“Ç’ka ndodhi vjet në Beograd, e komandoi Vuçiç”
Artur Zheji i bën një analizë asaj që ndodhi para dhe pas ndeshjes Shqipëri-Serbi. Ai ironizon masat ekstreme të marra nga pla shqiptare, ndërsa thotë se ajo që ndodhi një vit më parë në Beograd, ka qenë një strategji e Vuçiç për t’i bërë presion Brukselit.
“Ajo që ndodhi në Beograd me ndeshjen dhe rrahjen e Çunave tanë në stadium, ishte pra një strategji, që Vuçiç të trokasë në mënyrë sa më të suksesshme në dyert e Evropit dhe në Bruks, me torbën hapur për kapitale dhe investime, që të qetësojë pra, ortekun nacionalist serb, që plus të tjerave, ka rënë edhe në depresionin ekonomik dhe në psikozën e braktisjes oksidentale.
Duke na pëlqyer së tepërmi vetja, harrojmë ose nuk dimë, se Serbia dhe serbët janë të zotë të ngrejnë dhe të mbajnë një makineri ushtarake dhe policore perfekte dhe këtë e kanë rrëfyer edhe në dëmin tonë, në së paku këto 100 vitet e fundit.
Më 1914-n, vunë në lojë Perandorinë 300-vjeçare Austro-Hungareze dhe ndezën shkrepësen e një Lufte Botërore, që prodhoi më pas Mbretërinë më të madhe Serbe të shekullit XX. Dhe na shfarosën për 80 vitet e mëpastajme si ustallarë.
“Betejë” që e fituam, aq sa e fituam, me lindshmërinë tonë të lartë, më shumë sesa me luftë. Dhe po këta serbë i rezistuan NATO-s, përçanë disa nga vendet anëtare të saj, vunë Moskën dhe Rusinë moderne në punë për ta, depërtuan në Kukës, urdhëruan dhe ekzekutuan vrasje të rëndësishme në Tiranë, me një makineri ushtarake mjeshtërore dhe me shërbime sekrete të dorës së parë.
Sigurisht, ngecën në Washington. Sepse USA e kish marrë me kohë vendimin e saj dhe sepse ndoshta në Kremlin, nuk kish hipur ende Vladimir Putin. E pra, të zotë për të lëvizur dhe për të manovruar, në sfera shumë të larta gjeopolitike. Ç’të mburremi pra, se ndaluam edhe harabelat të fluturojnë në stadiumin tonë mediokër të Elbasanit? Ndërsa “Shqiponjat” e pakta të Çunave entuziastë i futëm si kanarinat në kafaz”, shkruan Zheji.