Çlirimi i dytë i Kosovës

Nga Aleksandër Biberaj

Falë ndërhyrjes së ushtrisë amerikane dhe asaj të NATO-s në marsin e vitit 1999, Kosova feston 22-vjetorin e çlirimit nga okupacioni një shekullor serb dhe 13-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj me 17 Shkurt 2008. Ndërhyrje e aleatëve solli edhe largimin një herë e përgjithmonë nga trojet shqiptare të makinës kriminale ushtarake serbe të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviç. Natyrisht që përveç ndërhyrjes së aleatëve Kosova u çlirua edhe falë rezistencës të popullit të Kosovës si dhe kontributit të UÇK-së, dhe sot natyrisht që është dita për të shprehur respektin, vlerësimin dhe mirënjohjen për çdo shqiptar që luftoi dhe nuk kurseu as jetën për pavarësinë e Kosovës. Gëzimi ishte shumë i madh në atë qershor të vitit 1999 kur trupat e aleatëve hynin triumfatorë në Kosovën e çliruar, pasi po bëhej kështu realitet ëndërra e brezave që kishin derdhur lumenj gjaku për lirinë e Kosovës, dhe neve si komb po na “bëhej një favor”, pasi korrigjohej një pjesë e padrejtësive të bera ndaj nesh nga Fuqite e Mëdhaja në fillim të shekulli të XX. Por bashkë me pavarësinë e Kosovës do të vinin edhe sfidat e ri-ndërtimit të vendit, e ri-themelimit të shtetit të ri tashmë të lirë dhe të pavarur, e ecjes së Kosovës në rrugën e lirisë dhe të demokracisë, e tregut të lirë, e prosperitetit si dhe kryerja e një sërë reformash të rëndësishme për integrimin Euro-Atlantik. Dhe pikërisht këtu, që në fillim, krahas sfidave do të fillonin edhe vështirësitë e shumta, pasi përveç Dr. Rugovës dhe lidershipit të LDK-së që ishin intelektualë, akademikë, profesorë dhe profesionistë të fushave të ndryshme dhe që e njihnin shtetin, një pjesë e lidershipit të ish-luftëtarëve të UÇK-së që morën pozita protagonizmi nuk kishin as arsimimin e duhur dhe natyrisht i’u mungonte eksperienca shtet-formuese. Ish-luftëtarët e UÇK-së të inkuadruar tashmë në parti politike, duhej të hiqnin kostumin e “luftëtarit të lirisë” dhe të vishnin kostumin civil të politikanit, të shtetarit, pasi tani ata do të merrnin përgjegjësi të madhaja politike dhe publike për drejtimin e vendit në rrugën e reformave. Dhe ashtu siç e tha edhe Presidenti Clinton “ne bëmë luftën, ju bëni paqen”, përgjegjësitë tani do të ishin shumë të mëdha. Por fatkeqësisht një pjesë e lidershipit protagonist të “ish-luftëtarëve të lirisë”, duke harruar edhe misionin e tyre historik si dhe duke zhgënjyer pritshmëritë që kishte kombi ndaj tyre, shumë shpejt u transformuan nga “luftëtarë lirie” në “gjahtarë parash të pista apo gjobëvënës”, në “gjuetarë pronash dhe tenderash publike apo përvetësues privatizimesh të jashtëligjshme”. Ata harruan luftën, harruan dhe tradhtuan idealet e lirisë, lanë veteranët e UÇK-së në mes të katër rrugëve, harruan Kosovën dhe popullin e saj, dhe u shndërruan në peng-marrësit më të mëdhenj të historisë së Kosovës, në hajnat e pamatë dhe të pa fund “pa dinë e pa iman”. Vdekja e Dr. Rugovës në vitin 2006 e përkeqësoi së tepërmi situatën shtet-formuese pasi e dobësoi gradualisht deri në “vdekje klinike” LDK-në, rezultatet e 14 shkurtit 2021 ishin më të dobëtat e historisë së saj. Ndërkohë që “ikja e Rugovës” i hapi rrugë edhe një pushteti absolut dhe abuzimi të pafundëm me pushtetin të Hashim Thaçit dhe klanit të tij të veshur me petkun e “ish-luftëtarëve të UÇK-së”. Pushtetin e mori pikërisht Hashim Thaçi, ai person që Rugova nuk e kishte pranuar as si partner dhe as nuk i kishte dhënë pushtet “për së gjalli”, pasi e quante “person të rrezikshëm për Kosovën”, siç edhe është vërtetuar sot. Klani kriminal i pushtetit në Kosovë u shndërrua në një rrezik real për Kosovën pasi kontrollonte gjithçka dhe gjithkënd, dhe prirja ishte që çdo opozitari apo intelektuali të pavarur t’ia gjenin vendin, siç ndodhi realisht me shumë drejtues lokale të LDK-së. Erdhi koha që SHIK-u i Kosovës u bë për intelektualët, qytetarët e pavarur dhe shoqërinë civile të Kosovës në vitet 2000, si milicia e Milosheviçit në vitet 1980. Pothuajse të gjitha qeveritë e pas-luftës në Kosovë nuk kanë qenë koalicione programore, sesa pazare të pista për ndarjen e pushtetit dhe përfitimeve të pushtetit, duke mos pyetur as për ligje dhe as për shtet, as për komb, atdhe apo popull, duke synuar vetëm e vetëm pasurimin e pafundëm, siç edhe ndodhi që nga viti 1999. Dhe kjo histori përsëritej sa hera që kishte zgjedhje periodike apo të parakohshme. Kasta politike e kalbur e Prishtinës, e tej-ngopur me pushtet, para