flas për kulturën e komunikimit në këtë prezantim, sepse kryeministri nuk lejoi që të shtohej asnjë pyetje deri në fund.

E cili ishte funksioni i gazetarëve/analistëve të ftuar në studio? Të debatojnë, të shtrojnë pyetje, të sulmojnë dhe shajnë kryeministrin e Shqipërisë, apo ishin vetëm pjesë e shout të një kryeministri herë pas here tepër arrogant? Si mund të shkojë dikush në një debat i papërgatitur sa duhet? Pse lejuan kolegët e mi që në fillim, të edhe fizikisht të jenë më ulët, duke u ulur një shkallë më poshtë se bashkëbiseduesi? A kanë menduar vërtetë pjesëmarrësit që me dy-tri pyetjet e tyre dhe me një kohë tepër të kufizuar, do të hynin në ndonjë debat me një politikan, me një retorikë të mrekullueshme?! Apo ishin vërtetë vetëm një stoli e një shou të paramenduar mirë? Ka shumë pyetje dhe dilema, por mjaftojnë edhe këto.

Toni e bën muzikën

Në vizitën e parë të Ramës në Beograd dhe në konferencën e tij për shtyp me Vuçiqin kam qenë edhe vet pranishöm. Rama dhe shumëkush në Kosovë dhe Shqipëri me siguri mendojnë se kryeministri bëri mirë që i bëri thirrje Vuçiqit dhe Serbisë që ta njohin Kosovën si shtet. Por … a thua nuk kishte qenö e mundur të gjehet ndonjë ton më i sofistikuar për të arritur qëllimin? Apo ishte kjo vetëm pjesë e një shou – për të mbetur në librat e historisë si një “patriot”. Një fjali të ngjashme ia kam thënë Vuçiqit madje edhe unë personalisht – pas intervistës së tij të parë për media (dhënë Deutsche Welles), pas marrjes së postit të kryeministrit.

Rama dhe këshilltarët e tij me siguri e dinë (apo ndoshta edhe jo), por shqiptarët dhe serbët kanë shumë të përbashkëta, e një prej tyre është – inati, një emocion i cili shpesh nuk sjell ndonjë zgjidhje të mirë por mund të prishë shumë punë. Ndaj duhet ta kishte ditur se me këtë fjali vetëm sa mund të shtyjë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe kurrsesi ta përshpejtojë atë. Vuçiqi e di që pa normalizimin e raporteve me Kosovën si shtet, nuk do të ketë anëtarësim në BE. Vuçiqit dhe Serbisë kjo i duhet bërë e qartë në çdo takim, por në gjermanishte ekziston edhe shprehja: toni e bën muzikën.

Kosova ka nevojë për Shqipërinë në të gjitha aspektet

Kuptohet nëse qëllimi i Ramës ishte të ndihmojë procesin e normalizimit dhe të pajtimit në Ballkan, sepse profilizimi personal është diçka tjetër. Kosova dhe Serbia kanë nevojë për mbështetje në procesin e dialogut – jo vetëm nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, por edhe nga Shqipëria. Ndërsa Kosova ka nevojë për Shqipërinë në të gjitha aspektet – ato ekonomike, politike, diplomatike, kulturore, shkencore…

Serbia duhet të përballet me të kaluarën e saj kriminale, me krimet, dhunimet, gjenocidin, masakrat, me humbjen e luftërave dhe me humbjen e Kosovës. Por politikanët dhe diplomatët me pak më shumë sens e dinë që Serbia vërtetë ka nevojë për mbështetje në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën, sepse humbja e Kosovës është plaga më e thellë dhe trauma më e madhe e Serbisë. Kjo është në interesin e shtetit të Kosovës dhe të shqiptarëve, sepse Kosova duhet të ketë një ditë marrëdhënie normale me të gjitha vendet fqinje – pra edhe me Serbinë. Jo vetëm për shkak të anëtarësimit të mundshëm në Bashkimin Evropian, por për shkak të qetësisë, stabilitetit dhe zhvillimit të Kosovës dhe rajonit.

Ofendim ndaj profesionit të gazetarit

Sa i përket raportit ndaj mediave: kjo më dhemb edhe personalisht shumë, sepse ofendimet ndaj portaleve, pavarësisht faktit që disa portale e kanë ulur profesionin tim në një nivel tepër të ulët, i përjetoj si ofendim ndaj profesionit.

Në Gjermani nuk mund të përfytyrohet që kancelarja Merkel apo ndonjë politikan të ofendojë apo përqeshë mediat, që t’u gazetarëve se nuk dinë asgjë, nuk kuptojnë asgjë, apo dhe se po gënjejnë. Po flas për politikanët serozë dhe jo për ekstremistët.(marre nga radio gjermane “DW”)

SHKARKO APP