Ç’më bëtë të kem respekt për Ilir Beqen!
Tani kur për një ministër nuk është lënë gjë pa i thënë, të paktën kur pretendon se i ka kapur faktin e parë korruptiv, duhet bërë kujdes të jetë serioz. Se ky banaliteti i drejtorit tropojan, më duket më shumë si gjobë e Sandrit, që mund ti mos i ketë hapur telefonin ministri…
Nga Mero Baze
Dëgjova një audioregjistrim të një ish Drejtori nga Tropoja, që paska regjistruar Ministrin që i kërkon llogari përse nuk ka shkuar në një mbledhje si anëtar i Asamblesë së Partisë Socialiste në Tropojë. Drejtori pretendon se pas kësaj bisede nuk ka qenë më drejtor dhe konsideron skandal faktin, që ai është shkarkuar përse nuk ka shkuar në një mbledhje të partisë.
Nuk jam i sigurtë deri në fund se cili ka qenë shkaku që ky njeri është shkarkuar, por kjo histori nuk i bën asnjë dëm një Ministri si Ilir Beqja. Përkundrazi nga mënyra si u servir, nga furtuna në gotë që u tentua të ngrihet, mu krijua një përshtypje më e mirë për Ilir Beqen, përpara se ta dëgjoja këtë palaçollëk.
Ministri ka dy vjet që është në syrin e ciklonit, duke e akuzuar për koncesionin e Checkupit, dhe për gjithfarë gjërash që ndodhin në spitale, që nga ata që nuk gjenë dot Doktorin, deri tek ata që nuk gjejnë dot ilaçet.
Por inflacioni i akuzave ndaj një ministri, kam frikë se është në favor të tij, kur tentohet të përdoret çdo banalitet kundër tij.
Ky rasti i drejtorit tropojan, përveçse nuk më duket skandal fare, që është pushuar, më duket dhe shumë i neveritshëm kur mendoj, se si është emëruar ai tip drejtor. Ai është emëruar aty politikisht, siç bëhen emërimet e gjithë drejtorëve të rëndësishëm në sistem, dhe këtu debati duhet bërë, si të zgjidhim çështjen e sistemit të drejtorëve politikë, dhe jo ti qajmë hallin kur ata ndërrohen me njëri tjetrin.
Ky është një Drejtor, që duket se ka qenë i qartë që do të largohej nga detyra nga ajo mbledhje, dhe ka regjistruar Ministrin në bisedën e fundit me të, i cili e mban veten goxha mirë edhe pse i sigurt që do ta hiqte.
Ministri i Shëndetësisë, është akuzuar për korrupsion me koncesionet, por në fakt përeveç botimit të kontratave që janë ligjërisht korrekte, nuk ka pasur fakte se si abuzohet. Ministri është akuzuar se ka ndryshuar skemën e furnizimit me ilace të spitaleve, është akuzuar se për tendera që i ka bërë dhe nuk i ka bërë ai, është akzuar për koncesione shërbimesh për spitale private etj.
Tani kur për një ministër nuk është lënë gjë pa i thënë, të paktën kur pretendon se i ka kapur faktin e parë korruptiv, duhet bërë kujdes të jetë serioz. Se ky banaliteti i drejtorit tropojan, më duket më shumë si gjobë e Sandrit, që mund ti mos i ketë hapur telefonin ministri, siç ja hapin të tjerët, deri tek kryeministri, se sa si ndonjë problem serioz i ministrit.
Më mirë se ne të gjithë, ai tipi e di vet përse e kanë hequr, pasi para se të flas me ministrin ka bërë gati të regjistroj bisedën. Qoftë dhe për shkakun se mbledhja mund të bëhej për të hequr atë. I vetmi gabim është që këto vendime merren në forumet e partisë, por ky nuk është faji i Ilir Beqes. Aty i kanë marrë të gjithë vendimet deri më sot, dhe kam frikë se do vazhdojnë gjatë ti marrin aty për çdo drejtor. Ky është problemi real.
Se nëse Ilir Beqja duhet të quhet fajtor për këtë gjë, e kisha vënë me qejf kryeministër! Të paktën qënka njëri në qeveri që nuk e dashka Sandri! TEMA