të pista dhe pasuri pa fund, e lodhi popullin e vet por edhe faktorin ndërkombëtar që kishte investuar shumë për pavarësinë e Kosovës dhe më shumë për ndërtimin e shtetit të ri. Por siç i thonë një fjale, zollumi këputet me të trashur, pasi vjen një moment që tejkalohet masa dhe filli këputet. Këtë u’a tha para disa vitesh edhe miku i madh i shqiptarëve, ish-komandanti i ushtrisë amerikane gjatë ndërhyrjes në Kosovë Ëesley Clark se: “është koha që ish-luftëtarët e UÇK-së të tërhiqen nga politika”, pasi “enough is enough” “mjaft është mjaft”, por si gjithmonë askush se dëgjoi “ulërimën” e tij. Fatkeqësisht ish-drejtuesit e UÇK-së gjatë viteve të fundit “harruan” jo vetëm qeverisjen, por edhe njohjet e reja të Kosovës, gjë që shpjegon edhe stopimin prej disa vitesh të njohjeve të reja, si dhe tërheqjen e disa njohjeve te vjetra nga presioni dhe lobimi i mirë-organizuar i Serbisë, por edhe nga indiferenca, pa-aftësia dhe pasiviteti i diplomacisë zyrtare të Kosovës dhe Shqipërisë. Situata shkoi edhe më keq pasi lidershipi politik në Kosovë, për halle të veta ishte gati që të falte territore të Kosovës, duke ushqyer bashkë me Aleksandër Vuçiçin dhe Edi Ramën plane djallëzore dhe anti-kombëtare për ndarjen e Kosovës. Ndërkohë që krimi, korrupsioni, pa-aftësia, krahinalizmi, nepotizmi, injoranca dhe politizimet e tej-skajshme në administratën publike kanë pushtuar çdo qelizë të saj, dhe fatkeqësisht Kosova ka vite e vite që nuk kryen reforma të suksesshme, duket se vetëm sa vegjeton. Vendi është i zhytur në një mjerim, skamje dhe varfëri ekstreme, papunësia kap shifra rekord dhe për pasojë vendi, ashtu si edhe Shqipëria po ç’popullohet ccdo ditë, duke rrezikuar ekzistencën tonë kombëtare pas disa dekadash. Në këto kushte u mbajtën edhe zgjedhjet e 6 Tetorit 2019, ku qytetarët e Kosovës votuan për ndryshim, duke votuar për Albin Kurtin (LVV) dhe Vjosa Osmanin (LDK). Dihet tashmë që mezi u krijua qeveria Kurti në janarin e vitit 2020, dhe jetoi vetëm 52 ditë, pasi u përmbys nga angazhimi i pashoq i krejt hajnave të Kosovës, i botës së krimit të nën-tokës dhe mbi-tokës, me ndihmën edhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë të komunitetit LGBT. Por drejtësia vonon, por nuk harron. Populli i Kosovës i tradhtuar, i mashtruar, i zhgënjyer dhe i gënjyer, por edhe i keq-përdorur nga lidershipi politik 22 vjeçar, kërkoi shpagim të dielën e 14 shkurtit nëpërmjet votës plebishitare kundër establishmenit të vjetër duke votuar të renë Kurti-Osmani, duke i’u dhënë atyre fitoren më të madhe të demokracisë në Kosovën e pas-luftës. 14 Shkurti për Kosovën nuk ishte vetëm një datë zgjedhjesh, apo thjesht një rrotacion politik, por ishte një ndryshim i madh që do të ndajë dy epoka. 14 Shkurti mbylli kapitullin e pasluftës dhe hodhi në kosh plehrash një brezi politikanësh që fatkeqësisht e keq-përdorën dhe përdhosën luftën për liri, pasi u zhytën në hajni pa kufij dhe pa skrupuj, dhe do të hapë një epokë të re, me shpresën dhe besimin se Kosova e drejtuar nga Kurti-Osmani do të përparojë dhe bëjë progres në të gjitha fushat, dhe se vendi do të ketë më në fund një qeverisje popullore që punon për popullin, jep llogari përpara popullit, dhe ikën kur populli nuk të don më. Vota plebishitare në mbështetje të Kurtit dhe Osmanit do të jetë edhe një përgjegjësi shumë e madhe për lidershipin e ri, për të mos bërë kurrë ato që kanë bërë para-ardhësit e tyre “të koshit”, por për të  bërë ato gjëra të mrekullueshme që politikanë me dinjitet dhe të përgjegjshëm bëjnë çdo ditë në vendet dhe shoqëritë e zhvilluara perëndimore për popujt dhe qytetarët e tyre. Ata janë politikanë të lirë, janë qytetarë model që kurrë nuk “vdesin” në pushtet dhe as për pushtet, përkundrazi i shërbejnë vendit të tyre maksimumi për dy mandate, për t’u ri-kthyer përsëri atje ku e nisën, në jetën e tyre private dhe profesionale, duke lënë liderë të tjerë pas dhe duke lejuar rrotacionin biologjik dhe social-shoqëror të elitave, i cili është si leva e Arkimedit për shoqërinë njerëzore. Parë në këtë këndvështrim, 17 Shkurti i vitit 2021, me sa duket do të jetë edhe pavarësia e dytë e Kosovës dhe urojmë që kjo të jetë një pavarësi reale dhe afat-gjatë. Nëse pavarësia e parë ishte ndaj së keqes që quhej Serbi, kjo e dyta është ndaj së keqes sonë të brendshme, që fatkeqësisht na bën po aq dëm në mos më shumë, sesa ajo e keqja e madhe e huaj. Zoti e bekoftë Kosovën dhe shqiptarët kudo që janë në këtë ditë të madhe të kombit tonë!

 

SHKARKO APP